Suplementi Pena Shqiptare/ Ergys Alushi: Ai dinte të të qetësonte. Kishte me vete ilaçin më të mirë në botë, humorin

742
Sigal

Ergys Alushi rrëfen takimet e fundit me Muhamet Likon, vetëm 4 ditë para vdekjes

Kur i tregova për shfaqjen e Estradës të të Rinjve dhe idenë time që ai të ngjitej në skenë bashkë me kolegët e tij për t’i përshëndetur aktorët e rinj të humorit, u tregua menjëherë i gatshëm.
“Jam për në Itali për një kontroll rutinë të zemrës– më tha – por, për ty e shtyj shkuarjen për një ditë, se të kam të mirë dhe dua që të kesh sukses. Atë sukses që pate dhe me librin e Vasil Rucit”. Vetëm disa ditë më parë, bashkë me Afrimin dhe Agronin, ai ishte ndër të ftuarit specialë në promovimin e librit. Bashkë të tre kënduan dhe një parodi të vjetër, që ia kishin kënduar Vasilit në vitin 1984. Foli dhe aty me batutat e tij. “O Ergys e paç hallall, ia bëre librin Vasilit sa ishte gjallë”. Ndërsa mua më kishin përfshirë emocionet e mbarëvajtjes së ceremonisë së promovimit, Meti m’u afrua me një pjatë me meze në dorë dhe më tha “Hajde te vëllai, se unë ta di hallin që ke në këto momente, merre një gotë dhe shuaji pak emocionet dhe stresin”. E ashtu, larg vëmendjes e zhurmës së të ftuarve, i kthyem nga dy gota. Ai dinte të të qetësonte. Kishte me vete ilaçin më të mirë në botë, humorin.
Të gjitha këto i kujtuam ditën që i tregova për shfaqjen dhe përgatitjet.
Meti erdhi dhe në provat gjenerale një ditë para shfaqjes. Kishte qenë dhe një ditë më parë në prova. I pëlqeu. Më uroi. Bëri dhe vërejtje. Me kujdes dhe buzën në gaz, për të mos “fyer” asnjë nga ne.
Në shfaqje erdhi bashkë me zonjën e tij dhe vajzën, Alkidën, që nuk i është ndarë skenës e babait që fare e vogël.
Kur u ngjit në skenë, kush e kishte menduar se ajo do të ishte ngjitja e fundit. I takoi aktorët e rinj dhe qëndroi në krah të “pasardhësit”, të riut Blero Çipi. Kur i erdhi radha për të folur sipas skenarit, foli ashtu si fliste vetëm ai, thjesht e me buzën në gaz. Salla qeshte me të. E adhuronte. Uroi dhe dha këshilla. E fundit fare ishte këshilla që grupi i aktorëve të rinj të mos përçahej, ashtu si ndodh rëndom me grupet në art.
Ajo natë ishte e paharruar për të gjithë ne. Edhe për Metin. “Do të vijë një ditë që do ta lë stafetën për t’u larguar gradualisht nga skena– më tha teksa po i thoshim njëri tjetrit natën e mirë – por, kur kjo fillon me një shfaqje të përgatitur nga ty, ndihem shumë herë më mirë, sepse te ty kam besim dhe të njoh mirë”. Këto fjalë më mbetën në mendje për ditët pas asaj nate, pa e menduar kurrë se pas lajmit për vdekjen tënde, do të ktheheshin në fjalët e tua amanet.
Pas shfaqjes dhe kthimit nga Italia, e kishim caktuar që do të uleshim për hollësirat e fundit të detajeve nga jeta e tij, që do të publikohen në librin që prej një dy vjetësh kam nisur për jetën e 4 parodistëve të Vlorës. Libri është nga fundi ndaj dhe me Metin e parodistët e tjerë ishim duke folur dhe për ceremoninë e promovimit, të cilën e kam menduar për ta bërë në teatër, në skenën e tyre të dashur. Bashkë me librin, ata të katër të realizonin dhe një koncert modest recital me numrat e tyre më të mirë ndër vite.
Por, Meti nuk do të jetë me ne fizikisht. Iku nga kjo jetë në mënyrën më të pamerituar. Zemra ia punoi pabesisht edhe pse vitet e fundit nuk i kishte të mira marrëdhëniet me të. E la pikërisht zemra. Ajo zemra e madhe që atë e karakterizonte. Zemra e mirë. Zemra plot humor e dhemburi. Zemra që rrahu deri në fund për artin e qytetit dhe gëzimin e qytetarëve të Vlorës.
Artin që e deshe qysh i vogël, tek u ngjite për herë të parë në skenë fare fëmijë me një çifteli, për të kënduar këngën tënde të parë. Në fëmijërinë ku ndodhte shpesh që kur babai yt i binte violinës kërkonte dhe ndihmën e Metit të vogël, të cilit ia fiksonte gishtat e njërës dorë mbi tela dhe dorën tjetër i kërkonte të mbante ritmin. Krijohej një duet me violinë e çifteli, mbrëmje që Metit i pëlqenin shumë dhe i nxisnin ëndrrat me skena të mëdha e me shumë spektatorë përpara. Dhe ëndrra do t’i realizohej shumë shpejt.
Në vitin 1969 shkoi të punonte në Uzinën e Poliçanit si marangoz. Në zdrukthuari kishte shefin e repartit, Kristo Dralo, i cili shkruante material humoristike për Metin kur bëhej festivali i estradave të repartit të uzinës. Atje punoi dy vjet dhe në vitin 1971 kthehet në Vlorë me punën në përpunim druri, aty Meti shquhej jo vetëm si punëtor i dalluar por edhe si parodist në festivalet e estradave të qendrave të punës. Më vonë Meti filloi si amator në estradën profesioniste dhe në vitin 1978 këtë imitim e interpretoi në njërën nga premierat e estradës profesioniste me titull “Me syrin tonë” me regji të Luftar Veshit, libreti Flamur Laro dhe Gafur Shameti. Parodia e parë në estradën profesioniste ishte “I gjori Demo, Zavalli Demo” me interpretim të Afrim Agalliut, ku Meti imitonte me gojë një kaba me violinë nën drejtimin e orkestrës dhe shoqëronte Afrimin. Pas kësaj ai do të bashkohej në katërshen e famshme që bëri histori në artin e Vlorës dhe atë Shqiptar, duke mbetur në histori me emrin “4 parodistët e Vlorës”

Ndahet nga jeta humoristi i famshëm vlonjat/ Presidenti: Iku një artist i madh!

 

Ditën e sotme u nda papritur nga jeta në moshën 64-vjeçare aktori i njohur, pjesë e parodistëve të Vlorës, Muhamet Liko.

Ngjarja e rëndë që shokoi mbarë vendin ka sjellë edhe reagimin e presidentit të Republikës Ilir Meta.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i shtetit shpreh dhimbjen për këtë humbje të madhe.

Postimi i presidentit Meta:

“Me hidhërim mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej parodistëve më të dashur të Vlorës, Muhamet Liko.

Ashtu si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e Tij të panumërt, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë.

Mjeshtri i Madh i skenës, Muhamet Liko do të mbahet mend përherë për paroditë, skeçet, humorin karakteristik e rolet gazmore, nëpërmjet të cilave jo vetëm falte momente të pashlyera argëtimi, por njëkohësisht stigmatizonte me plot mençuri plagët sociale të shoqërisë shqiptare.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes dhe fëmijëve, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve të Tij.

I paharruar do të mbetesh parodisti ynë i dashur!

Agim Çiraku

Botues i “Telegraf” dhe ZV/Kryetar i Shoqatës “Labëria”

Ndarja para kohe nga jeta e parodistit të shquar të Vlorës, Muhamet Liko, përbën një humbje të madhe për artin dhe kulturën kombëtare. Si mik i Muhametit por edhe si vlonjat i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. I paharruar qoftë kujtimi i mikut tonë të dashur!

Bujar Leskaj

Kryetar i KLSH

-Ish-Deputet i Kuvendit të Shqipërisë për Vlorën

Lajmi për ndarjen nga jeta i ikonës së kulturës vlonjate ishte tepër pikëllues. Miqësia e hershme por edhe projektet që kishim planifikuar për ditët në vijim më kanë lënë pa fjalë dhe më krijuan trishtim të madh. Ngushëllime familjes! Lamtumirë miku imë i shenjtë.