Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Gjoni: Diçka jotokësore

690
Sigal

Po e prekte lehtë me gishtin tregues në fytyrë. Pasi e preku te hunda e rrëshqiti ngadalë gishtin te buzët, u ndal pak aty, e largoi dhe i tha: “Shpirti im është rebel. Ai ka jetën e tij. Askush nuk mundet ta pengojë, as unë…”

Edhe pse e kishte menduar shumë herë, për herë të parë shqiptoi me një zë të shuar:

“Unë nuk jam shpirti im! ”

U largua dhe vazhdoi të luante me dallgët buzë detit. Kur gjendej përballë tij, ai nuk i fliste. E ndjente se ajo nuk ishte aty.

Ana u drejtua nga deti dhe ngriti kokën lart. Gjithmonë i ndodhte e njëjta gjë; gjithë energjia e saj përqendrohej në një pikë në kraharor. Pastaj shpërthente si një tornado, merrte trajtën e një hinke dhe shkonte drejt hapësirës. Dërgonte çdo gjë të saj atje për t’u regjistruar kushedi se ku, dhe priste kthimin e një energjie te re, e një informacioni të ri, i cili gjente rrugën nëpërmjet atij portali që krijohej midis asaj dhe universit. Në fund të këtij procesi mistik riktheheshin përsëri çfarë kishte dërguar atje lart. E megjithatë, nuk ishin më të njëjta; ishin zbehur, nuk kishin atë forcën e nisjes, energjia e tyre ishte shkëputur, kishte mbetur atje në hapësirë. Ato tani bartnin një informacionin të ri që nuk i përkiste kësaj bote. Kur diçka nuk shkonte ato lëviznin nga pak për të ruajtur ekuilibrin e asaj që po ndodhte. Shpirti i saj ishte një copë hapësire dhe ajo nuk e ndiqte dot atë në rrugëtimet e tij. Ajo ishte tokësore, shpirti i saj-jo

Më në fund Ana kthehej tek ai sikur të ishte dikush tjetër. Atij nuk i mbetej gjë tjetër, veçse ta eksploronte nga e para. Dhe, sa herë që e bënte këtë, binte përsëri në dashuri me të, çmendurisht