Suplementi Pena Shqiptare/ Duro Mustafai: Kur Petro Marko takohej me letrarët e rinj të Vlorës…

771
Sigal

Në ato vite ata ishin vetëm 16 shkrimtarë e poetë të rinj, tani numri i tyre i kalon të 6O-, ndërsa numri i librave që kanë botuar janë tashme disa qindra

 

 Nga Duro Mustafai

 

 Klubi i Shkrimtarëve “Petro Marko” dhe Bashkia e qytetit na kish ftuar të ishim pjesëmartrës në “Ditët e poezisë vlonjate”. Ishte e para herë, që në qytetin tim të lindjes, tani pas 5O vjetësh, të gjendesha në një aktivitet të tillë mbresëlënës. Poetët recitonin krijimet e tyre poetike, që përcilleshin me duatrokitje dhe të tjerët dëgjonin në heshtje. Po një ngacmim i brendshëm nuk më la pa hedhur vështrimin në të kaluarën. Në gjysmën e dytë të viteve ’60 (të shekullit që shkoi), Vlora kishte një “Rreth letrar”me nja 15-16 veta. Dhe. po të flasim me gjuhën e kohës së largët të Pushkinit, do të thoshim se në këtë “Llambë të blertë frymëzuese e rrezatuese”, të vlerave shpirtërore, të parët poetë, disi më të rritur nga të tjerët, që kryesish qënë të rinj, do të ishin Ferat Çakërri, Minush Jero, Irfan Bregu, Miljano Stefa, Maro Pasho, Stefan Pina… Dhe, pati edhe të tjerë, djem të rinj, lindur në rrethe të ndryshme të vendit, që kishin ardhur në qytetin bregdetar me detyrën e oficerit, si Trifon Xhagjika, Bashkim Kozeli, Hamza Koçiu e Fadil Zeqiri… Të gjithë këta poetë e shkrimtarë të rinj, ishin të parët krijues që përbënin atë që quhej “Rrethi letrar i Vlorës”. Në vitet që do të vinin, numri i letrarëve do të rritej edhe me krijues të shquar, që vinin nga Tirana si “të qarkulluar”, që duhet “të njihnin jetën”, për shkak edhe të ndikimeve të huaja tek ta, si Fatos Arapi e Kudret Velça.

 

 “ LE T’U FRYMËZOJË VLORA JONË E BUKUR!’’

 

Më kujtohet se në mbledhjen e parë të rrethit letrar, si ta themi, në inagurimin e tij, do të vinin nga Tirana Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Dhimitër Shuteriqi, si dhe shkrimtarët vlonjatë Shevqet Musaraj e Petro Marko. Ishte një mbledhje e shkurtër, po e paharruar për ato mesazhet që dhanë ata që qëndronin në krye të kupolës së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe ndër më të njohurit e kohës… Shuteriqi tha se, rruga e letërsisë është e vështirë. Këtë rrugë e nisin batalionet e letrarëve të rinj që përfundojnë në skuadra. Po të talentuarit dhe të apasinuarit, nuk dekurajohen”. Ndërsa Petro Marko, si për të ndezur dëshirën e zjarrtë për të krijuar dhe frymëzimin djaloshar për të ecur përpara, do të shtonte. “Le të keni në shpirt e zemër Vlorën tonë të bukur. Vlora, me traditat e saj, me gjelbërimin e kodrave, me detin dhe qiellin e kaltër, do të jenë mielli i bukës së shëndetshme me të cilin do gatuani veprat tuaja të dobishme. “Unë kam besim të bijtë e Vlorës. “Ndërsa Sh. Musaraj, që pak kohë më parë kish shoqëruar në vëndlindjen e tij, në Smokthinë, Tvardovskin, poetin e shquar sovjetik që vizitonte Shqipërinë, na tha se Tvardovski kish thënë që “Ju, shkeimtarët shqiptarë, jetoni në ar, mjafton të zgjatni dorën e të kapni arin që ka vendi juaj!”: Ai, një ndër më të famshmit poetë të ish-Bashkimit Sovjetik, ishte mahnitur, sidomos nga tregimet e pleqve të Labërisë, për luftërat dhe vendin e tyre… Ishte takim i parë në atë rrethin letrar të Vlorës me këta figura të adhuruara nga lexuesit dhe fjalët e tyre na ngjallnin emocione ne të rinjve, që kishim filluar të ecnim në rrugën e bukur, por të vështirë të letërsisë.

Kohët e fundit u organizua në Himarë promovimi i librit “Rebeli”, kushtuar shkrimtarit të madh Petro Marko, shkruar nga shkrimtari vlonjat Eqerem Canaj

Petro Marko ishte një figurë e dashur dhe e adhuruar edhe nga letrarët e Vlorës. Ai e donte Vlorën dhe Vlora e donte atë. Këtë e dëshmonte pritja e ngrohtë për të dhe respektimi i fjalës së tij. Po figura e tij me emrin e tij të shquar është pasqyruar në libra e në artikujt e shumtë të intelektualëve vlonjatë. Emri i tij është skalitur në ballinën e teatrit të Vlorës dhe të Klubit të shkrimtarëve vlonjatë, që mbajnë emrin e tij: “Petro Marko”.

Kur Petro Marko takohej me letrarët e rinj të Vlorës, Vlora kishte pak më shumë se një duzhinë shkrimtarësh e poetësh, po tani sa ka? Është e vështirë t’i numërosh. Vetëm në “Ditën e Poezisë Vlonjate” recituan vargje të poezive të tyre, më tepër se 2O krijues. Po të tjerët që ndonëse nuk gjendeshin aty përbëjnë një numër të madh krijuesish, që kanë shkruar libra të tërë me poezi e prozë e janë bërë të njohur në gjithë vendin, madje edhe jashtë Shqipërisë, me librat e tyre të përkthyer, si Vilhelme Vranari, Myrteza Mara, Silvana Berki, Dalan Luzaj, Arqile Gjata, Vasil Qezari, Robert Martiko, Kozeta Zylo etj., që në qëndër të veprave të tyre kanë edhe Vlorën e Shqipërinë. Se “Vlora me historinë e saj e ka frymëzuar Shqipërinë”…

Poetët e shkrimtarët lindin e rriten ngadalë, megjithatë gjatë 35 viteve të fundit numri i tyre në Vlorë u katërfishua, sot numri i tyre ka arritur në më tepër se 60 vetë. Pas Kryetarit të parë të Shoqatës “Petro Marko”, Qerim Skëndajt, në vitet që do të vinin drejtimin e kanë Myrteza Mara, një nga poetët e shquar vlonjatë, autorë i disa librave poetikë me vlerë që dallohet për ëmbëlsinë e tij në komunikim dhe përpjekjet në nxitjet e anëtarëve të Klubit për krijuesit. Një kontribut të vlefshëm ka dhënë për Klubin, sekretari i tij, i palodhuri, Gëzim Llojdia që dallohet si shkrimtar, studjues e publicist. Shoqata, (sot Klubi) i shkrimtarëve “Petro Marko” të qytetit të Vlorës është themeluar, më 19 Qershor 1998, nga një grup nismëtarësh, poetë, shkrimtarë dhe intelektualë të pasionuar si Ferhat Çakërri, Qerim Skënderaj, Myrteza Mara, Gëzim Llojdia, Dr. Zeko Braho e Bardhosh Gaçe, Idajet Jahaj, Seit Seitaj, Anastas Bita, Xhemil Lato etj., të cilët hodhën themelet e para të kësaj shoqate, që u shndrrua në Klubi i Shkrimtarëve “Petro Marko”. Kur u themelua ky Klub, me punën e palodhur të krijuesve të shquar e apasionuar si Myrteza Mara e Gëzim Llojdia, pjesëtarë active ishin Luan Toto, Albert Verria, Lefter Çipa, Dalan Luzaj, Eduard Frakulla, Andrea Petromilo, Evriviadhi Goro, Vasil Qezari dhe vajzat Vilhelme Vranari, Maro Pasho, Laureta Petoshati, Anila Toto, Alma Feruni, Natasha Limaj etj., që kanë shkruar shumë libra me vlerë.

Ndoshta, Petro Markos, 50 vite më parë, nuk do t’i shkonte kurrë ndërmënd se do të vinte një ditë që Vlora e tij do kishte edhe një shoqatë, me emrin e tij; “Klubi i Shkrimtarëve Petro Marko” dhe një ‘Batalion’ shkrimtarësh e poetësh që do të ndiqnin rrugën e tij.

Projekte të reja me vepra më të denja presim nga shkrimtarët e poetët e palodhur të Vlorës sonë edhe tani në 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut.

Apologjia Ime

Petro Marko

 

Marrëzi, turp turp dhe

mëkatë
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
me merr për të dënuar
dhe, me një zë që vret,
ngahera më pyet:
-Ku linde, o i ri?
-O jetë, linda në shkreti!
-Ku rron dhe ku vete,
në ç’dhera e në ç’dete?!
-Çudi! Ç’kërkon prej meje ti
dhe si, o jetë, pyet,
kurse në varfëri
më hodhe kur më gjete
të lindur nga skelete
pë dritë, pa liri? -Njeri!
Nga vete, as më thua?
-S’e di! Jo, Nuk e di!
Po lërmë, o jetë, ç’ke me
mua?
-Dua ta di, po dua!
-Atëherë, jetë e krisur,
për mua mos pyet
se qysh në n’agim kam nisur
të shkel si skllav i shkretë
mbi gjurma shprese drite…
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
-O mëkatar,
as falju ligjës sime,
bindu i çmendur ëndërrtar,
s’jeton me shqetësime!…
-Mu thell’ në brendësirë
ku ndjenja rron e lirë,
ku dhembja dhemb e prekur
nga ligja jote e fuqiplotë,
në gjirin tim si hekur,
si hekur e çelik,
qëllo, qëllo, o me kamxhik;
pa frik’ e pa mëshirë
e pa pendim,
se mu ne thellësirë
të shpirtit, në një kënd,
lindi një shqetësim
që çeli varrin tënd…