Sigal

Nga Ferit Lamaj

PIN-i

Ujku qet kartën bankare,

llafos fshatin ashiqare:

– Brenda fsheh një thes me pare.

Kush të dojë, ta përdorë

për çdo ditë, për çdo orë.

Dashi a Cjapi përçor,

Pula, Pata, zonja Sorrë.

(ulërin si hajn, si cub)

PIN-i: 4X²

 + 105³

 – 7√40 : X

 

Ç’ia hedh Dashi me këmborë

fjalët tullë, kunjat fiks:

– Sa ta zgjidhim PIN-in ne,

ti i shqyen dy a tre!

 

 

Jastëku

 

Fët Karriges ç’i fut spicë:

– Unë mbaj kokë, jo prapanicë…

 

Drogë

 

Nata qiellin përqaf;

vu gomone, motoskafë.

 

Në breg deti, more mik,

tash sjell drogë, jo leshterikë…

 

Borë

 

Te një shfaqje teatrore

seç i nisin flokë bore…

 

Një Maçok mustaqet nduku:

– Ehe, borë, borë pambuku!

 

 

 

Fryrje

 

Supa e dogji dikur,

vëth në vesh i mbet’ Majmunit.

Sot, veç lugës ai burrë,

i fryn thikës dhe pirunit…

 

 Lëkurët

 

Zoti Beso, mesoburrë,

kish pak skuqje mbi lëkurë;

seç i hipi ankth e stres.

 

I thotë Shoku mjaft serbes:

– Mos i zër së parës besë,

të mashtron porsi ngahera!

Nën të ke shtresa të tjera…

 

Fëminia

 

Kujton Gjyshja fëmininë,

kur lodronte në kuzhinë:

“Ku kish lodra, jo, jo, nuk,

i bija maces me lugë.

Sot i bie Mbeska jonë,

jo me lugë, po me dron…”

 

Macja e zezë

 

– Pu-pu, ç’ters, – shfryn zoti Derr, –

ma zu rrugën Macja sterrë!

 

Ç’ i thotë Ketri lart, në plep:

– Ki kujdes nga ndonjë cep,

se mos del Pantera zebë!

 

Hipotekim

 

Edhe kjo kund s’ishte parë:

zoti Ujk, hipotekar,

bash liqen e rezervuar

ç’i vulos si tokë-arë!

 

Tashmë peshqit, more shokë,

do notokan nëpër tokë…

 

Palestër

 

Tre muaj kalitje

nis një Sorrë zonjë:

– S’shkoj kot në stërvitje,

do bëhem Shqiponjë!

 

Iliada

 

Iliadën e mbaj

te balli i nderit:

lexoj e përpij

me sytë e Homerit…

 

Fjala

 

Fjalës, mik, shtoja sherbetin,

veç kujdes me diabetin!

 

Hije

 

Palcë vape, një kokë Dhie

shkon drejt palmës për pak hije.

 

Ç’i thotë Cjapi: – Ku po vete,

kjo s’bën hije as për vete?!

 

Shokët

 

Gjashtë shokë rreth tryeze,

qejf o qejf, raki e meze!

 

Shoqi-shoqit: – Ky shëndet

është për ty, o yll, o Mbret!

 

“Madhëria” pa kurorë:

– Rrofsh e qofsh, o Perandor!

 

Me lëpirje e lëvdata

shoqërinë e sterri nata.

 

Iku “Mbreti”, ngelën pesë;

kor të sharash në mungesë:

– Nuk gjen burrë më të pabesë!

 

“Perandori” këtë herë

na i la thembrat në derë:

– Ç’Perandor, një m.., me nder!

 

Katër miqtë besa-besë

ngulen gozhdë në tryezë.

Ta llafosim për së mbari,

s’i lëviz dot as sqepari.

 

Njëri hedh ca fjalë gjithë tru:

– Pa u zhdukur të tre ju,

unë s’shkulem prej këtu!

 

Emigranti

 

Çun i lindur në Tiranë,

plak i thinjur në Lozanë.

Në epilog, në fund të jetës,

shpreh me shpirt të së vërtetës,

dhe të mallit, dhe të bindjes:

Të falem ty, qytet i lindjes!

Të përulem tej amshimit

ty, qytet i perëndimit!

 

Këpucët e Majmunit

 

Seç i sollën nga Meksika

si peshqesh një palë këpucë:

“Këmba ime do opinga,

këto qenkan me majucë!”

 

Taksë rruge

 

Nastradini, miqtë e mi,

e bën gomarin …taksi.

Rrugës i devijon aks:

– Bujrëm, në taksi pa taksë!

 

Plakat e prillit

 

Nusja motin sheh tek dera:

“Pu-pu, ç’ngricë, më griu era!

Të sivjetmet qenkan vjehrra…”

 

Dy Majmunët

 

– Eh, sa thellë hyri kriza:

s’kemi punë, vrasim miza!

 

– Ç’miza vrasim?! – hidhet shoku: –

Na i kullufit Maçoku…