Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli “Dy fjalë për gruan”

212
“Me gruan janë bërë aq krahasime sa do të ishte guxim prej kokëkrisuri të kërkoje krahasime të reja. Në krahasime gruaja është hyjnizuar dhe ironizuar, është idealizuar dhe martirizuar, është filozofuar dhe vulgarizuar. Megjithatë, krahasimet më të mira, që i shkojnë fisnikërisë së saj janë hyjnizueset. Për mua gruaja është një krijesë me rrobe të endura prej bari, uji dhe ere. Me rrobet e barit ajo na deh, me rrobet e ujit ajo na nxit drejt pastërtisë dhe me rrobën e erës na rrëmben e na shpie në gjithësinë e ëndrrave, duke na shkëputur për një çast nga bota e mjeruar e sendeve. Kjo krijesë përherë na afron e përherë na largon; përherë shkojmë drejt saj edhe duke qenë fizikisht me të. Nuk është punë bashkimi trupash. Trupi është gjëja më e lehtë që mund të të japë gruaja. Është diçka tejet misterioze, që nuk ta jep aq lehtë ose nuk ta fal fare!… Tek kjo fshehtësi qëndron edhe e mahnitshmja e pakuptuar.”
Gratë për mua 
Kam dashur çdo grua pa masë, 
Në rrugë, në dhomë e kuzhinë, 
Madje dhe lart në tarracë, 
Ku ndejnë rroba e fshijnë. 
Në zënka s’kam sharë asnjë grua, 
S’kam shkruar keq në asnjë fletë. 
Do vdes. 
Do flasin gratë për mua: 
“Ky ishte poet i vërtetë!”. 
2012
Letrat 
Kur dashuroheshim në kohën tonë, 
Kur tretesha dhe digjesha për ty, 
Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë, 
Kalonte dhe një muaj apo dy. 
Po ndofta dashuria mbahej gjallë, 
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim 
Me biçikletë a mushkë apo me kalë 
Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim. 
Kur dashuroheshim në kohën tonë 
Me zor na vinin letrat fshat-qytet 
Nuk kishim nëpër dhoma telefonë 
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet. 
Megjithatë më mirë që nuk kishte 
As telefon, as internet, as faks, 
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste 
Një dashuri të vjetër për një çast.
E paharruara 
Ngaherë pyet nëna e ngratë: 
Ku do jetë partizania që fjeti atë natë?! 
Pyet e ul kokën me thinjë 
Në mbrëmjet e vona në fshatin Sinjë. 
Asaj i kujtohet vajza me yll në ballë, 
Që rrobat ia thau e i dha qumësht e dhallë. 
Dhe kur iku, në prag i tha: Udhë e mbarë! 
Dhe mendoi: “Ta kisha nuse për Mevlanë!” 
Po Mevlani u vra në Malin e Thatë, 
Në Brigadën e Katërt a në Brigadën e Shtatë. 
Dhe tok me djalin në mendje i mbeti 
Vajza që natën në odë fjeti. 
Dhe ngaherë pyet për të: Ku do jetë? 
Sikur nusen e djalit ta ketë! 
1967
E bukura 
E bukur, tokësore, e thjeshtë, lozonjare, 
E tillë për mua je ti. 
Unë vë kokën e zezë, si ugar, në supet e tua ledhatare 
Dhe rri. 
Unë rritem kur jam me ty, si Anteu, 
E gjaku muret e aortës godet. 
Të dy jemi bërë nga lulet, nga dheu, 
Të dy njëri-tjetrit i duhemi me ditë e me net, 
E bukura, tokësorja, e thjeshta grua! 
1964

“Prit edhe pak”
“Dashuria fillimisht është e turbullt,
Dashuron, po cilin aspak s’është e qartë,
Dhe agimi kur vjen është i mugët,
Sendet s’kanë, as formë, as trajtë.
Dita zbret dhe gjërat dalin të plota:
Forma, trajta, konture e vija,
Dalëngadalë e tillë vjen bota,
Ja, fytyrën kështu e zbulon dashuria.”
2016