Suplementi Pena Shqiptare/ Fabula nga Albert Habazaj

721
Sigal

Besa e qenit

“Unë jam një qen stani,

Në stanin e librave të mi.

“Ham-ham, mos m’i ngani,

Ju shqyej e ju grij!”

Dritëro Agolli

 

Bën apel qeni i stanit

Gjithë racës së ham – hamit:

 

– Një llaf kam unë, s’kam dy,

Dhe vdekjen e pres në sy!

 

E uron bushtra me zemër:

– Hallall qumështin e nënës!

 

Qeni i shtëpisë pastaj,

I lidhur flet më kollaj:

 

– Po më ngave, të nduk keq,

Qofsh njeri, qofsh edhe dreq!

 

Shton e shoqja: -…ndaj kujdes,

Në detyrë s’të fal, për besë!

 

Si trim, zë e flet zagari,

Po, me nder, asnjë s’ia vari…

 

Zagaresha njomi sheshin,

Ankohet: – Pse na përqeshin?!

 

Me zë të hollë langoi

Pas një ferre trimëroi…

 

Ngrihet zonja langaraqe

As për luftë, as për paqe.

 

“Çuf, çuf, çuf…”, më tej këlyshi

As nuk ndreqi, as nuk prishi…

 

Pra, ku është besa e qenit?

– Në stan, te balli i kuvendit!