Suplementi Pena Shqiptare/ Eva Gjoni: Ana

1242
Sigal

Kishin debatuar gjatë për mënyrën e sjelljes se tij, Ana u vesh dhe po dilte kur iu kujtua një shprehje që e kishte dëgjuar në një film. U kthye dhe i tha ftohtë.

-Ne jemi të lirë në zgjedhjet që bëjmë… por janë zgjedhjet tona që na mbajnë ne të lidhur! Po mbytem, tha dhe doli. Ai e njihte aftësinë e saj për të qenë e drejtpërdrejtë, therëse në atë që shprehte. Ftohtësia e saj ishte e frikshme! Filloi të vraponte, donte të ikte nga vetja me gjithë çfarë kishte brenda saj, vraponte pa pushim sa filloi t’i merrej fryma, u përkul vendosi duart te gjunjët dhe po qëndronte ashtu. Po ku po shkonte… ndihej bosh, nuk ndjente asgjë, asnjë dhimbje, as një lëndim… asgjë, ishte mpirë . Qenia e saj vetëm lëvizte, çuditej me këtë gjendje që nuk e kishte provuar kurrë më parë. Ishte pa shpirt, pa veten e saj, donte të ndjente atë tërbim që i shkaktuan fjalët e tij, donte të qante, por jo, asgjë… një ngurtësim i frikshëm, nuk po njihte veten! Por…. ohhh , donte të shkëputej, ndoshta më mirë kështu, nuk donte të ndjente më, ndjeshmëria e saj veç përplasej, ajo nuk po gjente qetësi. Ishte një rrugëtim i lodhshëm, po vetë shkatërrohej, po humbiste ngadalë, Ana nuk po mundej ta përballonte, nuk donte ta shikonte shpirtin e saj ashtu. Po pa të ishte asgjë, ndoshta ca lot tani do i bënin mirë, ndoshta ajo ndjenjë gulçuese ne fyt do e ndihmonte të shpërthente si qenie e gjallë, duke bërtitur,a duke rënkuar, nuk donte të ishte kështu. Ishte një shkëmb që nuk ndjente as prekjen e valëve, as rezet e diellit, ishte poroze dhe mund të shkërmohej në çdo moment të kthehej në pluhur, era do ta merrte me vete do e shpërndante sikur të mos kishte jetuar kurrë… është e tmerrshme të ndihesh kështu. Çuditej me veten, nuk kam asnjë ndjenjë inati, urrejtje. Ishte sikur nuk kishte pasur jetë, nuk mund të risillte në mendje asgjë me të, asnjë ndjesi, mall… Si ishte shkëputur kështu befas jeta e saj?! Kishte ecur shumë, dielli po perëndonte, shikonte hijen e saj qe zgjatej. U kthye donte të ishte thjesht njeri, t’i ndjente të gjitha! Donte të ishte pranë tij. Donte të ishte e lidhur me zgjedhjen e saj. Hyri në shtëpi, e gjeti të ulur në kolltuk, dritën nuk e kishte ndezur, qëndronte në atë muzg i heshtur. Nuk mund t’i shikonte qartë tiparet, por frymëmarrja ishte e ngadaltë, e një njeriu të lëshuar. U afrua dhe ndjeu parfumin e tij, një rrymë e përshkoj të gjithën, e preku lehte në dorë, ishte e ftohtë, nga mos lëvizja, dukej se kishte gjatë ashtu. E mori dhe e vendosi në faqen e saj, pastaj e puthi, i mbajti buzët aty të ngjeshura në pëllëmbën e tij dhe priti… Dora u drodh pak pastaj një ndjesi u shkëput prej saj si një valë … ajo valë u rrit dhe dora filloi te lagështohej . Ngriti kokën dhe dëgjoj një pëshpërimë, po të prisja … mos ik më … Lotët filluan t’i rridhnin, po ndjente… jetën!