Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli: “I përndjekuri i dashurisë”

I përndjekuri i dashurisë
Unë jam i burgosuri yt,
Rroj me prangat që ti më ke vënë,
Po çudi as qelia s’më mbyt,
Dhe s’më mbyt as dritarja e zezë.

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,
Unë i putha duart e tua,
Është rast i pashembullt, ta dish,
Që xhelatin ta puth a ta dua.

I përndjekuri yt erotik,
I përndjekur të mbetet gjithmonë,
Erotim i mirë a i lig,
Hidhmi duart ne fyt, torturomë.

Ky burgim sa do zgjasë s’e di,
I përjetshëm do kisha dëshirë,
Veç ti eja më shih në qeli,
Të përndjekurit tënd i vjen mirë.

Kur një mëngjes
Do të jetë mëngjes e unë do të vi patjetër.
Mbi xhaketën time do të kenë rënë petale
Nga lulet e kumbullës së vjetër,
Nga lulet e thanës së tharët.

Atëherë ti s’do të jesh zgjuar akoma,
Unë do të them emrin tënd në xhame
Dhe do të vërshëllej të dashurën këngën tonë:
“Ti çele herët, moj bajame!”

Do vërshëllej ngadalë-ngadalë
E s’do prish gjumin tënd të bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet në sup një flutur…

E, kur sytë të hapësh, do të shohësh
Romantikun e përjetshëm në xhame
Dhe këngën e dashur do njohësh:
“Ti çele herët, moj bajame!”