Suplementi Pena Shqiptare/ Enrieta Sina: Sa do desha….

588
Sigal

A nuk është çasti që sjell ndryshimin?
Përballë teje do desha të trokiste
Por askund s’u shfaqe dhe pse fole
Për shumë kohë fjalë dashurie

Mbi një shtromë agimi do të ulem
Kushedi, një rreze tek unë do të sjell
Të shoh sytë që ngjyrën nuk ua di
Të prek buzët dhe nektar të mbjell

Eci rrugëve orë dhe pa orë
Zërat që vargojnë ndër to nuk i dua
Kur përballë ty nuk të shoh
Ç’faj të kam, pse hesht, a s’më thua?!

Nëse dot nuk ecën do të ngre
Përkrah meje forcë do të jap
Nëse sy nuk ke dhe nuk më sheh
Diellit do t’i lutem për ty prap

Ti ke zemër që fort të troket
Ndryshe si do përcillje kaq zjarr
Dhuron flakën që më rrëmben
E qëndron sërishmi shumë larg

Sa do desha të ishim diku
Nuk e di, kudo ku ti jeton
Do të ishte veç një mrekulli
Që vetë jeta një herë ta dhuron

Një ditë vjeshte u shfaqe vegim
Më shikoje nga një tjetër rrugë
Kërkova të vija tek ty pranë
Ky vegim pas pak s’u pa kund

Mos nguro të flasësh, ti jeton
Jeta për secilin ka një fund
Është mëkat kur arom’ s’i shijon
Si një lule petalet ia shkund

Më thuaj ku qëndron, ta di
Mbi retë lart në qiell dhe diellon
Apo nëpër ëndërr je si mbret
Ndodh nga larg ndjenjën më sundon?

Nëse dallgëve je dhe zbret në breg
Kur kërkon të shikosh njerëzinë
Më thuaj a është e vërtetë
Se vet deti ta tret dashurinë?!

Sa do desha të ishim diku
Nuk e di, kudo ku ti jeton
Do të ishte veç një mrekulli
Që vetë jeta një herë ta dhuron….