Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Gjoni: Vdekja…

653
Sigal

Vdekja nuk është e frikshme, ka pamjen e jetës. Kot e quajmë të zezë, një boshllëk e mynxyrë. Vdekja është gjithë kohës me ne, bashkudhëtare, kemi të njëjtën rrugë, sepse vdekja është thjesht ikje, e kohës, e hapave, e veprimeve, e njerëzve, e ndjenjave, e frymës, ikje, ikje që nuk ndalet, kur mbarojnë ikjet e tua mbaron dhe vdekja. Përse themi vdiq, mund të themi mbaroi vdekja së ekzistuari. Çdo gjë vdes përditë nga pak. Përse kemi frikë vdekjen, se ajo do na lerë një ditë dhe ne nuk do e shohim e ndjejmë më procesin e ikjeve? Pra, ne pa kuptuar e duam vdekjen. Ajo është ikja e fundit. Çfarë është mbas kësaj s’e dimë, ç’emër ka… Vdekja ka rrëmbyer fytyrën e jetës, e merr atë në ikjen e fundit, dhe jeta mbase ka vetëm atë fytyrë, ndaj ikën dhe ajo. Vdekja është më e fuqishme se jeta, ajo merr çdo gjë… Jeta është një rrugëtim që ne bëjmë me vdekjen. Sot me erdhi ta mendoj kështu vdekjen, nesër mbase do e shikoj ndryshe…