Suplementi Pena Shqiptare/ Enrieta Sina: Retë mbi fjalë

484
Sigal

Ti duhet te ishe këtu tani, si melodia e këngës,
Të uleshe mbi të dhe mbi buzët e mia.
Iu largove gjetheve që na mbanin shikimet.
Frymës që përshkonte atë ajër të ngrohtë.
Për të qenë diku larg, ndryshe nën re,
Lodhur nga pesha e reve mbi fjalë.
Mbete strukur pa pritje,
Pa adresë,
Pa vetëdije,
E shpresë.

Ti duhet të ishe këtu tani, të më fshije lotin,
Të dridheshe nën emocionet e trupit tim,
Të uleshe mbi puthjen që do na bashkonte.
Pa asnjë pendim

Retë mbi fjalë apo fjalët që nxinë retë,
Të sollën natën e gjatë në shpirt?!
Deri këtu tek unë ajo kalon kohën,
Do desha të marr një gërshërë,
Për të prerë fijet e djallit të marrosur.
Ti të vije këtu tani, të ishim bashkë
Mbi heshtjen e murosur.

Ndofta… ndofta… ndihesh më mirë larguar!
Retë mbi fjalë paskan peshuar kaq shumë,
Sa të kthesh tek vetja një ëndërr të harruar,
Dhe të mohosh fjalët: “Të dua shumë!”

Po shkund pemën e vjeshtës në pyll,
Poshtë këmbëve të mia gjethet kërcasin lehtë,
Sa pak fjalë thamë, sa shumë aty lamë!
Të vetmuar ndjenjën përjetë…