Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: “Prit dhe pak”

740
Libri“Prit dhe pak” i shkrimtarit të madh Dritëro Agolli është një përmbledhje krijimesh të viteve të ndryshme, ku si gjithmonë spikat talenti dhe gjenialiteti i poetit të madh. Mes tyre ka dhe epitaf dhe testamente poetike që marrin vlera universale. “Në këtë vëllim të gjerë poetik do të gjeni filozofinë e Dritëroit për jetën në të gjitha aspektet e saj: Herë përshkruar me një fill emocioni, herë me sarkazëm therëse, më shpesh do të gjeni lirizmin muzikor, kur shkruan për natyrën mjedisore apo shoqërore”,- shkruan në parathënien e saj Sadije Agolli. Poezitë e librit “Prit dhe pak”, përveç elementëve personal, kanë dhe mesazhe të forta për aktualitetin shqiptar, problemet sociale, politikën dhe shqetësimet e njeriut të sotëm.
Gënjeshtrat
O popull, ç’të bëjnë!
Të japin lodra të luash,
Të mbajnë me përralla,
Të flesh në shtrat sa të duash,
Pa zhurma e andralla,
Të quajnë të vogël,
Dhe thonë se ende s’di shumë,
Të japin në duar një lodër
Dhe thonë:
Pusho, mos bëj zhurmë!
Refren i përhershëm në kohët,
O popull, ç’të bëjnë!
Të thonë:
“Gërvish e fito” në letra!
Dhe ti gërvish me thonjtë e paprerë
Nën mëngët e vjetra,
Dhe fati s’të vjen asnjëherë.
Të marrën përdore me lekë
T’i shohësh Miss¬et,
Kur zhveshur kërcejnë,
Me brekë e pa brekë,
Në Skenë.
O popull, ç’të bëjnë!
Të japin lodra në duar
Me Tomin dhe Xherrin,
Të bëhesh fëmijë i duruar,
Mos njohësh telashin dhe sherrin.
Kodoshët
Kur një gjel këndon në agim,
Nga çdo kosh
Del një kodosh,
Vreshtave të vendit tim.
Nga çdo kosh
Del një kodosh
Dhe mbi koshin mban fjalim.
Në kohën e Mirit të Xhikes
Jetova në kohën e Mirit të Xhikes,
Në vitet me dert pleqërie,
Këtu në pallatin e Rrugës së Dibrës,
Me gruan e dashur Sadije,
Jetova në kohën e Mirit të Xhikes.
Dhe çuditërisht i tërbuar bëj zhurmë,
Më gërryen lakmia me ankthin e frikës,
Se jam infektuar dhe unë
Nga koha e Mirit të Xhikes,
Dhe çuditërisht i tërbuar bëj zhurmë.
Epitaf për veten time – variant
Përjetësisht
këtu fle Dritëroi
Me etrit, gjyshërit dhe shokët pranë.
Të mira bëri pak gjersa jetoi,
Më tepër mund të bënte, po s’e lanë.
Testamenti
O toka ime që të lërova e të thura
këngë,
Që të kam dashur plisin dhe barin,
Që të kam fshirë me duar, me
mëngë,
Në ç’vend ma le varrin?
Më mirë ma bëj diku në një brazdë,
Apo larg mbi përrua ndofta,
Mbi mua të tundë bishtin e saj një
laraskë,
Duke më sjellë lajme nga bota,
Nga bota që e pata të mbyllur sa
rrojta,
E kyçur dera, me lloze porta…
Pija
Vërtet unë i pijes kam qenë
Dhe netët sa gota më thyen!
Kam pirë dhe pakëz kam ngrënë
Dhe kockat në shishe m’u kthyen.
Dëshira e plakut horr
Ne pleqve mirë na bën,
një hudhër, një lakër,
Për zgjatjen e jetës,
Për zgjimin fatmadh,
në mëngjes.
Po unë do desha
një pako Viagër
Të bëja pak seks…
I dashur ujk
Ujk i dashur,
që bredh me tët bir netëve vonë,
ta kam zili këtë mall për tët bir,
Ne njerëzit dhe birin tonë
e lidhim shpejt, shpejt me zinxhir
veç për një pronë.
Ne
Kanuni dhe malet dhe gjyshërit në
varre
Na dhanë infeksionin me emrin
“hakmarrje”
Ne vitet argasëm me plumbin dhe
gjakun
Dhe gjumin e prishëm për nderin
dhe hakun.
Për thikë e për pushkë s’na del njeri
tjetër,
Të zotët nuk jemi për penë e për
letër.
Lavdia s’na duhet, ¬lavdia të jetë, –
Pak erëz të fryjë, ne ngrihemi vetë.
Mpirja e njeriut
O kohë,
ndalu pak!
Na ler të shtrihemi,
të hapëm gojën në krevat,
të shpihemi
me sy në tavan
të shohim një vrimë,
një mizë a zhuzhak.
O kohë
Ndalu pak!
Në qytetin tim
I themi njëri-¬tjetrit “mirupafshim”,
po s’dihet nëse shihemi vërtet;
na dalin dy ¬tre horra dhe na vrasin
dhe lamtumirë, ti qytet.
Të vrasin për hiçgjë, për treqind lekë,
me to mjafton të pihet një konjak
me kurvat në një klub a diskotekë,
ndaj “mirupafshim” s’vlen aspak.
1996
Për dashurinë
Dashuria fillimisht është e turbullt,
Dashuron, po cilin aspak s’është e
qartë,
Dhe agimi kur vjen, është i mugët,
Sendet s’kanë as formë e as trajtë.
Dita zbret dhe gjerat dalin të plota:
Forma, trajta, konture e vija,
Dalëngadalë e tillë vjen bota,
Ja, fytyrën kështu e zbulon dashuria.
Për ty
Mendoj për ty kur buzët skuq në
pasqyrë,
kur fle dhe era vërshëllen në xhamet,
kur rri e shfleton një libër të vjetër,
kur flet e përhumbur
pa ditur as vetë se ç’thua.
Mendimet e tua të gjitha
veç unë i marr vesh dhe askush tjetër
me gjuhën e shpikur nga ti dhe unë.
Sa keq që në Zot s’kam besuar,
sikur të besoja, i lutesha
që ti të mos plakeshe!
Nesër pemët do gjelbërojnë,
të dy do të shtrihemi mes gjelbërimit;
rreth nesh le të gumëzhijnë bletët
dhe qengjat le të blegërijnë.
Ç’t’i bëjmë natës që vjen?
ç’t’i bëjmë mëngjesit,
Kur në pasqyrë
i kuq çel trëndafili?
Sigal