Suplementi Pena Shqiptare/ Duro Mustafai: “Jeta juaj peshon në Mëmëdhe”

147

Kujtim i një dite në shtëpinë e Nermin Vlorës, në Romë., kur arbëreshi Monsenjor Fortino do na thoshte: “Fëmijët tuaj i mësoni të bëhen shqiptarë, ta duan Shqipërinë e të jetojnë e punojnë për Shqipërinë…”

Duro Mustafai

Ishin ditët e fundit të dhjetorit të vitit 1991 me ato mërgimet masive të shqiptarëve, përtej Adriatikut,në Italinë fqinje, aq të ëndërruar, sidomos nga të rinjtë..Me detyrën e gazetarit për diasporën,atë ditë fund dhjetori gjendesha në shtëpinë e atdhetares, shkrimtares e studiueses së njohur, mbesës së Ismail Qemalit, Nermin Vlora-Falaskit. Dhe ndodhi ajo, që do të dëshiroja, por nuk e prisja. Një takim interesantë e mbresëlënës me një filozof e njeri të ditur nga Kalabria.

Në fakt, me atë, arbëreshin monsinjor Fortinon takohesha për herë të parë. Ai ishte një mik i nderuar i familjes Nermin Vlora, ku gjendesha në ato ditë dramatike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Zonja Nermin e kishte ftuar atë ditë Monsenjor Fortinon në shtëpinë e saj. Ne biseduam gjatë për temën e ditës: Cili do të jetë fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve? Për këtë fliste gjithë bota në atë vit të vështirë e me të papritura. Lajmet nga Shqipëria thoshin se po ndërrohej sistemi nga diktatura në demokraci. Po cila do të jetë e si do të jetë e ardhmja? Kjo nuk dihej. Po dihej që në ato ditë në Tiranë e Shqipëri, mungonin dritat elektrike,uji ,dhe ushqimet jetike,ndërsa buka mezi sigurohej përmes radhëve të gjata. Po ndryshimet e sistemit shoqëroheshin edhe me djegie e shkatërrime të pronave. Ishte kjo kohë kur një nga poetët e njohur të vendit, do të shkruante: “Po të jetë kështu, mos ardhsh kurrë, demokraci…”. Dhe mijëra të rinj po largoheshin nga vendi për të marrë rrugët e botës, në kërkim të një jete më të mirë.. Në shtëpinë e Nermin Vlorës, rrethuar nga portretet e në pikturë, të Skënderbeut, Ismalit Qemalit e atdhetarëve të tjerë, me bibliotekën e mbushur me libra për Shqipërinë dhe shqiptarët, Monsenjor Fortino, me dhimbje do të na thoshte: “Po largohen nga Mëmëdheu fidanët që gjelbërojnë tokën e japin frute të mbara” .. Ky dijetar, filozof e autor i shumë librave për shqiptarët të befasonte me kulturën dhe atdhetarizmin e tij. Për herë të parë po takoja një prift arbëresh, njohës të thellë të gjuhës letrare shqipe. Fliste sikur të kish lindur e të ish rritur në vendin amë. Dhe vërejtjen e parë do ta bënte. Në Kalabri vendi ynë quhet Skiperi ose Arbëri kurse në botë na quajnë Albani. Por ne vendin tonë duhet ta quajmë ashtu siç është: Shqipëri “Vendi i Shqiponjave”. Edhe bota me këtë emër duhet të na thërrasë”.

Ai ishte dashuruar pas çdo gjëje që ishte shqiptare e kish lidhje me Shqipërinë. E kjo fillonte me shkrimin e tij në shqip që ishte i përsosur jo vetëm si kaligrafi por edhe nga pikëpamja drejtshkrimore. Në shtëpinë e Nermin Vlorës (mbesa e Ismail Qemalit) që ishte kthyer në Romë në një “Ambasadë” për shqiptarët, arbëreshi Fortino ishte edhe ai një “konsull nderi”. Takimi me të edhe i “të humburve” nëpër botë ngjallte shpresën e gëzimit që do të vinte. Shërbente në një nga Kishat më të mëdha të Romës. Dhe predikonte për Shqipërinë për dashurinë e mirësinë e saj. Më 28 Nëntor të çdo viti do të mblidheshin aty bashkatdhetarët për të dëgjuar fjalët plot mençuri e mirësi të Monsenjor Fortinos. Po 28 Nëntori i atij viti pati të veçantën e vet. Për herë të parë do të mblidheshin veç shqiptarëve nga Diaspora, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi edhe djem e vajza të ardhur nga Shqipëria. Ndërmjet tyre pati edhe nga Vlora e ndoshta edhe Vranishti, Kanina e Labëria. Kur predikonte atë ditë Monsenjor Fortoino ishte tepër i mallëngjyer. “ Rinia,është fara jonë, më tha, një farë e shëndetshme, që në tokën tonë pjellore hedh rrënjë të forta e lëshon shtat të bukur…” Duke kujtuar kështu ata qindra të rinj shqiptarë që edhe me vaporin “Vlora”, ishin larguar nga mëmëdheu. Të rinjtë mërgimtarë nga Shqipëria, që mbushnin Kishën e Romës, e dëgjonin të heshtur atë ditë nëntori, kur ai do të thoshte edhe : “Ju duhet të ktheheni në mëmëdhe, atje peshon jeta juaj, atje janë prindërit e varret e të parëve…” kështu u kish thënë veç të tjerash atë ditë të rinjve Monsenjor Fortino. Po edhe mua atë ditë, ai më bëri një pyetje, që më ka shoqëruar gjithë këto vite.