Suplementi Pena Shqiptare/ Cikël poetik nga Albert Habazaj

130

NGJALA …

Hodha grepin, zura ngjalën, 

Ngjala nuk e mbajti fjalën.

Kur m’i tund ato tallaze,

Ku ta lë mendjen çapraze?!

Kur m’i ul e kur m’i ngre…,

Mendjen time ku ta le?!

Del në rrugë e ndrit me naze,

Kur nis e këndon avaze.

Grepit ç’m’i shpëtoi ngjala,

Në gji e rrëmbeu vala…

Ç’ke moj ngjalë, e lumit ngjalë,

Që shket e më vjen vërdallë?!

Ç’ke moj ngjalë, ngjalë e lumit,

Që më prish ëndrrat e gjumit?!

Çfar’ ke, pse tallesh me mua,

Shajtime, më zverdh si ftua.

Ngjalë, më s’të flas me gojë,

S’paska zot që të kuptojë…

Prap’ digjem kazan mbi zjarr

E vij tek ti një valë të marr…

Zgërdhihu rini!

Melodramë migjeniane

Qeshin bota, qeshim edhe ne,

që na ngjitet e qeshura për dhëmbësh

e ngërdheshja rinore sulet nën rè,

në trajta skeletesh na përplaset për këmbësh.

Veshur me zymtësi shekujsh,

rinia e buzëqeshjeve të grisura,

djallosi ditirambet për dishepujt,

kavaliere e mjerë, e krisura!

Qeshu rini, qeshu, ndreqi dhëmbët,

zgërdhihu, (kupto: bota është e botës!…)

Zezakja e bardhë në vertikale

vel hungërimat e derrave të Evropës,

të Marokut, të Gabonit a të Indisë,

të përtej globit, dreqit e të birit!…

E brengosura ime, e tronditura,

MJAFT! – Klith qumështi i bardhë i gjirit.

‘Sheleget’ e Karaburunit

                “…janë të pazëna me dorë”

– populli – 

Ato dehen për vete dhe të dehin,

Me shpirtmirësi të palëkundshme,

dinë të dashurojnë, jo të krehin,

sa të ëmbla janë, të lëngshme, të vrullshme.

Se flora dhe fauna e Dukatit

Rrit shelege që s’i bën tjetër trevë,

i lumtur si princ – kush ndër to gjen fatin,

ç’bëjnë më këndshëm në Madrid a Gjenevë?…

Shelege të shijshme Karaburuni

Tërë shkëlqim dhe elegancë labe.

Po dhelpërove me to, të merr lumi,

tigrohen si Sado Koshena*) ndaj barbarëve.

*) Sado Koshena, nga Dukati i Vlorës, Heroinë e Popullit për Luftën e Vlorës, 1920.