Sigal

Artisti që arriti suksesin përmes talentit dhe këmbënguljes

Lindi në Bukuresht në rrugën e quajtur atëherë “Turku”, e më vonë “Malet Tatra”, i biri i Gjergj Bubanit. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Bukuresht. Gjatë viteve 1932-33 në Konstancë të Rumanisë Gjergji botoi gazetën patriotike “Kosova”. Në vitin 1940 Dionis Bubani, së bashku me familje u kthye në Shqipëri, vendlindjen e babait të tij. Pas katër vitesh që u kthyen në Shqipëri, regjimi komunist e burgosi Gjergj Bubanin, andaj Dionisi i ri u desh të kujdeset për vete dhe familjen. Ai punoi në një puntori biçikletash, shiti cigare rrugëve e nëpër kafene, por punoi edhe si kartelist, madje edhe si daktilograf në Ministrinë e Jashtme. Mëqe ishte djali i publicistit, ai filloi të merret edhe me shkrime. Në fillim punimet e veta i botoi në “Letrari i ri”, dhe “Rinia”, ndërsa në vitin 1946 filloi të bashkëpunon me revistën humoristike “Hosteni”, redaktor i së cilës u bë më vonë. Dinos Bubani në Tiranë studioi filologji. Gjatë punës së tij krijuese Dionis Bubani u muar me publicistikë, satirë, humor dhe letërsi për fëmijë e për të rritur, përkthime dhe me shkrimin e komedive. Për punën e tij krijuese dhe për përkthime ai u shpërblye disa herë. Ai njohu për së afërmi shumë rilindës e njerëz të shquar të kulturës sonë: Çajupin, Asdrenin, Kutelin, Poradecin, Luarasin, Kadarenë, Agollin, Godon, Grillon, Nikollën, Greblleshin, Manin e shumë të tjerë, për të cilët edhe ka shkruar një vepër. Është interesant të përmendet se Dionis Bubani ka përkthyer edhe “Poemën” e Lasgush Poradecit nga rumanishtja në shqip, të cilën Poradeci e shkroi gjatë kohës kur po jepte provimin pranues në Akademin e Arteve te Bukura në Bukuresht. Dionis Bubani vdiq në Tiranë me 10 shkurt 2006.

 

 

 

 

 

 

Fëmija i parë

 Si sot një vjet më parë jam martuar

Dhe të lumtur rrojmë ne,

Dikur isha çapkëne por jam shtruar,

Nisa në familje një jetë të re.

 

Kam qenë në rini shpesh e gëzuar,

Ëmbël qeshën sytë e mi,

Por sot me një gëzim të madh jam zgjuar,

Ndjeva ndoshta më të shtrenjtën lumturi.

 

Dua të këndoj

Gjithë botën unë ta lajmëroj:

O miqtë e mi

Më lindi një fëmijë!

 

Unë e ëndërroj,

Mezi pres që ta shikoj,

Ta përkëdhel ta puth me dashuri!

 

Dua të vallëzoj,

Gjithë botën unë ta përqafoj,

Trashëgimtari im jeton!

 

Tralala, ma të lutmur s’ka,

Se mua “mami” do më thotë!

Me lulëzim edhe shkëlqim

edhe natyra po më uron!

 

Fëmija është shpresa e shtëpisë,

T’ardhmen tonë përshëndet

Dhe vjen me gaz ky fryt i dashurisë,

Ëndërra e çdo zemre që me mall e pret.

 

Prandaj dhe unë e dua aq shumë.

Porsi drita e syve të mi!

Kur ndoshta do më lerë edhe pa gjumë,

Vetë unë do ta mbaj

në krahë me dhimbshuri.

Pasuria më e Çmuar

Sahati ecte me tik-tak,

Skënderi sillej kot vërdallë.

Dëgjoi një zë:

– Afrohu pak!

… Në dhomë kush i fliste vallë?

 

Fliste sahati, për çudi,

siç duket ish sahat i zoti:

– Po të flas un’, djalosh, se ti

e kalon kohën kot së koti…

 

Dhe nuk po bëhesh hiç merak

se koha shkon me çap të lehtë…

Un’eci shpejt: tik-tak, tik-tak,

ti asnjë hap nuk bën në jetë!

 

Po humbe tërë pasurinë,

mund që ta gjesh ti përsëri,

po humbe kohën dhe lirinë,

nuk i gjen dot më kurrsesi!

 

Tanushi 

Tanush Tanushi doli regjisor

Dhe shquhet si njeri mjaft parimor.

Sa herë teatri shfaq ndonjë premierë,

Mban një qëndrim të prerë.

 

Nëse i doli pjesa ideale,

Ka vetëm një meritë: Regjisoriale!

…Veç po dështoi, ta dini se e pivi

I tërë kolektivi!

 

S’ke ç’t’i bësh

 

Një sobë tunxhi e rëndë, markë e parë,

Ra në sevda me një ventilator:

-O shpirti im, të dua si e marrë,

Zemrën e shkretë, oh seç ma ke vrarë,

Rrëmbemë ti, i shtrenjti im dashnor!

 

Kur e dëgjoi ventilatori i shkretë

Sa s’luajti mendsh e nisi: – Ti je lule,

Ti je një engjëll, parajsë e vërtetë,

Ti je, për nder, përsosmëria vetë,

Merakun mu në zemër ti ma ngule!

 

Dhe çifti i zgjedhur pas pak u martua,

Por ç’taksirat, se shpejt na krisi sherri:

Sot dua fresk!

Po unë vapë dua!

-Jo!

-Po!

Bamb, bumb…

Aha, s’qenka për mua,

Do ndahemi…s’na puqet karakteri!