Suplementi Pena Shqiptare/ Elona Agolli: Një faqe nga ditari i Sadie Agollit

1792
Sigal

35 vjet më parë, muaji mars; 15 mars. Një faqe ditari e shkruar nga mami, 40-vjeçare atëherë. Të dy në Vlorë. Në fakt jo për pushime e për t’u çlodhur nga mpirja e jetës së sforcuar e plot angari. Dëshmon shumëçka kjo faqe ditari…

“Vlorë 15 mars 1984

Erdhëm me Dritëroin. Ai do të punojë për raportin e Kongresit të tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. 11 vjet punë në Lidhje kanë lënë gjurmët e veta në jetën dhe shëndetin e Dritëroit. Është i lodhur fizikisht dhe mendërisht. Në ditët dhe netët që shkruante poezi, sytë i shkëlqenin, ndërsa tani sytë i janë hapur, supet i ka si të ngrira. 
Shpesh herë, duke punuar, shtrëngon tëmthat. Ai nuk do të pranojë se është i lodhur, por unë e kuptoj nga çdo lëvizje që bën, nga çdo fije floku që i dridhet, nga fleta e letrës që mban në dorë.
Të shtrirë në krevat i thashë: 
– Dritëro, sa të mbarosh Kongresin, do të pushosh një dyjavësh? Vetëm të lexosh, çfarë të lexohet. Të shëtitësh. Të shkruash poezi, në qoftë se të shkruhet. Të pushosh plotësisht.
-Po, do të pushoj. 
-Edhe fjalët i thua me kursim. Kaq i ri, të jesh kaq i lodhur! Ke bërë një jetë shumë intensive.
Qëndruam gjithë ditën në dhomë. Ai redaktonte raportin, ndërsa unë lexova katër kumtesa të aktorëve të trupës së teatrit të Vlorës. Nga këto katër, vetëm një është për botim.
Mua më dhembin kockat. Sikur ka hyrë një krimb dhe m’i gërryen ca nga ca. Kjo gjendje më bën shpesh pesimiste. Është gjynah që edhe mjekët tanë më të mirë nuk kanë logjikën e mprehtë të një gazetari të mirë. “Është gjendja klimaterike, prandaj duhet të durosh Sadije. Pi valium, kalcium, vitaminë C!”
Duron gruaja shqiptare, duron shumë.”