Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: Mëzi i vogël

708
Sigal

Hëna si e verdha e vezës
Çau guaskën e malit dhe doli ,
I shkanë këmbët e lodhura pelës
Dhe ra në hendek dhe gjaku i rrodhi .

Karroca e përmbysur s’bënte më zhurmë
Dhe dridhej pela ende e mbrerë,
Mëzi i vogël shikonte gjakun me shkumë,
Gjakun që dilte nga goja e nënës së mjerë.

I zoti ia hoqi pelës palldëm e litarë
Dhe mëzin e mori për jele me vete,
Mëzi kthente kokën nga nëna e vrarë
Mëzi thundrat përplaste dhe dridhej në ethe.

Pastaj në shtëpi ai heshti me kokë nga hëna,
Vetëm kur porta u hap e rënduar,
U nis përsëri me trok nëpër natë nga nëna
Dhe ishte vrapimi i parë në jetë krejt i vetmuar.

U fut në hendek dhe pelën në ballë lëpiu
Dhe ndjeu ftohtësinë e tmerrshme në gjuhë,
Ngriti kokën lart e në qiell hingëlliu ,
Hingëlliu fillikat nën hënë i përhumbur.

Kjo ndodhi një natë kur të verdhët e hënës pikonte,
Mëzi këtë e mbajti në mendje aq gjatë.
Dhe kur hënën në cepin e qiellit vështronte,
Hingëllinte përnatë…

1983