Suplementi Pena Shqiptare/ Dhimitër Shtëmbari: Me fjalë që lotojnë dhe me lot që flasin

1097
Shënime për librin “Humoristët dhe bejtexhinjtë e fshatit Mbrezhdan” të Fore Dorrit
Libri është i vetmi kopsht që punohet e mbillet për të tjerët, ka thënë një i mënçur. Duket, se pikërisht këtë ka mbajtur parasysh edhe Fore Dorri teksa ka punuar për librin “Humoristët dhe bejtexhinjtë e fshatit Mbrezhdan” të rrethit të Përmetit. Autori ka punuar me shumë vullnet në këtë “kopsht” shumë të bukur. Ka mbledhur me durim tërë atë pasuri shpirtërore të fshatit. Dhe nuk e ka pasur të lehtë, kur dihet se mjaft nga kjo pasuri transmetohej vetëm me gojë. Duke i qendruar besnik vjershërimit popullor, autori i këtij libri i ka përciellë lexuesit të sotshëm, por edhe atij të ardhshëm, një pasuri me vulë historie. Dhe ndërsa i lexojmë, kemi të drejtë të besojmë, se shpesh ka më tepër gjëra të mbytura në fund të një shpirti, se sa në fund të një deti. Lexon bejtet e Amalia Prillos dhe bindesh se sa interesante është magjia krijuese e popullit. Amalia, jo thjesht vargëzon, këndon, qan, portretizon, përgëzon, por edhe kritikon, ironizon e fshikullon rëndë zakone e vese. Vërtetë nuk është poete e shkolluar, por kjo s’e ka penguar të krijojë edhe vargje të atilla, disa prej të cilave zor se do të mund t’i kishte stisur ndonjë poet i afirmuar. Dhe ka ndodhur kështu e jo ndryshe, sepse i shkolluari shkruan çfarë ka lexuar, ndërsa i vuajturi shkruan çfarë ka jetuar. Edhe pse analfabete, intuita prej vjershëtoreje popullore Amalia Prillon e ka çuar të krijojë bejte me nota të fuqishme realiste. Në krijimet e saj gjen fjalë që lotojnë dhe lot që flasin. Bejtet që u kushton disa prej ish-politikanëve më në zë të Shqipërisë përshkohen nga një logjikë e shëndoshë atdhetare. Tregon me dhimbje, fshikullon me humor dhe transmeton me atdhetarizëm. Amalia të ve në mendime. Të duash është ndjenjë, të dish të duash është inteligjencë. Këtë sikur do të na thotë kjo vjershëtore e talentuar. 
Interesante e mbresëlënëse janë edhe bejtet e qendisura prej Vangjel. A. Dorrit. Tematika e gjërë, problematika e larmishme dhe përmbajtja e shëndoshë përbëjnë karakteristikën themelore të krijimtarisë gojore të këtij bejtexhiu të pasionuar. I frymëzuar nga realiteti që jeton, i këndon bukurisë dhe i thur himn dashurisë së vërtetë. Ai i thur vargje të ndjera njerëzve të punës, njerëzve që ndërtojnë ura komunikimi mes zemrave njërëzorë. Mik i vërtetë nuk është ai që të fshin lotët, por ai që nuk të le të qash. Humoristi i mirënjohur Llukan Jarazi mendimin e vetë sarkastik nuk e shpreh në vargje, por në grimca, skica e tregime të shkurtëra satirike, përmbajtja e të cilëve të bëjnë të vesh buzën në gaz. Është aftësi e jo kujtdo stisja e tregimeve të shkurtëra, të mbushura me material komik. Ana komike e grimcave humoristike të Llukanit del sheshit sidomos gjatë rrëfimit. Është art çështja e transmetimit të një ngjarjeje te dëgjuesit. Kushdo që lexon grimcat e humoristit Llukan Jarazi nuk mund të mos i lidhë ngjarjet që tregohen me veprimet e një Nastradini të vogël të fshatit. Me veprimet e zgjuara dhe me gjestet e befta, ky “Nastradin” ve në pozitë të vështirë edhe zyrtarë të kohës. Me veprimtarinë e vetë prej njëriu me humor, Llukani u pat dhënë zë nevojës, hallit dhe shqetësimit të hohës. Asgjë nuk e bën pa një sfond komik dhe pa një kotekst shoqëror. 


Sigal