Suplementi Pena Shqiptare/ Cikël me epigramë nga Viron Kona

737
Sigal

             Lojë

Liderët thonë, politika është lojë,

shah, kukafshehtas, ngriva-shkriva,

të drejtë kanë, për mbretërit lojë është,

se ata që e pësojnë janë me mijëra.

Kalorësi dhe kali i tij

Nëse tregohesh më i vëmendshëm,

dhe i vlerëson gjërat me mprehtësi,

kupton, se ai që po të tërheq frerin,

është kalorësi. Ti je  veç kali i bindur i tij.

Një çakall veshngrehur pret

Hap sytë kur t`kalosh rrugën,

gjarpri të del në çdo shteg,

dhelpra pëshpërit me ujkun,

një çakall veshngrehur pret.

Kjo botë qenka e çuditshme,

për dikë e keqe, për dikë e mirë,

s`gjen qetësi, lëviz pareshtur,

n`gjysmë dritë, n`gjysmë errësirë.

Përrua në vërshim

Ikin vitet porsi re,

ca si pupla, ca me shi,

ca me krisma vetëtimash,

ç`pate që erdhe, pleqëri!?!

Vitet jo, or jo nuk mbahen,

as me kavo, as  me zinxhir,

ikën jeta, miku im,

si një përrua në vërshim.

Ndaj një gjurmë dhe ne ta lëmë,

qoftë një dritëz në errësirë,

kur t`na përcjellin për ne të thonë:

Lamtumirë, o njeri i mirë!