Suplementi Pena Shqiptare/ Dr. Bledar Kurti: “Dashnorët e kohëve moderne”

769
Dr. Bledar Kurti – Këshilltari politik që sjell politikën edhe në roman
Dr. Bledar Kurti është këshilltar dhe analist politik, akademik, lektor universiteti, publicist politik dhe historik. Ka lindur në Durrës më 7 Gusht, 1977. Ai është autor i disa librave si: “Vajza nga Laguna”, “CIA dhe Presidentët Amerikanë”, “Udhëtim në Gjurmët e Vjetra” dhe “Të Reja të Civilizimit”, “Man Ray dhe Surealizmi”, dhe “One Touch!”
Së fundmi, Dr. Bledar Kurti vjen për lexuesit me romanin e tij të ri “Dashnorët e kohëve 
Moderne” (Grimca hije-drite nga jeta e një politikani)
– Shumë herë politika është bërë subjekt artistik, si është ndërthurur ajo në këtë libër dhe çfarë e bën të veçantë romanin tuaj?
Politika është një fushë tejet intriguese dhe padyshim frymëzuese edhe për t’u përdorur si vepër letrare. Në këtë roman ajo është organike me qëllimin e librit dhe i zbulon lexuesve disa aspekte të panjohura për ta. Ky raport i natyrshëm midis botës dhe konflikteve të brendshme të njeriut dhe profesionit të tij politik e bën këtë roman të veçantë. Një veçanti tjetër është që ky libër është botim i ONUFRI, shtëpisë botuese më prestigjioze në vend. Është privilegj i rrallë të bashkëpunosh me botuesin e Kadaresë, dhe shkrimtarëve më të mëdhenj të huaj dhe vendas. Vetë romani është fryt i një meditimi të gjatë shumë vjeçar, dhe procesi i botimit ka qenë një proces dialogu dhe bashkëpunimi me z. Bujar Hudhri, drejtuesin dhe botuesin e ONUFRI-t, të cilin e falënderoj pa masë për bashkëpunimin, inkurajimin dhe idetë e shumta që kemi shkëmbyer. Unë kam përshkruar një të vërtetë tejet trilluese dhe një trillim tejet real! Gjithkush do gjejë veten diku në rreshta apo do njohë dikë të afërm në ndonjë faqeje. Një gjë ju siguroj: është tronditës dhe do ndaheni nga libri me shumë pyetje në kokën tuaj. Përgjigjet gjithsecili do i japë sipas perceptimit të tij! Libri është konceptuar si një film! Ulesh e lexon, të trondit dhe të mbetet në kujtesë apo edhe në kthinat e errëta të ndërgjegjes! Ndonjëherë e vërteta është më trilluese se sa letërsia. Romani është i mbushur me grimca hije të errëta të natyrës njerëzore por edhe me një burim drite! Shpresoj që shumë lexues do arrijnë ta dallojnë dritën dhe jetën midis faqeve të këtij libri!
Sa të përbashkëta kanë politika dhe letërsia?
Si politika ashtu edhe arti i të shkruarit janë dy botë magjepsëse! Ato kanë shumë pika të përbashkëta. Për shembull: trillimin, psikologjinë e votuesit apo lexuesit, perspektivën kohore, frikën, suspansën, dhe mbi të gjitha personazhet! Në politikë ka personazhe që mjafton ti përshkruash realisht në një roman dhe ata të habisin! Politika, sidomos ajo shqiptare, mbart personazhe përtej çdo imagjinate librash apo filmash! Më besoni për këtë! Personazhe unik dhe po aq kontradiktor si në lidhje me injorancën ashtu edhe me zgjuarsinë, me mungesën e integritetit apo me klasin që mund të tregojnë, sa shumë vulgarë aq edhe gjenialë!Arti dhe politika janë më pranë nga sa duken, pasi vetë politika është arti i të qeverisjes. Gjatë dhjetë viteve të fundit më është dashur të shkruaj mbi shtatëqind fjalime dhe artikuj politik! Dikur ëndërroja të bëhesha njeriu i letrave ndërsa tani është e vështirë të shkëputem prej tyre! Gjuha dhe retorika politike më ka ndihmuar në aspektin e shkrimit letrar, të shprehem shkurt, qartë dhe kuptueshëm për lexuesit! Dashnorët e Kohëve Moderne është një roman i veçantë dhe me stil të ri për letërsinë shqiptare! Është një vepër shumë pranë politikës dhe njëkohësisht shumë larg saj! Romani rrok koncepte universale dhe jo tema të rëndomta politike të ditës, megjithatë çdo lexues do njihet me botën e brendshme të ndonjë politikani shqiptar. Ka qenë e lehtë të shkruaja një kolazh momentesh nga jeta dhe personaliteti i disa politikanëve! Nuanca hije drite nga jeta e tyre të ndërthurura të gjitha në një personazh totalisht, pjesërisht, apo ndoshta edhe aspak të trilluar! 
Ju keni punuar për disa zyrtarë të lartë të shtetit dhe deputetë, sa të vërteta ka ky libër nga eksperienca juaj?
Kam punuar si këshilltar për disa ministra e deputetë të Republikës së Shqipërisë, dhe pa asnjë dyshim filozofia dhe natyra e punës time është konfidencialiteti, të cilin nuk do e shkelja për asnjërin prej tyre, pasi do zhbëja vlerat e mia, profesionalizmin dhe integritetin tim, por besoj se më është lejuar nga vetë ndërgjegjja ime të piketoj momente dhe personazhe politik për të krijuar një triler artistik. Ky roman është ndryshe nga letërsia e zakonshme pasi duhet kuptuar në atë çfarë nuk thuhet se sa në atë që lexohet e zeza mbi të bardhë! Shumë lexuesve mund ti duket i rëndë në fjalor, me fjalë e përshkrime shokuese, por më besoni, nuk ka të krahasuar me çfarë realisht i rrethon lexuesit apo me ata të cilët bëjnë politikat e këtij vendi! Nëse do përshkruaja jetën reale të ndonjë politikani, ministri apo deputeti, do botoja një libër me faqe boshe pasi realisht kam njohur figura gjeniale në politikën shqiptare por kam njohur edhe nga ata që nuk meritojnë as edhe një fjali e jo më një roman. Personazhet e romanit tim shkojnë përtej provincializmit dhe injorancës të ndonjë politikani shqiptar, lufta e personazhit tim kryesor nuk është me pushtetin por me hijet brenda vetes, me konfliktin midis kotësive dhe gjërave të çmuara në jetë, midis fitores dhe humbjes së shpirtit, midis arrogancës dhe rënies tragjike. Me fjalë të tjera, beteja e vazhdueshme e brendshme e njeriut që nga krijimi i kohërave! Pyetja me të cilën unë e le çdo lexues, të thjeshtë apo politikan, është nëse ia vlen apo jo?! Ia vlen të humbasësh shpirtin dhe vlerat e vërteta për beteja të kota?!

Keni përdorur Ismail Kadarenë si personazh dytësor në librin tuaj, cila është arsyeja? 
Unë i detyrohem gjashtë libra, shtatëqind artikuj e fjalime politike, apo çdo shkrim që kam bërë, Ismail Kadaresë, pasi janë veprat e tij ato që më frymëzuan të bëhem njeri i letrave, dhe mbi të gjitha të bëhem qytetar i botës, pasi Kadare është shqiptar me përkatësi por penën e ka universale. Mjeshtëria e tij nuk mund kurrsesi të kufizohet nga kufijtë e një shteti. Ai e shfaq qytetarinë e botës edhe në biseda të thjeshta. Në një kafe të gjatë, para pak kohësh, me mjeshtrin Kadare, pata privilegjin të përjetoj nga afër universalizmin e ideve dhe bisedave të tij. 

Mjeshtri Kadare nuk është personazh i rastësishëm në këtë roman! Ai shërben si një standard i palëvizshëm universalizmi! Një standard të cilit ata politikanë shqiptarë që kanë shkuar e ata që do të vijnë nuk do i afrohen kurrë. Jeta e personazhit tim është e mbushur plot enigma, eros, inteligjencë dhe sharm, por mbi të gjitha me meditim dhe humbje! Ai ngrihet lehtë dhe po aq lehtë rrëzohet! Dhe kjo thjeshtësi tragjike vihet edhe më në pah kundrejt një personazhi emblemë në jetën reale dhe po ashtu në libër i cili është Ismail Kadare! Personazhi kryesor përshkruhet ndryshe nga lloji tipik i politikanit ballkanik por gjithçka që e rrethon është shumë e ngjashme me realitetin shqiptar. Vetëm ai është ndryshe, ose të paktën mendon se është i tillë, sepse fundja ai është thjeshtë një njeri i cili lufton me demonët e tij si çdo qenie tjetër njerëzore në botë! 
– Sa të vërteta ka ky libër?
Asnjë të vërtetë, njëkohësisht gjithçka të vërtetë! Ky është luksi që ka çdo njeri i penës! Luan me kuriozitetin e lexuesit! E josh atë me takimin me frikën më të madhe që ai apo ajo ka! Njëkohësisht përshkruan ndonjë figurë, këtë rast, ndonjë politikan, me natyrën e tij të vërtetë, në një kontekst të caktuar! Dikur, mjeshtrit e mëdhenj të artit, teksa i kërkohej të pikturonin tematika të krishtera, Judën e portretizonin gjithmonë me fytyrën e ndonjë sharlatani apo njeriu të urryer në qytet, apo Shën Marinë me fytyrën e një prostitute. Të tillë gjenden në këtë roman! Kam njohur shume njerëz fisnik në politikë të cilët meritojnë jo vetëm të punosh për ata por edhe ti dedikosh ca rreshta letërsie, sikurse edhe shume kloun që nuk meritojnë të punojnë as për shtetin shqiptar e as të përfaqësojnë shqiptarët në legjislativ, por meritojnë vetëm të mbajnë turpin e përjetshëm të një romani.

A keni një mesazh për lexuesit?
Lexojeni këtë roman të zhveshur nga paragjykimet dhe të çliruar nga kornizat e provincializmit shqiptar dhe kërkoni të vërtetën nën rreshta. Sepse pas shumë faqeve të errëta ku koha dhe hapësira nuk ekzistojnë, gjendet një dritë e vogël shprese dhe shpëtimi.
Sigal