Suplementi Pena Shqiptare/ Enver Cakaj: Ah ta kisha nënën!…

846
Sigal

Enver Cakaj

Ah ta kisha nënën!…

Po ta kisha nënën,
Do flija me të.
Se pa ty, moj nënë,
Gjumi nuk më zë!

Pse nuk m’i le lotët,
Të freskoja sytë,
Pse ma more kujën,
Që qaje çdo ditë?!

Ngashërimet tënde,
T’i kisha me vete,
As unë, as ti,
Nuk do kishim derte.

Pse e mira nënë,
Ti që jetën fale,
Nuk më fale dot,
Dhimbjen më të madhe?

Edhe dhimbja e nënës,
Mua më qetëson.
Se është pjesë e saja,
Mua më shëron.

Ku t’i gjej, moj nënë,
Ata lot e derte,
Se ti nënë e dashur,
I more me vete?

Me derte u rrite,
Me ato jetove.
I more me vete,
Dhe varrin helmove!

Do të vij,moj nënë,
Varrin ta zbuloj.
E të flemë bashkë,
Mbase të qetësoj.

Lot nuk na mbetën,
I lamë nëpër varre.
Kemi humbur vrapin,
S’ecim si sorkadhe!

Ah, ta kisha nënën
Eh, ta kisha dot!
S’isha gjysmëhënë,
isha hënë e plotë!