Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli, poeti i të gjitha stinëve shqiptare

982
Sigal

Nga Skënder Demolli

Rexhep Qosja: “Agolli artisti më i madh i fjalës së gjallë shqipe”

 

I madhi Dritëro e sfidoi moshën, shkroi poezi edhe ditën e fundit të jetës së tij, ashtu  siç bëri p.sh. në prag të 90-ve Saramango me “Udhëtimin e elefandit”, Gabriel Garcia Markez që  i “nxori gjuhën” kancerit, duke lënë pas të 80-tat, me botime të reja edhe pse vdekja “i shkruan kolonelit të letrave”  çdo ditë, për të mos përmendur pastaj artistë të tjerë, të cilët punuan pa reshtur asnjë ditë, ashtu si portugezi Manuel de Olivera që kur u bë një shekull, u paraqit në Bienale me filmin më të ri me metrazh të shkurtër “Nga e dukshmja në  të padukshme”, ose kompozitori legjendar Eliot Karter, i cili në prag të shekullit të ri të moshës së vet, paraqiti në një promovim të  “B.B.C-së” koncertin e tij të ri për flaut. Mund të përmendim edhe artistë të tjerë të rëndësishëm që ndonëse bashkëmoshatarë të tyre, lodhen edhe të lexojnë, ata janë “në vijë të parë e nuk i hedhin armët”. Natyrisht, teknologjia në mjekësi ka bërë sot të sajën, por të mos harrojmë edhe atë që thotë populli: “Puna të mban gjallë”. Në listën e artistëve që përmenda më lart është edhe  shkrimtari ynë Dritëro Agolli, siç janë edhe mjaft bashkëkohës të tij, i cili mendonte e mendonte me laps në dorë që, duke ikur, siç thotë vetë:

Të tjerëve  t’u lëmë

Të paktën një tregim a një varg,

Që mos skuqen kur në raft t’i vënë,

E kur t’i shfletojnë në dhomë a në park. (Nga vëllimi “Shtigje dhe trotuare” 1998).

Më shumë se me artin poeti të prek edhe me “paktin” që ka bërë me lexuesin qysh me “tregimin e parë e të parën vjershë, e ndonëse në moshën e tretë vazhdonte të mos e prishë atë, por “të kumbojë”, si një kambanore me kambanë, “Ndryshe jeta ime nuk jetohet”. Dhe siç e ka vënë në pah edhe kritika jonë letrare: “Tani, pas përmbysjes së komunizmit, me veprat e shkruara dhe jetën e tij, ai është bërë figurë qendrore e historisë së letërsisë shqipe”.

Dritëro Agolli, poet fisnik

Edhe në moshën më të thyer Dritëroi nuk ndryshoi në asgjë; as në karakter me fisnikërinë e përzemërsinë e tij për të ndihmuar cilindo, as edhe kur reagon, me atë shpotinë sa të ëmbël e djegëse, si të ishte ende një student në moshën e bardhë, apo një “Sokrat i plakur”. Poet më shumë se politikan, mendimtar i thellë e kritik shoqëror. Njeri i të gjitha stinëve shqiptare dhe si i tillë po aq bashkëkohës me ata të rinj që sot po japin “mësime suksesi”, me letërsinë e tyre. Është, siç thotë Rexhep Qosja në ditarin e vet: “Ndër njerëzit e rrallë, të paktë, të cilin, sa më shpesh ta takosh, aq më shumë të pëlqen dhe sa më shumë ta njohësh aq më shumë e nderon. Ai është artist i vërtetë, artisti më i madh, i fjalës së gjallë shqipe”. Po ç’do të thotë të jesh 80- vjeçar, në ditët tona? – e pyeti një ditë Kosta Nake – kryeredaktor i gazetës “Bilishti”, gjatë vizitës që i bënë me këtë rast Dritëroit ato ditë në shtëpi, shkrimtarë të klubit letrar në Devoll që mban emrin e tij ,“Miqtë e Dritëroit”: “Vjen një ditë dhe vërtet plaku rëndohet shumë, – thotë Dritëroi pa e fshehur. – ka disa që kalojnë një pleqëri jo të këndshme nga shëndeti. Mund të shfaqet skleroza, të dalësh nga shtëpia e të mos dish të kthehesh. Por ata që dinë të punojnë mirë, dinë ta largojnë sklerozën nga vetja. Skleroza vjen tek ata që nuk e vënë në lëvizje as trupin, as trurin. Në Devoll ka pak sklerozë se atje njerëzit punojnë shumë. Edhe unë kam punuar shumë. Që i vogël jam mësuar të mbjell misër. Babai hapte brazdën përpara me qetë, unë hidhja farën pas tij. Ndonjëherë më shante se hidhja shumë misër. Po më mirë shumë se pastaj e rrallon, po doli rrallë çfarë do t’i bësh? Kurse prashitjen e kisha frikë se mos ua prisja rrënjët bimëve. Plak do të thotë edhe të të dhembin kockat, do të thotë ta parandjesh se po të vjen fundi. Po ai që e di si është ndërtuar jeta, nuk ka frikë. Këtu është vendi për të folur ca më shumë, po plaku është llafazan dhe nuk i mat shumë fjalët. Mbase për këtë edhe “Zyloja” me këtë rast  më ka bërë një ese: “Pse nuk u ndezën qirinj mbi tëmbëlsirën e pleqve?… Xhevallë kanë takat pastaj t’i shuajnë”.  Arti, po ta pyesësh tani që duket sikur sapo ka dalë nga “galera”, është më i tmerrshmi. “Që ai të mundet të arrijë në nivelin e së vërtetës duhet të “vetëshkatërrohet”. Sa herë u shkrua e u shua  romani “Arka e djallit”,  derisa pas njëzet vjet pa dritën e botimit?… Kështu edhe me  “Fletoren e Bamkës” në këtë roman ndodh si me Pikason, i cili prishte e vizatonte edhe mbi tablotë e të tjerëve, sa kritika e quajti “kanibal”. “Kujdes Pabllo, i thoshte miku i tij Brak, shkatërron e shkatërron, do të gjendesh ndonjë ditë i varur pas tellajove të tua”. Sot e dimë, ky piktor i famshëm spanjoll gjendet “i varur” në tëra galeritë e botës, madje edhe në Rusi, ku diçka e tillë dikur ishte herezi”.

Historia e Bamkës

“Me vdekjen e Bamkës, me që ra fjala, kam dashur të them se njeriun ndonjëherë nuk e lënë as të qeshë, të bëjë shaka, po i vihen pas: “Pse e the këtë proverb? Pse e tregove atë anekdotë?” Kishte gjëra që njerëzit i thonin me njëri-tjetrin që në socializëm. Mund të kujtoj atë thënien e shkodranëve “u bëmë si shtatë xhuxhat” që aludonte për vezët që ndaheshin me racion, shtatë në javë. Edhe Nastradinin nuk e pranonin në Buhara, në vendlindjen e tij se ai gjithmonë i thumbonte me ato shakatë e tij. Mbase Nastradini mund të ketë qenë një sajesë si Qerozi i përrallave tona. Letërsia për mua është siç është perëndia për hoxhën edhe priftin. Ajo duhet të përmbajë të gjithë elementët e jetës, por po të paraqiten ashtu si janë në natyrë, nuk ka art. Ato duhet të ngrihen në art. Personazhi duhet të të mbetet në mendje. Kjo është letërsia  e vërtetë. Ta thuash në letërsi të vërtetën artistike. Poeti duhet të shohë harmoninë e objekteve. Kështu krijohet arti. Përveç kësaj harmonia duhet të jetë në lëvizje”.

Po kushdo që e ka lexuar Dritëroin e di tashmë që vepra e tij është shprehje e një bote në lëvizje e veprim. Veprimtaria letrare e tij shtrihet në dy periudha: periudhën e diktaturës, ku nuk guxoje të shkruaje ç’ka mendoje dhe atë të pasdiktaturës. Në periudhën e pare, siç është vënë në dukje nga kritika, poeti luftonte për një liberalizim të poezisë, një thellim të realizmit. Në periudhën e dytë ai ka mbetur besnik i vetvetes, duke ruajtur qartësinë e thjeshtësinë, frymën e spikatur popullore e shqiptare, por duke e pasuruar më tej tematikën e saj.

Arti ndryshon jetën

Madje për këtë ai këmbëngulte në bisedë me miqtë e tij letrarë se: “Arti është mjet në ndryshimin e jetës; vjen si një dëshmitar të vërtetojë marrëveshjen në emër të së “mirës, harmonisë”, pas çdo ndryshimi. Shoqëritë njerëzore kalojnë faza të ndryshme. Një stinë e keqe është kur ka krizë ekonomike dhe njerëzit interesohen më shumë për bukën e gojës, shtëpi edhe punë. Kur t’i ketë vënë këto në vijë kthehet e krijon, bën art dhe qytetërim.

Qytetërimi është si një shtëpi  që vazhdimisht e përshtatim; në një anë prishim, në anën tjetër njëkohësisht ndërtojmë. Tani që po kalojmë si tërë bota një fazë të vështirë, mund të themi, “kush e ka mendjen për art”. Por si njerëz të “mendjes” jemi të detyruar të parapërgatitim, “shtëpinë” e nesërme, ku do të banojnë të rinjtë, të cilët kanë nevojë për vizion. Për këtë jemi përgjegjës e duhet të punojmë me këmbëngulje e durim. Dhe jam optimist se ata do t’i kthehen asaj. Mbi të gjitha i besoj njeriut dhe zemrës së tij. Megjithëse zemra është e mbuluar, nuk ka ndonjë xham përpara për ta parë, ajo ka një veti që e bën atë të tejdukshme. Mbase kjo më bën të besoj te kjo materie filozofike, te njeriu, i cili, që kur lind e deri sa vdes, përpiqet të mësojë. Këtë e kam thënë edhe para studentëve të Universitetit Amerikan dhe është bërë pjesë e reklamës së tij”.

Agolli punëtor i palodhur

Punëtor i palodhur i letërsisë dhe njeri që rronte nga letrat dhe për letrat. Në këtë udhë të gjatë krijuese e gjejmë sot pothuajse në të gjitha gjinitë, krijimtaria e tij ka njohur mjaft suksese letrare brenda dhe jashtë vendit. Por mbi të gjitha si njeri që drejtoi për disa vjet Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë i dha shtysë letërsisë dhe arteve të saj në përgjithësi. Por siç nuk i pëlqente të lavdërohej, as është përpjekur ndonjëherë të përgënjeshtrojë historinë e saj dhe të vetes së tij. As edhe Sadijes, e cila ishte jo vetëm bashkëshortja, por edhe historiania më e mirë e jetës së tij. “Dritëroi nuk ka qenë kurrë dogmatik, thotë ajo në këtë bisedë. Ja vështroni jetën private të tij. U martua me një ruse dhe rrethanat e ndanë prej saj. Sikur të mos mjaftonte kjo, u lidh me mua, që kisha probleme me biografinë. Ai ishte një nga komunistët e parë ndër gazetarët, kurse në familjen time, jo vetëm që s’kishte asnjë komunist, por xhaxhai im ishte dënuar. Ditën e dasmës, veshur me fustan të bardhë, u ktheva në spital ku ai ishte shtruar se vuante nga tuberkulozi. Shkova e putha atë dhe kjo ishte një sfidë, sepse u mblodhën të gjithë të sëmurët që ishin aty. Dhe qava deri te ura e Bunës, atje ku Dritëroi më tha t’i prisja lotët”.

I priste pastaj ajo dasma në Devoll me të afërmit dhe ca ditë për verim në një shtëpi pushimi të punëtorëve në Pogradec, ku iu bë zakon si atij stërgut për të kaluar verën. Sadija “se le” të bëjë çap, po edhe Dritëroi nuk shkonte askund pa atë,  dhe atë vit për të cilin bëjmë fjalë, kur Sadija ishte pak pa qejf, peizazhi njerëzor i pushuesve në Tushemisht ishte i varfër pa këtë  çift të famshëm. Po urimet për ditëlindjen, do t’ia dërgojmë deri në Tiranë, thoshin peshkatarët dhe nxënësit. Njerëzit kanë nevojë për “VIP-a” të vërtetë. Por edhe Dritëroit i mungonin njerëzit, ata “janë atdheu” dhe në atë sfidë pleqërie ky plak filozof thotë se: “Atdheu përbëhet nga disa rrathë që sa vijnë e zgjerohen. I pari dhe më i vogli është rrethi i familjes, pastaj oborri, komshinjtë, lagja, fshati, krahina dhe krejt atdheu. Kështu e ka thënë edhe Çajupi: “Atdhe quhet toka,/ ku më ka rënë koka,/ Ku kam dashur mëm’ e atë,/ ku më njeh dhe gur’ i thatë.” Kur isha në Përmet me një mikun tim dhe po shkonim drejt shtëpisë së tij, nga larg vumë re tymin që dilte nga hoxhaku i dhomës së miqve. Ai u ngazëllye dhe më tha: “Paskan ardhur miq të tjerë!” Kurse një shkrimtar rus ka thënë; “Tymi i atdheut tim më duket i ëmbël.” Mjafton ky detaj domethënës që ndeshet në dy vende kaq të largëta mes tyre, për të kuptuar raportin që krijohet midis krijuesit dhe atdheut të vet”.

Krijues të pavdekshëm

Ruskat e di që të kanë pëlqyer, i thashë, po që të kesh edhe shkrimtarë kaq të dashur?…

“Prozatori më i dashur për mua është Tolstoi, më tha, kurse si poet Hygoi, sepse kanë kapur një gamë të madhe të jetës politike dhe shoqërore. Ka edhe të tjerë që e kanë bërë këtë, por këta të dy e kanë bërë bukur dhe nuk harrohen. Nga poetët tanë Naimi është i pavdekshëm, lirik dhe epik. Por mbi të gjitha atdhetar. Sa herë kalon nëpër pyje e male s’ke si të mos kujtosh vargjet e tij; “O malet e Shqipërisë, e ju o  lisat e gjatë,/ fushat e gjera me lule, që ju kam ndër mend ditë e natë…” Në krijimet e Naimit nuk ka asnjë fjalë turke, merreni  dhe shikojeni për kuriozitet. Kurse shkrimtarët e tanishëm dhe analistët gjysmat e fjalëve i kanë shqip, gjysmat i kanë turqisht e anglisht. Sot më shumë turqizma se në kohën e Naimit! Po do të thoni ju edhe Noli futi shumë fjalë në poezitë e tij. Por në pjesën më të madhe ato futeshin qëllimisht për të satirizuar. Edhe Mjeda është mjeshtër i madh i fjalës. Këta të dy kanë ndikuar tërthorazi në krijimtarinë time, sidomos me temat patriotike dhe kujdesin për pastërtinë e gjuhës.”

Po nëse do të rishkruanit përsëri poemën  “Devoll, Devoll”, e ngacmoi Endri Fifo që këndon së bashku me Dritëroin, si askush tjetër “Manushaqe e vogël” e “Durballi të qofshim falë”?

“Do të isha më i përmbajtur dhe më filozof”, thotë poeti dhe flet për poemën, për ato ndjesi të forta lirike e të përzemërta të një djali të ri siç ishte dikur. Kjo poemë u shkrua me “ një rrëmbim shekspirian”, pas një mbledhje partiake kundër burokracisë më 1964, por toni polemizues që vihet re në të është karakteristik për tërë veprën e Dritëroit. Ajo lidhet thjesht me diçka shumë personale (vendlindjen e tij), por me kalimin e kohës në udhën e saj ndodhi që ajo të bëhet personale edhe për njerëz të tjerë, ashtu si edhe mjaft vepra të tjera të dashura si “Arka e djallit”,  “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “I teti në bronz”, “Udhëtoj i menduar”, “Pleshti dhe xixëllonjat”, etj. etj.

Përmbushja e dëshirës së babait

Po unë si devolli ia kujtoj këtë poemë çiftit Agolli, se me honorarin e saj, Dritëroi bleu atëherë, siç më ka treguar edhe vetë, një dyshek pambuku nga ata të kombinatit të tekstileve “Misto Mame”. Vetëm aq, se aq ishte edhe një honorar në një vend që sapo kishte flakur tej malarjen e mundohej të mësonte të lexonte e të shkruante në mënyrë masive. Atëherë kur filloi të bëhet poet frymëzimin e parë e gjeti në natyrë. “Unë që kur kam lindur, kam qenë në aleancë me natyrën, tha Dritëroi. Kontaktin me natyrën e kam patur me lulet që çelnin, me lumin që e kam vështruar nga sipër, duke e kapërcyer me nongallka. Aty kam parë edhe arixhofkat që vinin për të bërë shporta e sepete. Zogjtë i kam njohur përmes bilbilave që këndonin në mëngjes e në mbrëmje. Natyra është e gjerë e madhe, e pa fund , por po të imitohet ajo, është njëlloj si një krimb që zvarritet pas një elefanti”. Por veç asaj kishte edhe “aleatë” të tjerë, mes librave të shumtë në shtëpi, si Naimin, Hygonë, Kahjamin etj. U bë, apo s’u bë sa dhe ata, këtë nuk mund ta thotë, por përpiqej akoma edhe pse pena në muzgun e moshës, i rëndonte në dorë si plumb. Dhe kjo e mbante të gjallë e të ri në shpirt e në mendim. Por brenda realitetit të sotëm shqiptar ai e dinte që diku është. Po, dhe ka arsye që të jetë… Kështu për Dritëroin është përmbushur edhe një dëshirë e kahershme e babait të vet, i cili e përfytyronte birin e tij poet të madh kombëtar. Xha Rizai ishte burrë i kënduar e i dalë nëpër botë. Në të ri të tij kishte qenë emigrant në Amerikën Latine, në Argjentinë  dhe siç tregonte edhe Dritëroi , kishte sjellë prej andej edhe libra, një gramafon e disqe me këngë “La kuka raça”. Punëtor, si devolli. “Im atë, kur ardhi nga fshati për të ndenjur në apartamentin tonë në Tiranë, merrte një kërcu të trashë dhe sëpatën dhe zbriste poshtë për ta gdhendur. Ç’ke që rri me atë kërcu, i thoja, lëre fare! Më hanë duart për punë, more bir, ma kthente”. Po ajo që nuk mund ta harronte kurrë poeti ishte një poezi. E para që kisha botuar në gazetën “Zëri i rinisë”, dhe e mbante në kutinë e duhanit dhe ua tregonte me krenari aty nd’arë  ku lëronin me qe bashkëfshatarëve të vet,  sa herë ndiznin cigare. “Do të bëhet diçka ky djalë, si nuk do të bëhet! i thoshin ata”.

Takim me rastin e 80-vjetorit

E kishin kaluar kaq vite, si në përralla… E u mblodhën përsëri bashkëfshatarët  ato ditë, me rastin e 80- vjetorit  të lindjes së vëllait të tyre, ta bëjnë “Nder të Komunës”. Po daleni, more, ai është më shumë: është “Nder i Kombit”! Se mos bëjmë ndonjë hajvanllëk?… Jo, jo se kështu nderojmë edhe veten tonë. Dhe ashtu bënë… Vetë kryetari i komunës së Mirasit  Kryeart  (e gojëart) Sejdo e tundi  në Menkulas me rastin e kësaj feste. Po gëzimi më i madh i banorëve të saj ishte, se aty do të ngrihej një qendër kulturore bashkëkohore, e cila do të mbajë jo vetëm emrin “Dritëro Agolli”, por do të ketë në kompleks edhe muzeun për veprën dhe jetën e tij. Madje për këtë ishte miratuar fondi nga qeveria. “Më mirë kështu, thotë Sadija, dhe në katin lart mund të jetë dhoma muze e Dritëroit. Një shtëpi kulture ku shkon mësuesi dhe zhvillon një bisedë, merr jetë. Vetëm muze, do të mbetej e vdekur. Kemi shumë libra me autografe që mund të ekspozohen atje. Kemi shumë objekte të Dritëroit. Edhe Tolstoi në Jasnaja Poljana e ka muzeun, në fshatin e lindjes.” Brezi i ri ka nevojë për trashëgiminë kulturore, por ka nevojë edhe për librin. Dhe fatmirësisht rinia nuk e ka  braktisur atë. Po shkrimtari nuk mund të thotë; “më lexoni mua!” se librat janë sa yjet në qiell. Rëndësi për shkrimtarin ka që njerëzit të lexojnë. Përmes librit ata kalojnë një çast magjik të jetës së tyre, pa u munduar shumë, siç mund të ndërtojnë edhe një parajsë… Nëpërmjet librit ata krijojnë me letërsinë një lidhje të bukur krejt personale. Sepse shkrimtari duke ndriçuar nga brenda veten, ndriçon edhe të tjerët.

 

Vlerësim për Poetin

 

Ky vlerësim i komunitetit në Devoll e emocionoi Dritëroin, po aq sa ajo vjersha në kutinë e babait të vet kur ishte çunak, se tjetër është të të nderojnë të tjerët e ndryshe është kur të venë mbi krye njerëzit e tu. Nuk e di kodin e kësaj mirënjohje të thellë e nga buron kjo, por thonë se diku në Arabinë e djeshme, një varr diku në mes të varrezave të një qyteti të lashtë, nuk është i vendosur shtrirë përdhe si tërë varret, por drejt në këmbë. Ç’është ky njeri që e kanë varrosur kështu?… Historia flet për babain e Rumiut – poetit të madh Persian që kur u bë i famshëm e u kthye në vendlindje, e priti të birin në këmbë, kundër zakonit… Nuk kish vlerësim më të madh! Dhe Rumiu për të mos e harruar kurrë këtë gjest, e varrosi të atin kur vdiq, ashtu në këmbë.

Nuk e kam fjalën edhe unë si “Zyloja” që Dritëroi të ndjekë “shëmbullën”, se të madh e të vogël që i shkon këto ditë për urim në shtëpi, në këmbë e ka pritur dhe e pret, po deri sa në Devoll e në Shqipëri të ketë burra si xha Rizai i Menkulasit dhe ky kryekomunari i ri, vendi do të ketë patjetër edhe poetë edhe artistë.

Gëzuar, “o derka i derit”!… Me fund po ta pimë… Ke thënë vetë: “Jeta nuk përsëritet. E vetmja gjë që nuk duhet shpenzuar kot është koha. Të rrosh edhe të paçim duke shkruar!

Servili vajton shefin

Nga Dritëro AGOLLI

 

Të mërkurën mbrëma

Lajmin seç ta dhanë,

Të lesh telefonin,

Zyrën në Tiranë.

 

Të lesh telefonin,

Të shkosh nëpër ara,

Të shikosh në brazda

Mbin apo s’mbin fara.

 

Dhe të mbathësh çizmet

Përmbi gju të gjata,

Ledh më ledh të bredhësh

Gjer të zbresë nata…

 

Plaç moj ditë e zezë,

Plaç moj e mërkurë,

Na rrëmbeve Zeqon,

Burrin deli burrë!

 

Ishe yll i zyrës,

Fjala jote mjaltë,

S’ishe për ugare,

S’ishe për në baltë,

 

Si do hedhësh vaun,

Kur të fryhet lumi

Mbetëm si jetimë,

S’do na zërë gjumi.

 

Ah, kjo zyrë e shkretë

Si s’pëlcet së qari,

Iku pikë e burrit,

Iku mendimtari!

 

Iku pikë e burrit,

Iku po kush mbeti?

Ti ke qenë nderi,

Kripa dhe lezeti.

 

Kush do të jetë nuri,

Nuri i zyrës sonë,

Kush do bëjë teza

Edhe konkluzione?

 

Kush do mbajë fjalën,

Fjalën me aq peshë,

Fjalën që buçiste

Me njëqind rrebeshe?

 

Ç’i kish hije gazi

Edhe zemërimi,

Ç’i kish hije balli

Rrudhur nga mendimi!

 

Si nuk vumë kujën

Lajmin kur ta dhanë:

Të lesh telefonin,

Zyrën ne Tiranë!

 

Pranë teje ndodhem,

Miku im i vjetër,

Po do jem më shumë

Pranë shefit tjetër!