Suplementi Pena Shqiptare/ Fabula nga Kastriot Hadëri


Në teatër 
(Sipas Pëllumb Kullës)

Në sistemin e kaluar 
puthja në skenë qe ndaluar.

Në ca çaste dashurie 
dy aktorët si në hije. 

Regjisori me durim 
do bënte një korrigjim: 
- Jo kaq statik, more djalë, 
bëj sikur e puth në ballë!

Fët aktori u ndez shpuzë: 
- Po sikur ta dojë në buzë?! 

Buzëqeshje e ngrirë 
(Sipas Pëllumb Kullës)

Cjapi cyt bashkëshorten dhi: 
- Cjappërçori faqezi, 
ç’janë dhi te shkalla jonë, 
dikë herët, dikë vonë,
pa përjashtim, ai horr, 
i ka kaluar në dorë! 

- Jo të tëra, cjapi im, 
se njëra bën përjashtim! 

Fët cjapi, sa u gëzua: 
- Cila është, ma trego mua? 

- Ajo me hundën përpjetë, 
leshverdha në kat të tretë! 

Mos denoncimi 
(Sipas Pëllumb Kullës)

Prej province në Tiranë 
dreri hapin seç e mban.
Mikut ia gjeti shtëpinë, 
ai shante qeverinë.

Dreri i gjorë u bë tym:
- Ta zëmë se s’bëj denoncim 
për të gjitha këto fjalë, 
tek ju sa dënohem vallë?! - 
dhe iu ngjethën ata flokë, -
Tek ne paguhet me kokë!

KUNDËRVAJTJE 
(Sipas Pëllumb Kullës)

Kishte pirë një kastor. 
Zoti derr, polic rrugor:
- Veturën nuk e nget mirë! -
i dha gypin, për t’i fryrë. 

- Gypi më jep alergji, 
as për kaq s’më beson ti?! 

- Do t’i frysh a t’i fryj vetë, 
të ngelesh në burg përjetë?! 

REFORMA NË DREJTËSI 
(Sipas Pëllumb Kullës) 

Në pyll hajde ç’drejtësi, 
dhe kur, pikërisht tani!
Akuzuan një sorkadh 
si përdhunues të madh!
Akuzë e aty për atyshme 
mbi dyshime të “arsyeshme”!
“Hyr në burg, - i thanë, - tani! 
Nëse kërkon pafajësi, 
duam vërtetim nga ti; 
po jo me gisht si qëmotit, 
me firmë nga femrat e globit!”