Suplementi Pena Shqiptare/ Fabula nga: Vangjush Saro

497
Sigal

Dy gjethe…

 

Dy gjethe të verdha (njësoj shumë a pak)
ditën po e ngrysin mërzitshëm,
në park.
Era shtyn të parën dhe e hedh në truall;
ndërkohë që tjetra, bën si e trishtuar:
“Më dhimbsesh, moj motër, e shtrirë në dhe.
Por kjo është bota: Ca lart, ca…atje.
S’dua të të mburrem, por meqë ra fjala,
unë kam qenë, kam qenë…
unë, si me ta thënë…”

Pa mbaruar fjalën gjethja e lëvduar,
era fryn më fort
dhe e zbret në truall…

 

Gomari dhe Kaprolli

 

Teksa me dru po e ngarkonin,

Gomari i fliste një Kaprolli:

“Se si më dukesh ti, more vëlla,

të më falësh… pak si budalla.

Shkon e vjen as punë as zanat;

për kurrgjë s’do ishe ti në fshat.

Më në fund, o mik, me sa shikoj,

Ti nuk paske fare as patkonj…”

Në këto e sipër, qe ngarkuar;

tek lëkundej, sa nuk ra në përrua

dhe i hëngri vithesh ca shkopinj…

Tha Kaprolli i urtë: “Miku im,

tash për tash kam vetëm një këshillë:

çoje këtë barrë shëndoshë e mirë,

pa njëherë tjetër e gjejmë fjalën,

se kush është e kush nuk është budallë…”