Suplementi Pena Shqiptare/ Dr Skënder Karriqi: Paradigma moderniste e dramës së pashkruar të poetit, Koçi Petriti

755
Sigal

21 prill 2014. Pesë vite pa Koçi Petritin

Ashtu si në gjithë vendet e Lindjes komuniste, edhe në Shqipëri, shkrimtarët dhe artistët në përgjithësi, kishin Organizatën e tyre, e cila sipas modelit lindor të arketipit sovjetik, kishte mekanizmat e veta të kontrollit nën frymën e Partisë shtet.

Jo në pak raste nëpërmjet analizave të saj ishin mbajtur qëndrime që përcaktuan përfundimisht fatin e shkrimtarëve dhe artistët dhe poetët rebelë ishin shantazhuar. Në këtë mënyrë artistët dhe poetët, do të survejonin njëri-tjetrin dhe do të padisnin shoku-shokun.

Organizata e tyre pra, do të bëhej ndëshkuesja e tyre, duke qenë në të njëjtën kohë edhe trumbetuesja “lavdinë” e më të zellshmëve. Po në rast se ai, artisti apo poeti rebel nuk bënte pjesë në Organizatë?! Atëherë ai tjetri, artisti apo poeti i Organizatës, do të kishte të drejtën e ekspertizës për të vigjiluar në mbrojtje të parimeve të metodës  soc-realiste. Në këtë rast joshja do të kishte efekte të mëdha.

Artisti apo poeti i Organizatës do ta ndjente veten pjesë të strukturës shtetërore dhe akoma më shumë do të hipnotizohej nga ndjesia e tillë. Do të ishte mirë që ky artist apo poet i Organizatës, me të drejtën e ekspertizës, të kishte ndonjë kleçkë në biografi apo ndonjë dobësi tjetër, p.sh., dëshira për karrierë, ndonjë histori dashurie, të cilat zakonisht bënin bujë në provinca, dhe që shënoheshin në kartelat biografike të kuadrove të shtetit. Oooo…!

Aq më mirë nëse do të ishte me dosje, pra i shënjuar nga sigurimi: Në këto rrethana ai do të tregohej më i zellshëm dhe idhnak në ekspertizën e tij, me qëllim që të dukej sa më i denjë në sytë e strukturave të shtetit, me iluzionin se do ta shlyente njollën në biografi. Po në rast se ai do të hezitonte apo aq më keq akoma, do të kundërshtonte?! Praktikisht kjo  ishte e pamundur të ndodhte, por edhe nëse do të ndodhte, atëherë kjo lloj ekspertize do t’i kërkohej atij me detyrim pikërisht për shkak  rrethanave biografike.

***

Duke pasur pikë referimi krijuesin (poetin, shkrimtarin), tëhuajtjen e tij nga veta e parë në vetën e tretë, s’ka se si ta kuptojmë ndryshe, veçse si dëshirë apo nevojë për të objektivizuar rrëfimin e vet me qëllim që t’i japë besueshmëri atij. Çështja e besueshmërisë është shqetësimi më i vjetër, (që në zanafillë) i letërsisë. Për hir të saj Homeri nuk pati kurajën të pohojë drejtpërdrejt autorësinë mbi poemat e tij antike arkaike.

Kështu shpjegohet fakti që, sa herë i jepej rasti, ai do të theksonte se s’është gjë tjetër, veçse veshi dhe zëri, ndërsa kënga ishte e asaj, të lumes, Muzës rrëfimtare. Duke filluar që me Hesiodin, e përgjatë historisë , letërsia do të gjendet  ndërmjet vetës së parë dhe të tretë.

Në fakt shkrimtari, madje edhe Homeri për të cilin folëm më lart, nuk është pajtuar me tëhuajtjen përfundimtare prej vetes, që do të thotë prej krijimit të tij. Prandaj ndodh që në rrëfimin e vetës së tretë shenjat e përjetimit autorial janë të pranishme deri në nivelin e veçorisë stilistike dhe artistike, të krijimit letrar.

Në këtë kuptim drama e personazheve, më së shumti e atyre në prozën moderniste, ku subjekti ka si bosht antagonizmin e heroit me shoqërinë, duke synuar afirmimin deri  edhe ekzistencën  e vetes, s’është gjë tjetër veçse drama e autorit, e objektvizuar si  fatalitet dhe rrethanë e personazhit. Për këtë arsye asnjëherë ndjenja e autorësisë nuk ka qenë më e fortë dhe më me kuptim se sa në prozat e Kafkës, Kamysë, Sartrit, Pirandelos, Kunderës, Kadaresë, Qoses  etj .

***

Drama e poetit Koçi Petriti është drama moderniste e poetit, e cila nuk është shkruar deri tani, por që edhe ajo duhet të shkruhet krahas tragjedisë së martirëve. Në fakt ajo çka u ndodhi dy poetëve nga Bërzeshta e Librazhdit, Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, është një krim i përbindshëm shtetëror, por, për hir të së vërtetës, është vetëm njëra anë e medaljes. Nuk mund të ketë poetë të fituar me diktaturën: Të gjithë janë të humbur dhe në rastin “më të mirë” ata përdoren prej saj, duke i vrarë moralisht, duke i përulur, tallur, përqeshur e përbuzur.

Në Republikën Utopike të Platonit poetët lirikë përjashtoheshin dhe në rast kundërvënieje eliminoheshin në mënyrë shembullore. Për fat të keq, ky model sjelljeje i kësaj Republike me poetët do të merrte vlera arketipi përgjatë historisë së raporteve të shtetit me poetët. Sigurisht, rastet e eliminimeve të direkt, në mënyrë shembullore, janë rastet ekstreme tragjike të Trifon Xhagjikës, Genc Lekës, Vilson Blloshmit dhe Havzi Nelës. Ndërsa një ndër rastet sa tragjike, aq edhe ironike të poetit të përdorur, është rasti i poetit Koçi Petriti.

***

Ai erdhi në Librazhd në vitin 1967. Edhe pse kishte mbaruar universitetin për gjuhë-letërsi dhe ishte autor i dy vëllimeve me lirika, përkatësisht “Lirikat e Majit,” (1962) dhe “Përsëri në udhë,” (1967), në kartelën e tij të biografisë shënohet se ai, për shkak të origjinës, nuk duhet të punonte mësues. Ndërsa në një shkresë sekrete që zyrat e Partisë dhe të Pushtetit në Korçë ua dërgonin homologeve të tyre në Librazhd, shkruhej se ai nuk duhet të punonte si mësues, se ishte me origjinë fshatar i pasur, me baba të dënuar dy herë, dhe që gjatë Luftës kishte qenë komandant i Ballit Kombëtar: Ai, Koçi Petriti, kishte gjithashtu një vëlla që vazhdonte të vuante dënimin për tradhti ndaj atdheut, pasi kishte tentuar të arratisej në Greqi.

Për të njëjtat arsye, në këtë kohë Koçi Petritin e përjashtojnë nga zbori ushtarak pasuniversitar, pasi si bir nga një familje me pjesëtarë të dënuar për politikë, nuk duhet të bëhej oficer rezervist. Për ironi, këtë vit ( 1967), ai  pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, por i hiqet e drejta e botimit, e cila i kthehet me ndërhyrjen e Todi Lubonjës, në kohën kur këtë  e çuan sekretar Partie në Korçë. Por nuk i shpëtoi shërbimit të detyrueshëm ushtarak, me gjithë përpjekjet dhe ndërhyrjet e Resul Bedos, në atë kohë shkrimtar dhe funksionar për kulturën në ushtri.

Mbas ushtrie, megjithëse emërimin e kishte si përgjegjës i një vatre kulture, jepte mësim në shollë të mesme si mësues i komanduar. Është koha kur, sipas Myzejenit, në atë kohë Shefe e Arsimit në rrethin e Librazhdit, ai përndiqej dhe survejohej gjithandej. E shpëtoi nga kjo situate, në njëfarë mënyre, një funksionar  Komitetit Qendror të Partisë, i quajtur Llambi Premti, i cili, me vulën e Komitetit, lëshon një deklaratë ku vërtetonte se kishte qenë shok Lufte me Novruzin, vëllain e poetit.

Pas këtij “çlirimi” ai përfundimisht punon si mësues në shkollën e mesme Librazhd, me një emërim të rregullt. Është një mësues shumë i mirë dhe një ndër 3-4 poetët e afirmuar të viteve 70-të. Jo vetëm shpjegon letërsi, por ndihmon nxënësit e talentuar të futen në dyert e Universit Poetik. Falë kësaj ndihme Librazhdit do t’i vinin poetët ndër vite. Tani e do akoma më shumë këtë qytet dhe trevat përreth, të cilat zënë vend të dukshëm në baladat, poemat dhe poezitë e tij. Po kështu, qyteti dhe banorët e fshatrave përreth e duan poetin e tyre, që vargjet e poezisë së vet, më së shumti i ka hapur për ta. Por e gjithë kjo ishte shumë e bukur për të vazhduar gjatë.

***

Koçi Petriti ishte ai, poeti, anëtari i Organizatës së Shkrimtarëve, që i plotësonte më së miri kushtet  e shkrimtarit për t’u përdorur kundër shkrimtarëve, sidomos në momente të veçanta, ku duhej doemos një zgjidhje në favor të direktivës. Patjetër që ai do të bënte ç’do t’i kërkohej: Ai i dinte mirë pikat e tij të dobëta dhe kurrsesi nuk mund të sillej si disa të tjerë, redaktorë apo pedagogë që, ose nuk pranonin (se  kishin krahët e ngrohtë), ose u binin shkurt ekspertizave të tyre, duke mos u ndalur qartë, pikërisht atje, tek atakimi që poeti rebel i kishte bërë vijës së Partisë.

Më 28 shtator të vitit 1976, njëri nga hetuesit e Degës së Punëve të Brendshme në Librazhd i drejtohet Prof. Muzafer Xhaxhiut, për ekspertizën e poezisë Saharaja si dhe 4 blloqeve me poezi të tjera të Vilson Blloshmit. Në fakt ekspertiza e profesorit, për një volum kaq të madh pune ekspertuese (1 poezi më vete dhe 4 blloqe me poezi të tjera), ishte vetëm 1 faqe dhe pa nënvizime të veçanta, ku të vihej në dukje dhe të tërhiqej vëmendja për “shkeljen” apo “herezinë” e poetit.

Sa për poezinë Saharaja ekspertiza e tij ishte ekuivoke. Sipas tij, kjo poezi mund të merrej edhe me kuptim të drejtpërdrejtë, pra si peizazh, por mund të merrej edhe si aluzion. Për dreq, këtij profesorit edhe nuk mund t’i imponohej kush.

Atëherë duhej një ekspert tjetër, nga ata që, të detyruar prej rrethanave biografike, po të ishte nevoja edhe me shantazh, do të konceptonte një “ekspertizë” me hollësitë dhe nënvizimet e veçanta, për të vërtetuar dhe dëshmuar shkeljen e vijës poetit rebel. Askush nuk mund ta bënte më mirë këtë ekspertizë, veç atij, poetit nga Korça, me baba dhe një vëlla të dënuar për politikë, që kishte një familje të cilën duhet ta mbronte, por që e kishte provuar shpërfilljen, veçimin, bullizmin politik, menjëherë pas universitetit. Askush nuk mund ta bënte pra më mirë këtë “ekspertizë” se ai, poeti që  kishin filluar ta donin të gjithë, Koçi Petriti.

***

Ai Koçi Emin Petriti, ishte shënjuar djallëzisht për t’u përdorur kundër shkrimtarëve të tjerë. Tani ishte rasti kur ai duhej. Prandaj, më 10 janar të vitit 1977, një tjetër hetues i Degës së Punëve të Brendshme në Librazhd, i drejtohet atij me vendimin për ta thirrur si ekspert për të ekspertuar poezinë Saharaja.

Në formularin tip të vendimit nuk ka vend për mospranim. Mungesa e shenjave të tilla e bën atë vendim një urdhër të padiskutueshëm. Ekspertizën duhet ta bënte me nënvizime dhe cilësime të qarta, të cilat duhet të hidhnin dritë mbi shkeljen e vijës, mbi herezinë e poetit rebel. Madje, duhet të përdortë edhe citime nga fjalimet dhe direktivat e udhëheqësit të pagabueshëm, jo si ekspertiza e atij profesorit të letërsisë së huaj, e cila, pothuajse nuk vlente fare si dëshmi e shkeljes së vijës dhe herezisë. Në qoftë se ajo ekspertizë nuk do të ishte sipas kërkesave, do t’i kthehej par ta ribërë, madje me ngut! Koha nuk priste.

Dhe ai, poeti nga Korça, që e donte i gjithë Librazhdi, që shpjegonte aq bukur letërsinë, që bënte poemë për Urën e Bushtricës, që bënte baladë për Shkumbinin, por edhe për plakën Golomare, edhe për heronjtë që, të etur nga plagët, zvarriteshin drejt burimeve dhe me gjakun e tyre mbillnin lulekuqe, ai, poeti dhe mësuesi i dashur për lexuesit dhe nxënësit e tij, e bëri atë, ekspertizën famëkeqe dhe ia dorëzoi hetuesit, më 20 janar të vitit 1977.

Që nga ai moment koha për të u nda më dysh: Para aktit dhe pas aktit. Vazhdimisht poeti para aktit i bënte gjyqin poetit pas aktit. Në raste trishtimi dhe pendimi të thellë, poeti pas aktit ravijëzonte një Teodise, pra një lloj drejtësie hyjnore, adapt për të kuptuar plotësisht qenien njerëzore, por ah, kjo ishte transhendentale!

Pra dikur qe bindur se njerëzit me të cilët kishte të bënte: Të thjeshtët, kolegët, lexuesit, mësuesit, të gjithë pra, kurrë, kurrë nuk e kishin kuptuar dhe nuk kishin për ta kuptuar të vërtetën e tij. Dhe kjo për faktin e thjesht, se ata nuk mund të depërtonin kurrsesi në përjetimin e tij. Edhe në rastin më të mirë, kur shprehnin keqardhjen për të, ata kishin parasysh Koçin që kishin projektuar vetë dhe jo atë që ai ishte në të vërtetë.

Sado të përpiqej, ai kurrë nuk do të kuptohej prej “ gjykatësve” dhe “ avokatëve”, projektuesve të përbindshëm të viktimave të tyre. Prandaj ai, edhe kur miqtë e shokët e këshillonin për të folur, njësoj si Mërsoi, personazhi i Kamysë, nuk foli: E ndërpreu komunikimin më këtë botë ku përbindshëm ishte i projektuar dhe kurrsesi i kuptuar-pothuaj paradigmë e dramës moderniste (të pashkruar) të poetit, në këtë horizont të ndërprerë ku për shkak të barrierave, komunikimi ishte dhe vazhdon të jetë i pamundur.