Suplementi Pena Shqiptare/ Danja Zere: Dy libra të rinj në zhanrin e humor-satirës

891
Sigal

Shkrimtari Vangjush Saro vjen te lexuesit me romanin: “Misioni i z. Ndrio” dhe librin me fabula: “E dashur Dhelpër!”

 

Sapo janë përcjellë në treg dy librat e rinj të shkrimtarit Vangjush Saro: Romani “Misioni i z. Ndrio” dhe përmbledhja me fabula “E dashur Dhelpër!” Zhanri i humorit dhe satirës mbetet i preferuar për autorin, që vjen në këto publikime pas romanit të mëparshëm “Kurora e Ballkanit”, librit me fabula “Gomar apo Kaproll?”, si dhe novelës “Djali që u bë tullumbace”, publikuar në shqip dhe anglisht. Botimet janë publikuar nga ERIK Botime dhe janë ilustruar nga piktorja Alma Skënderi.

Romani “Misioni i z. Ndrio” – botim i dytë, i publikuar më parë me titullin “Misioni” – rrëfen një përpjekje në grotesk të atyre që aspirojnë të shmangin ndotjen e mjedisit dhe zvetënimin shpirtëror, përndryshe tatëpjetën e shoqërisë njerëzore, si pasojë e arrogancës dhe etjes histerike për pushtet e pasuri të politikanëve e monopoleve. Z. Ndrio, një profesor në pension, pothuaj i vetmuar dhe patjetër i varfër, i përkushtohet mbrojtjes së mjedisit dhe kthimit të njerëzimit në ditët e tij më të mira, kur ende nuk ishte ‘dorëzuar’ të zhurmat, plastika dhe kakofonia e elektronikës.  Ai ka një ekip të vogël: Një ‘asistent’, plak dede, që pret më kot për ndonjë shpërblim; dhe një zëdhënës, letrar delirant, që nuk duket asnjëherë andej, ngase e shkon tërë kohën kohën me ‘artin’ e të shkruarit. Ndonjëherë, ‘misionari’ duket edhe në shoqërinë e damave të çuditshme, kur një zonjë me prirje intelektuale që i vlerëson pasionet e tij, kur një pastruese me mendjen te paraja e shtrati, dhe kur një grua në halle, që shet misra të pjekura te qoshja e rrugës…

Por ndërkaq, profesori i mirë është gjithnjë i braktisur nga elita dhe nga VIP-at… E megjithatë, ai hidhet pareshtur nga aventura në aventurë ‘për të ndryshuar’ Shqipërinë, rajonin dhe Botën… Qëllimi i parë i tij është sensibilizimi i shoqërisë për degradimin ku po rrëshket; profesori zhvillon takime në shkolla e azile, në biznese, në TV, planifikon debate me zyrtarë të lartë, që nuk e qasin te dera, tenton lidhjen me organizata ndërkombëtare, që gjithashtu janë të pushtuara nga ‘Djalli’… Profesor Ndrio është një ëndërrimtar, një ‘luftëtar’ që për shkak të rrethanave, bëhet grotesk me vepra që rëndom mbyllen në mënyrë zhgënjyese. Qasja groteske në këtë gjetje, është e garantuar.

Libri me fabula, “E dashur Dhelpër”, gjithashtu vjen pas një sërë publikimeve të tjera në gjininë e humorit dhe satirës. Fabula është një nga ‘stacionet’ kryesore të autorit në rrugëtimin e tij letrar. (Vangjush Saro është një ndër lëvruesit e njohur në këtë zhanër.) Romani “Misioni i z. Ndrio” dhe përmbledhja me fabula “E dashur Dhelpër”, për më tepër, mbartin edhe jehonën e vlerësimeve të mëparshme të kritikës letrare për librat e botuar nga autori kohë pas kohe. Për krijimet e tij, janë shprehur me konsideratë shkrimtarë, kritikë letrarë e pedagogë me zë në fushën e letrave: Pandeli Koçi, Fatmir Terziu, Vangjush Ziko, Xhahid Bushati, Elvi Sidheri, Daniela Hasa, Flamur Shabani, Alda Shpata, Hyqmet Hasko, etj. Siç vënë në dukje edhe personalitetet e përmendur më sipër, autori ka krijuar tashmë profilin e vet artistik, çka pozohet si në gjininë e fabulës, edhe në prozë. Në krijimet e tij, gjuha e pasur dhe e përzgjedhur dhe kërkimi artistik janë të vazhdueshëm; dilemat përzihen me gjetje interesante; autori kombinon rrëfimin gazmor dhe ironik me notat lirike; alegoria dhe nënkuptimet favorizojnë meditimin dhe i japin mundësi lexuesit të kërkojë vetë përfundimet dhe të shtyhet në interpretime që variojnë.

Aktualisht, shkrimtari Vangjush Saro jeton në Vankuver (Kanada). Ai mban dy çmime kombëtare: Për librin me tregime “Biri i ambasadorit” dhe për novelën “Polic Këmbëvogli”. Disa nga krijimet e tij letrare e publicistike janë publikuar edhe në gjuhë të huaja.