Suplementi Pena Shqiptare/Dritëro Agolli: Pelegrini

497
Sigal

Unë jam prej kohësh pelegrin, 
udhëtar në vendin e shpresës së thyer, 
jam ndarë pa dashur nga karvani im, 
mes shtigjeve nga vapa e shirat gërryer. 


Kërkoj karvanin tim në rërë e shpat, 
karvanin që e ka ndërruar drejtimin me kohë 
ndaj në udhë jam krejt i humbur, jam fillikat 
me shami të grisur, lidhur në kokë. 


Për ujë buza ime u dogj u bë zhur 
dhe sytë me shpojnë nga shterja e lotit, 
më duhet të arrij karvanin e tretur qëkur, 
çapitur mes vapës, mes shiut e të ftohtit. 


Unë jam prej kohësh pelegrin, 
shtegtar i karvanit të humbur 
dhe bart në kurriz një premtim, 
të dhënë gjyshërve të mundur.