Suplementi Pena Shqiptare/ Ergys Alushi: “Tigri i fushave të Blerta”

830
“Tigri i fushave të blerta” – kujtesa historike që apelon për vëmendje!
Kurrë më parë, në Pallatin e Kulturës në Vlorë, nuk ishin parë aq shumë njerëz. 
Në fakt ngjasonte më shumë me një Pallat Sporti ku ishte duke u zhvilluar ndonjë ndeshje. Brohoritjet në sallën e aktiviteteve në katin e dytë, dëgjoheshin deri larg në rrugën kryesore të Skelës. Brohoritej për Koto Zilen. Brohoritej “Tigri – tigri!”. Brohoritej për ish futbollistin e Flamurtarit”, “Partizanit” e “Luftëtarit”, për djalin e Skelës, ndaj dhe thirrjet për të aty, në Skelë, merrnin më shumë kuptim dhe fuqi. Por, ata që kishin mbushur sallën, por edhe jashtë saj, sepse ajo nuk i nxinte të gjithë, nuk ishin më djem të rinj si në vitet kur luante Kotua, idhulli i tyre, por ishin burra të mbushur me thinja e me nostalgji, Promovohej libri “Tigri i fushave të blerta” Monografi e shkruar nga gazetari i vjetër vlonjate, Theodhori Proko për ish-futbollistin, mjeshtrin e sportit, Shemsi (Koto) Zilja. Të shumtë ishin të ftuar. Dukej më shumë si një takim i skelarëve. Zona e Skelës, qytet brenda qytetit të Vlorës, që i ka dhënë shumë sportit vlonjat, por edhe atij kombëtar. Edhe pse ditë e diel dhe një ditë e bukur me diell, salla ishte e mbushur plot. Shumë njerëz qëndronin edhe jashtë, duke e ndjekur takimin nga altoparlantët. Të shumta ishin emocionet. Përqafimet, urimet, kujtimet, brohoritjet, fotografitë, autografet. Dikush tha: “Me kaq shumë njerëz, më mirë të ishim mbledhur në stadium!”. Në atë stadium, ku Koto Zilja kishte shënuar shumë gola, kishte gëzuar me qindra e mijëra njerëz, kishte dhuruar emocione të mëdha. Pikërisht nga ai stadium kishte dalë për të shkuar deri në shtëpi, i mbajtur në krah nga grupet e adhuruesve të futbollit e golave të tij, që e kishin dashur aq shumë brenda dhe jashtë fushës.

Folësit nisën të flisnin njëri pas tjetrit. I pari ngjitet Bardhosh Gaçe që, edhe pse duket se nuk ka lidhje me sportin, ka bërë parathënien e librit “Tigri i fushave të blerta”.

“Koto Zile dhe autori i librit Theodhori Proko. Të dy të veçantë, dhe të dy individualitete interesante në jetën kulturore e sportive shqiptare. Duke lexuar librin monografik të Theodhori Prokos, rrjedh jo vetëm jeta sportive e Koto Ziles, por e tërë bashkëkohësve të tij” – do ta niste fjalën e tij zoti Gaçe, duke theksuar në vazhdim, mungesën e madhe që ka qyteti i Vlorës në nderimin e të gjithë sportistëve, shkrimtarëve, artistëve e intelektualëve të tjerë të shquar, me vendosje pllakatesh e skalitje bustesh me emrin e tyre, ashtu si ndodh në vendet e Evropës së qytetëruar. Bejkush Birçe, do të ishte një nga të ftuarit e shumtë që do të përshëndeste veprimtarinë në nderim të ish futbollistit të tij. “Përfitoj nga rasti që me Koton e me pjesën tjetër të futbollistëve të Vlorës, kam luajtur me ta, me Vlorën dhe pastaj si drejtues, ndaj mund të them vetëm kaq: Koto është një futbollist që ka luajtur për një kohë të gjatë me ekipin e “Flamurtarit’, një djalë i cili ka dhënë gjithçka për futbollin dhe rezultatet e tij e të shokëve të tij e kanë renditur Vlorën në skuadrat më të mirënjohura të Shqipërisë. E mira do të ishte që në Vlorë, përveç Kotos, duke përfshirë edhe ish futbollistë të tjerë, atyre që unë kam stërvitur e i njoh mirë, të mos e lënë futbollin vlonjat që të shterojë në këtë lloj niveli ku luan sot ekipi vlonjat dhe nuk ka një vlonjat në formacion. Detyra të tjera nuk besoj se mund t’i japim Kotos, Mexhit Haxhiut, Edmond Liçajt, Vasil Rucit e të tjerëve, pasi detyra kryesorë është se çfarë mund të bëjnë për të ardhmen e “vlonjatëve te “Flamurtari”. Fatmirësisht në Vlorë ka mundësi të jashtëzakonshme për të kultivuar futbollin në veçanti, për të mos folur për harresën që ju është bërë sporteve të tjera”. Ish trajneri i “Flamurtarit”, Birçe, ka përfituar nga rasti për t’ju drejtuar institucioneve në Vlorë, që të kujtohen në përvjetor të ndryshëm të jetës e aktivitetit të sportistëve të Vlorë, që t’i nderojnë me tituj për kontributin e dhënë, sepse ata kanë nderuar emrin e Vlorës dhe i kanë dhuruar kënaqësi e lot gëzimi qytetarëve të saj. Duartrokitjet ishin të shumta e të gjata. Njerëzit e mbledhur në sallë, ishin qytetarë të vjetër të Vlorës, ndaj edhe kishin ndjeshmëri të lartë për historinë sportive të qytetit, të sportistëve, gati në të gjitha sportet, duke konkurruar denjësisht në kampionate kombëtare përballë ekipeve e sportistëve të favorizuar të Tiranës. Ata kërkonin më shumë vëmendje, mirënjohje e respekt nga pushteti për historinë e artë të kampionëve të Vlorës.

“Një shoqëri e civilizuar dallohet veç të tjerave nga mënyra se si i respekton dhe i vlerëson bijtë e saj të shquar – Kështu do ta niste fjalën e vet një nga shokët e rinisë së Kotos, Vilson Haxhiraj, për të vazhduar – Kotua është një nga këta bijtë e shquar të Vlorës. Ne kemi folur për shkollën vlonjate të pikturës, por unë do të thosha se ka një shkollë vlonjate të futbollit, një nga përfaqësuesit e së cilës është edhe Kotua. Një shkollë shumë e pasur, me Mexhitin, me Koton, brezi i lavdishëm i viteve 80-90 që e ngriti cilësisht futbollin shqiptar dhe që meritojnë të nderohen e të respektohen. Është një mëkat i madh, vetëm një shoqëri e pacivilizuar nuk i respekton këta njerëz, ndaj dhe me të drejtë ky shqetësim u ngrit me forcë në këtë sallë edhe pse jemi mbledhur në një promovim libri. Ndaj ka ardhur koha që deputetëve tanë, përfaqësuesve në këshillin e bashkisë, kur të vijnë për të na kërkuar votën, t’u vendosim kushte. Ka ardhur koha që objekteve sportive në qytet t’u vendosen emra sportistësh të shquar, që institucioneve të kulturës t’u vendosen emrat e personaliteteve të shquar”

Mes duartrokitjeve dhe respektin për një emër tjetër të njohur të futbollit vlonjat, është ngritur për të thënë dy fjalë për Koto Zilen edhe “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Mexhit Haxhiu.

“Një nga njerëzit që ka lënë gjurmë në futbollin vlonjat dhe shqiptar është edhe Kotua. Do të ishin rrënjët e tokës vlonjate ato që i dhanë Kotos talentin, zjarrin dhe frymëzimin, kënaqësinë e suksesin, dashurinë e njerëzve dhe gjithçka që ai të formohej si futbollist e si njeri – do ta niste Mexhit Haxhiu, fjalën e tij – Nga këtu nisi rruga krijuese e tij që do ta çonte Koton të pinte nektarin e futbollit vlonjat e atij shqiptar. Kontributi i Kotos në të mirë të futbollit vlonjat dhe atij kombëtar përbën një amalgam vlerash, si futbollist i shquar i “Flamurtarit”, “Partizanit”, “Luftëtarit”, anëtar i ekipit kombëtar “Shpresa” kundër turqve, gjermanëve, rumunëve, bullgarëve, futbollist kampion me “Partizanin” si dhe zëvendëstrajner bashkë me Edmond Liçaj, kanë hipotekuar titullin e parë e të vetëm, kampion kombëtar për sezonin 1990-1991 dhe fitues i Siperkupës në vitin 1991. Në sintezë të vlerave të tij, Kotua ka qenë një golashënues race, i fortë fizikisht, i shpejtë, shpërthyes dhe me cilësi karakteriale të veçanta, futbollist elitar, me shpirt të lartë gare e me mentalitet fituesi. Ai shquhej për një teknikë racionale, një kontroll cilësor të topit, i suksesshëm në lojën një kundër një, i frikshëm për portierët me të majtën e tij të fortë. Sapo ndiente temperaturën e zonës së nxehtë, Koto do t’i kthente inkursionet vertikale në një kërcënim serioz për portën kundërshtare” Me thirrjet e dhjetëra njerëzve që ishin në sallë “Tigri-tigri”, të cilat kanë krijuar emocione te të gjithë, por sidomos tel ai për të cilin vlonjatët e brezit të tij i kishin ngjitur këtë nofkë, e ka marrë fjalë Koto Zilja. Me zërin që I dridhej nga emocionet, ai ka falënderuar e përshëndetur të gjithë njerëzit në sallë, por edhe jashtë saj. Është ndjerë I kënaqur me librin, si një vlerësim për kontributin e tij 16 vjeçar në fushën e futbollit, por më pas edhe si trajner. Ka dashur t’I përmend të gjithë me emra ata që e kanë ndihmuar të bëhej një futbollist I mirë e me emër, duke filluar që nga trajnerët e parë Skënder Brahimi, Petrit Arapi, Musa Ferko, Bejkush Birçe e të gjithë brezat e futbollistëve të kohës së tij por edhe para tij, për të cilët sot, nuk kujtohet askush. “Libri – tha ndër të tjera Kotua – nuk është vetëm për mua, por për të gjithë brezin ku unë luajta, pasi në libër është e shkruar e gjithë jeta jonë futbollistike, një jetë e kushtuar për futbollin” Takimi në sallën e Pallatit të Kulturës, do të mbahet mend gjatë, jo vetëm nga Kotua, familjarët, autori i librit, shokë e miq të tij, por edhe më gjerë sesa kaq. Rrallë ndodh që një promovim libri të japi mesazhe aq qytetare e në shërbim të memories historike të qytetit të Vlorës, ku sporti zë padyshim një vend të rëndësishëm. Rrallë ndodh që një promovim libri të kthehet gati në një “protestë”aq civile, në shërbim të vlerësimit të figurave sportive, të harruara padrejtësisht nga ata që kanë për detyrë t’i vlerësojnë ato. Në qytet ka nostalgji e mall për kohët e arta të sportistëve vlonjatë, që mbeten të paharruar nga populli, tani radhën e kanë institucionet.

Kronikë sportive nga Koto Zilja.
1969 – 11 maj – Vlorë 

“…një nga golat më të bukur…në stadiumin e Vlorës” 
Ishte një e diel e bukur maji. Në Vlorë luhej “Flamurtari”-“Lokomotiva” e Durrësit. Ndeshja ishte e bukur, me ritëm, sulmuese dhe tërheqëse për spektatorët. Në kronikën sportive të ndeshjes, gazetari Harilla Panajoti shkruante ndër të tjera: “Rreth minutave 16-të e 17-të vija e parë e “Flamurtarit” organizoi disa zbritje shumë të shpejta me autor Zilen, Haxhiun, Saraçin e Troqen. Këto zbritje e çorientuan deri diku skuadrën mike, e cila u hodh në një mbrojtje të ngjeshur…” Vendasit humbasin shumë raste të pastra shënimi. Në minutën e 37-të vlonjatët kalojnë në avantazh me anë të Koto Ziles, i cili e goditi topin fort. “Spektatorët thanë se ky ishte një nga golat më të bukur që janë parë deri tani në stadiumin e Vlorës” Kështu do ta përfundonte kronikën sportive në gazetës “Sporti Popullor” të datës 13 maj 1969 gazetari H. Panajoti. “Flamurtari” e fitoi ndeshjen me rezultatin 1 me 0. 

1969 – 2 nëntor – Vlorë 
“Flamurtari” – “Partizani” 2-4 
“Brenda 4 minutave – në dy minutat e para dhe në ato të fundit të pjesës së parë – u shënuan 4 gola në stadiumin “Flamurtari…’.(Gazeta “Sporti Popullor” data 4 nëntor 1969, H. Panajoti) 

Në minutën e parë shënon për “Partizanin” vlonjati Koto Zile. “Topi u vendos në qendër, u godit nga vlonjatët dhe kalon nga krahu i djathtë, prej ku u krosua. Haxhiu e shfrytëzoi atë dhe barazoi…” Pjesa e parë përfundon 3 me 1 për “Partizanin” që shënoi dy herë në minutat 43-të dhe 44-të, me Jankun dhe Bizin. Në pjesën e dytë “Flamurtari” shton sulmet. Godet edhe shtyllën me Saraçin. Në minutën e 70-të ngushton diferencën e golave Zeka me një gjuajtje nga 25 metra. Në minutën e 82-të “Flamurtari” humbet një 11-metërsh që pritet nga portieri. Vlonjatët humbasin mundësinë për të barazuar rezultatin. Atë që nuk e bën vendasit e realizojnë miqtë që shënojnë në minutën e 85-të me anë të Ballukut.
Sigal