Suplementi Pena Shqiptare/ Branko Merxhani: “Nacionalisti, Petro Luarasi”

Një pesëdhjet vjetor që duhet të kremtohet 
Jemi Nacionalista!

Jemi nacionalista. Fjal’e modës. Jemi nacionalista pa kuptuar mir’e mirë kuptimin e fjalës “Nacios” dhe pa kujtuar as për një çast elementët konstitutivë, të vdekura e të gjalla, të kaluara e të pa haruara që kanë kontribuar dikur edhe që mund të kontribuojnë edhe sot në kristalizimin e idesë që shpreh kjo njohje, një vizitonjës i ynë gjerman, njeri me kulturë të thellë dhe eksperiencë në jetë, të fituar nëpër udhëtime të gjata në katër anët e botës, na thoshte një ditë, këtu dhe pak kohë përpara, duke shëtitur në të mishëruarin Bulevard që zgjatet tej nga e mëbgjërta e godinës së re të Bashkisë: “Shëtita Evropën fund e krye, pjesën më të madhe të Afrikës dhe thua gjithë Azinë. Kam parë dhe kam parë bulevarde. Por si këtë tuajin s’kam parë në asnjë vend. Bulevard pa shtëpira, qytet, kryeqytet pa jetë, pa ngjyrë, pa kuptim...s’kam parë gjëkundi. Jeton brenda në Tiranë ditë, jeton muaj, jeton vite. Njësoj është. Nuk mundesh të ndihesh që rron brenda në një kryeqytet, brenda në qendër të një kombi të sa po-lindur, i cili kërkon të rrojë e të rilindet. Asgjë rreth teje s’të bën përshtypje se gjendesh mu në zemër të një vendi të ri, që formohet, që ringjallet dhe që zien brenda flagave të kujtimeve të përbashkëta dhe të idealevet të përbashkëta. Dhëshiroja të gjeja këtu në mes një shesh të stolisur bukur, me shije dhe me kuptim. Këtu monumenti heroit t’uaj kombëtar, atje busti i Poetit t’uaj kombëtar, pak më tutje simboli i luftës t’uaj kombëtare. Dy tre vjet mbetën që të përmbushet e katërta e shekullit që fituat vet- qeverimin t’uaj. Dhe s’kini bërë akoma asgjë! ” Dëgjonim këto fjalë të rënda të vizitorit zemër-bardhë gjerman dhe krenat t’ona përuleshin nga toka pa dashur. E vërteta është’e hidhur, dhe zër’ i saj imponon nderim-nderim të heshtur dhe vuvër.(pa gojë)

Pesëdhjete vjet përpara. 
Përpara pesëdhjetë vjetësh, filloi një tragjedi. Është tragjedija e luftës nacionaliste e Orthodoksëvet te Shqiprisë jugore, të cilët sa po kishin filluar të ndienin gjendjen e vet të gabuar dhe gënjeshtare brenda qarkut t’Orthodoksisë Helenike. Dhe lufta filloi. Po ç’luftë!...Luftë kundra historisë së një serie shekujsh pa fund, luftë kundër një feje, që kish sunduar shpirtin e katundarit të thjeshtë dhe që gjoja e mbronte, e armatosur mirë prapa fuqisë kolosale t’imperatoris Otomane, luftë kundra Shtetit, kundra Kishës, kundra fshatit, kundra shtëpisë, kundra prindërve, kundër vet-vehtes, luftë që dëgjohej për herë të parë, e pamundshme, e pa përshkruarshme, Luftë kundër gjithë elementëve të Natyrës e të Mendjes, kundra traditave, zakoneve, ndryshimeve të klasave, me një fjalë, luftë kundër Perëndive dhe kundra... dreqërve! Një luftë’e tillë ka filluar në fundin e shekullit të kaluar dhe një nga fitoret më të rëndësishme të kësj lufte ka qënë shkolla e parë shqipe në Korçë, në vitin 1886. Tamam këtu dhe pesëdhjetë vjet përpara...

Një fole kombëtrae: QESTORATI 
Përkundrejt Gjinokastrës, përmbi disa bregore të vogla e të thepisura që formojnë pllajat e gjera të malit të Llunxhit, ngjitet një fshat’ i vogël që lulëzon, si një tufë trëndafilash midis hijeve dhe gjelbërimeve: Qestorati. Këtu drejt vitit 1880 një djalë i varfër i katundit, Zografua, që kishte fituar pasurira të mëdha në Stambollin e Sullatanëve dhe që më vonë shkoi e u vendos në Paris dhe që mbajti një kohë të gjatë në duart e veta borsën e kryeqytetit frëng, burrë veprojës dhe impozant, me famë shoqërore dhe me pjesëmarrje në nja dhjetë sipërmarrje ekonomike ndërkombëtare, hapi xhepin e vet dhe ngrehi një godinë shkollore moderne trikatëshe, një godinë që dallonte si një shtyllë kryelartë ndërmjet ndërtesave t’ulta të fashtit, më e madhe dhe më e dukshme edhe nga pallati imperial i Prefekturës së qytetit për kundruall: Shkolla Normale greke “Ta Zografia”. Drejtimi i kësaj shkolle, që mbante dhe rriste më tepër se dyqint nxënës, të përmbledhur nga fshatrat e Llunxhit si dhe ng’ato t’afërm Dropullit, të Pogonit dhe Labërisë, orthodhoks’e myslimanë, është ngarkuar në kujdesjen e një Pedagogu më të zot t’asaj kohe të Greqisë, nën kujdesin e Zamarja-s,që kishte studiuar shkencën e djallit në Universitetin e Leipzigut. Kjo Normale e vetme këtu në zemër të Lunxhit shqiptar e të Labërisë, bashkë me atë të Zosimesë, atje poshtë në Janinë, në qendrën e Epirit, punonin që të dyja në mënyrë sistematike për përhapjen e gjuhës greke dhe bashkë me‘të edhe për të mbjellur farën e “Megali Idheu-së” për hir të magjisë të librës greke, fjalë shkrimi e vetëm t’Epokës dhe nën hijen e kryqit t’Orthodhoksë, që për fshatarët e mjerë dhe të varfër ka qenë simboli i vetëm i shpëtimit nga skllavëria turke n’atë kohë. Qesorati ka qenë dhe është një fshat shqipo-fon. Fshat i mërgimtarëve që udhëtonin në Stamboll. Disa prej tyre prunë një ditë lajmin se në Stamboll rron një farë Naim Bej nga Frashëri, që di të shkruajë shqip dhe që thërret të bashkohen nën një flamur tjatër gjithë shqipo-fonët e Shqipërisë tej’e përtej pa bërë asnjë dallim feje. Ky lajm trumbetoi në fshat dhe turbulloi Normalen. N’atë kohë rronte në Qesorat Koto Hoxhi që kishte shkuar më parë në Stamboll ku u takua personalisht me Naimin dhe u kthye në fshat me mendime të reja: “Nuk jemi grekër ne, thoshte jemi shqiptarë, flasim shqip dhe jemi shumë miljonë të tëra frymë, n’Epir, në Labëri, në malet e Korçës, në fushat e Muzeqes, lart alpeve të Shkodrës dhe tutje deri ne thellësirat e kufirit serb. Na s’kemi hair nga grekët. Me këta vetëm feja na bashkon. Na ndan gjëja, gjuha, gjaku... Këta labër janë vëllezërit t’onë. Kemi humbur rrugën t’onë dhe s’dijmë se ku vemi. Le t’u japim dorën t’onë vllazërvet t’onë të harruar dhe do të shihni si do të shpëtojmë një herë e mirë nga skllavëria e Turkut!” Këto idera kishte Koto Hoxhi dhe mirrte me vete nxënësit e Normales dhe i mblidhte në sheshin e fshatit ditët e diela duke i përsëritur pa frik’ e pa lodhje. Duallën shumë mësonjës nga Normalia e Qesoratit. Mësonjës të gjuhës greke grumbuj të përgatitur mjaft mirë për fshatarët e Epirit dhe Maqedhonisë. Shumica e tyre kanë qenë nacionalistë të flaktë grekë. Bënin shenjën e kryqit dhe këndonin hymnin e çlirimit të Helenizmës. Por aty këtu dilnin nga ajo fole nacionaliste edhe disa type të çuditshme nacionalistësh fanatikë, por të frymëzuar nga idherat e Koto Hoxhit. Nacionalistët kanë qenë edhe ata të pakët porsi dhe shumica tjetër. Por me ndryshimin se ishin më fanatikë , përse luftonin për një idhe që akoma asnjëri nuk e besonte. Kështu duallën nga Normalja greke e Qesoratit një Pandeli Sotiri, nga Selca e Lunxhit, Petro Luarasi nga Luarasi i Kolonjës, i cili vazhdoi me hov e me një guxim të pa thënë, veprën e të parit njizet’e pesë vjet me radhë, nga 1886 gjer në 1911 në kohën kur vdiq i helmuar.

Kush është Petro Luarasi?
Lindi më 1865 ne Luaras, fshati’i Kolonjës, nga një familje malësore bujqish. I ati i tij, kryemjeshtër dhe bujk, hapi shkollën e parë të fshatit në vitin 1891, brenda në shtëpinë e vet, natyrisht shkollë greke. Biri i tij Petrua pasi mbaroi shkollën greke të katundit Hotovë, u dërgua në Qesorat në “Zografia”. Ketu u vu nën kujdesjen e Koto Hoxhit që i dha mësimet e para të gjuhës shqipe. Në librin që shtypi pak para vdekjes së tij e kujton me nderim. I kthyer në fshat emërohet mësonjës në Bezhan dhe këtu njihet me Sahli Butkën. Shartim’i dytë nacionalist. Nga Koto Hoxhi mori frymëzimin e ideologjisë nacionaliste, në Sahli Butkën gjeti një shok armësh me hovin e luftëtarit nacionalist. Mbasi dha mësim një vit dhe në fshatin katund, vjen në Luaras në 1865. Këtu hap luftën e parë kombëtare. Dhe e hapi gjer në shtëpi. Një botë armike të tij. Armik babai në shtëpi, armik prift’i fshatit, armik fqinji, armik bashkë–fshatari, armik kajmekani në Kolonjë, armik despoti ne Kostur, armmik Daljan Bej Qafzezi, armik shtëpija, fshati, kisha, feudali auktoriteti-armike krejt Shqipëria! Vetëm një mik kishte Petrua : Mulla Nazufin, mystetnik në Ersekë që e kishte ndihmuar në gjyqin kundër “Demogjerondis” së fshatit për vjedhjen e Abetares shqipe. Në vitin 1887, në muajin gusht, i paditur nga bashkëfshatarët e vet për ndjenjat e tij shqiptare pranë despotit Kyril në Kostur, thiret nga ky. Por Petrua nuk bindet as nga këshillat e buta, as edhe nga premtimet e majme. Mallkohet nga dhespoti. S’i vë veshin. Shkon në Ersekë edhe hap shkollë shqipe private për inat të dhespotit. Dhe fillon një veprim më të gjerë. Çështja shoqërore-fetare- politike, fillon të ziejë. Lufton pothuaj i vetëm kundra dhespotit dhe kundra feudalit dhe kajmakamit që bashkohen midis tyre. I pari demaskohej dhe interesat e të dy të fundit fillojnë të cenohen. Në fundin e atij viti shkon në Korçë ku merr përsipër drejtimin e shkollës shqipe së cilës i qe vrarë drejtori, Pandeli Sotiri prej shoqes se vet greke në Stamboll.(1889-1890)

Lëvizja nacionaliste ne Korçë
Petro Luarasi, i vendosur tanimë në Korçë, duke marrë përsipër drejtimin e Shkollës shqipe t’atjeshme, ka si bashkë-puntor zotin Hafëz Ali për gjuhën turke dhe Thoma Avramin për frengjishten. N’atë kohë u shtuan më shumë hetime dhe ndjekjet nga ana e autoriteteve qeveritare të vendit. Këta deshën të mirrnin vesh cilët ishin ndihmonjësit dhe përmbajtësit e shkollës si dhe për ç’qëllime mbahej ajo shkollë. E dinin fare mirë se nga vinin fondet dhe cilat ishin qëllimet e shkollës, autoritetet turke. Mirëpo këta deshën t’i mësonin këto nga goja e vet Petros, drejtorit të shkollës, në një formë informatash zyrtare, që ashtu t’i hidhnin në grackë përmbajtësit dhe kujdestarët e shkollës dhe për t’i dënuar më pastaj me ndonjë rasë. Petrua burrë i fortë dhe me karakter nuk i jepte asnjë rëndësi shtrëngimeve t’autoritetevet. As shtrëngimeve të tyre, as lajkave, as dhe të hollave të tyre. Mbeti besnik i idesë dhe i detyrës dhe karakteri i tij i sinqertë triumfoi më në fund. Viti shkoi mirë. Po në fund të vitit shkollor mytesarifi komunikoi një urdhër të Veliut të Manastirit, me anë të të cilit lajmëronte se këtej e tutje nuk mund të çelej asnjë shkollë shqipe pa marrë lejen e posaçme nga qeveria. Atëherë, Petrua, bisedon me shokët e pakët në Korçë dhe vete në Stamboll te Naimi për të biseduar çështjen. Shpejt u kthye dhe është i mbushur me letra rekomandimesh për “Maarif mudyjetin” të Manastirit, qendrën e prefekturës nga varej Korça. Shkolla shqipe është njohur zyrtarisht dhe Petrua fitoi dhe një diplomë të posaçme me anën e së cilës lejohet t’ushtrohet profesioni si mësonjës i gjuhës shqipe në Korçë. Faza e parë e luftës nuk kishte marrë fund dhe Korça u bë me një shkollë kombëtare, të vogël por mjaft të fortë të themeluar zyrtarisht . Kjo fazë ndihmoi krijimin e një foleje aktive që mund të mendonte dhe zgjerimin e punës nëpër qarkun e Korçës. Në vitin 1892 u hapën gjashtë shkolla të tjera shqipe në fshatrat e Kolonjës, në Luaras, Goshtivisht, Rehovë, Vodicë, Selenicë-Pizë dhe Treskë. Këto ngrehje të reja mbaheshin me t’ardhurat e shoqërisë “Drita” ne Bukuresht që kryesohej nga i ndyeri patriot Nikolla Naçi. Ashtu u themelua shkolla shqipe në Korçë, por një koh’e sipër u formua dhe një qark i tërë shkollash rreth saj. Atëherë Petrua largohet nga vendi që kishte në Korçë dhe shkon në Luaras të grejë qendrën e drejtimit t’atij rrethi të vogël arsimor; Bëhet d.m.th. inspektor i parë shqiptar i shkollave fillore shqipe.

Petrua mallkohet për herën e dytë
Në vitin 1892 dhespoti i Kosturit Filaretos duke dalë për shëtitjen e zakonshme për inspektim, erdhi edhe ne Kolonjë edhe në fshatrat dhe mbeti i habitur për përparimin e shkollave shqipe. Mend pëlciti. I dëshpëruar krejt, shpejton për në Korçë ku mbledh miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij dhe hedh një mallkim dhe aforizmë të rreptë kundra Petros dhe shokë të tij, me të cilin mallkon çdo krishter që vjen në marrëdhënje me këta dhe që dërgon djemtë në shkollë shqipe. Mirëpo mallkimet dhe aforizmat nuk bëjnë më as më të voglën përshtypje. Petrua kishte punuar mjaft dhe mundi të formojë në grup njërëzish fshatarë që filluan të tregonin një farë kundërshtimi të guximshëm dhe kundra këtyre mallkimeve të dhespotëve. Shkollat vazhdojnë prapë punën vet. Atëherë dhespoti i ndihmuar edhe nga grekomanët e vendit bën tertipe të tjera. Padisin dhe shpifin për protagonistin t’onë të pa lakuar, pranë Valiut te Manastirit Haxhi Osman Bej në Luaras dhe fillon hetimet. Më në fund Petrua paditet si shkaktar i vetëm i themelimit të shkollave. Mbetet pa përkrahje dhe shoqërohet për në Manastir. Katër muaj të tërë mbetet atje nëpër burgje. Më në fund shpëton, por me konditë që të mos përzihet këtej e tutje, me çështje shkollore. Gjashtë shkollat shqipe të Kolonjës mbyllen dhe Petrua mbetet i pa ngushëlluar.

Petrua shëtit nëpër fshatra 
Në vitin 1893 fillon një periudhë e re aktiviteti për Petron. Shëtiti në këmbë, fshatrat e Toskërisë ku shpërndahu falas pa të holla, libra shqipe në gjithë ata që dëshironin të mësonin gjuhën shqipe, qoftë për kërshëri, qoftë me dashje. Kjo punë vazhdon deri në vjetin 1903. Në muajin maj t’atij viti kapet nga organet qeveritare, burgoset në Kolonjë dhe andej në Korçë, zoti N. Naçi bashkë me shumë nacionalistë muhamedanë e të krishterë, nga të cilët një pjesë pas shumë hetimeve mundonjëse burgosen në Selanik dhe një pjesë tjetër internohen n’Anadoll. Midis tyre u nis për në Selanik edhe Petrua. Mirë po ushtarët Turq që e shoqëronin kur arritën në Glomboçë gjashtë orë jashtë Korçës, panë se udha është zënë nga komitaxhinjtë bullgarë dhe u detyruan t’i sillnin prapë në burgun e Korçës. Mbetet në burg disa muaj me radhë. Lirohet simbas një urdhri të Valiut te Manastirit që u keqkuptua nga drejtori i burgut. Por në muajin shkurt 1904 zbulohet gabimi i lirimit dhe e kërkojnë t’a arrestojnë prapë. Petrua preferoi të largohet nga Atdheu dhe arratiset për n’Amerikë.

Përpjekjet n’Amerikë
Gjatë kohës katër vjeçare të qëndrimit të tij n’Amerikë, Petrua nuk mbetet asnjë çast pa u përpjekur për realizimin e idealeve të tij. Mban letër shkëmbime me shokët e tij dhe bashkëpunon me shumë fletore të kohës. Themeloi shoqërinë “Malli i Mëmëdheut” ne Bufallo, e cila duke u përzier me shoqëri të tjera shkëmbehet në degë të “Vatrës ”. Në vitin 1907 organizoi dhe Komunitetin orthodhoks të Bostonit që zgjodhi at Fan Nolin Prift. Po pak kohë më pas përgatiti bashkë me pesë gjashtë shokë të tjerë të largohet nga Amerika për t’u bashkuar në Sofje më Bajo Topullin. N’atë kohë shpallet “Hyrjeti ” dhe kthehet në Shqipëri.

Mbas vitit 1908 
Në fund t’atij viti e gjejmë Petron prapë në Luaras të forcuar shumë më tepër. Fillon prapë aktivitetin e vetë shkollor të këputur katër vjet përpara. Emërohet drejtor i shollës shqipe në Korçë. Një vit më pas shkon në Manastir për të hapur edhe atje shkolla. Përpiqet një vit të tërë për t’i arritur qëllimit të vet, por nuk i del dot në krye. N’atë kohë e shohim si bashkëpunëtor të gazetës shqipe “Bashkimi i Kombit” që dilte n’atë qytet. Duke parë se s’bëhet gjë në Manastir kthehet rishtas dhe pranon propozimin të shkojë në Negovan si drejtor’i shkollës s’atjeshme. Behet mësonjës me pushkë. Atje fillon shkollën me gjasht’a shtatë nxënës dhe e transformoi me dyqind nxënës, djem e vajza. Shkolla shqipe e Negovanit ishte shkolla më e lulëzuar e asaj kohe. Kur erdhi Sulltan Reshati në Rumeli në 1911 dhe kalonte nga stacioni i Follorinës, këta nxënësit e Petros ishin ata që parakaluan tek sulltani duke kënduar këngë shqipe. Sulltani që bënte më tepër një udhëtim politik, çfaqi gëzimin e vet imperial për besnikërinë edhe përparimin e nxënësve shqipëtarë dhe u dhuroi njëqind lira flori. Me këto të holla Petrua ngrehi një godinë shkollore madhështore në sheshin e Negovanit.

Fundi tragjik i Petros
J’emi n’epokën e turbullt të kryengritjes së Kosovës, pak kohë përpara shpalljes së luftës Ballkanike. Qeveria turke bënte çdo gjë duke përdorur gjithë mjetet për të shuar çdo përpjekje shqiptare: Grekët, serbët, bullgarët dhe ata nuk mbetën pas duke mos luajtur rrolin e vet. Shkolla e Negovanit mbyllet dhe drejtori i saj arrestohet përsëri dhe hidhet nëpër burgjet e Korçës, me akuzën e pjesëtarit në komitetin e kryengritësve shqiptarë. Pak miq e ndihmojnë që të shpëtojnë edhe këtë radhë. Kthehet në Luaras, dhe atje pret që të pëlcasë bora e madhe që e parashikonte shumë t’afërme. Lufta është në prak. Pa u shpallur zyrtarisht kishte filluar në vende të ndryshme të Rumelisë, që të përgatitet nga ana e organeve vendase të ndryshme të shteteve Ballkanike. Viktim’e këtyre ngatërrestarëve, bie Petrua. Në 17 gusht viti 1911 Petrua shkon për n’Ersekë. Është hera e fundit që lë i gjallë fshatin e vet. Mbrëmave në Ersekë e ftojnë në një ziafet. Sëmuret. Doktori i vendit thërritet, po nuk vjen. Miqt’e thirur prej të helmuarit ndalohen të hyjnë prej xhandarëve që ruanin te dera e hanit. Disa fshatarë e marrin kaluar në kalë për në Luaras. Po s’munden të vazhdojnë më tutje fshatit Gostivisht. Këtu në shtëpinë e kushëririt të tij Petro Vasil Kolonja, qysh atë mesnatë ndërroi jetë. Të nesërmen i marrin kufomën dhe e shpien në fshatin e tij. Vjen aty doktori me suvaritë dhe xhandarët dhe e rrethojnë shtëpinë. Doktori jep urdhër të digjet kufoma me qëllim çnderimi se gjoja Petrua kishte vdekur nga ... kolera!

Prifti i fshatit duke treguar doktorin dhe suvarit u thoshte fshatarëve: -“Shikoni si vdes një i mallkuar!” Drama mbaroi dhe tragjedia po vazhdon...

Jemi Nacionalista
Nacionalist ka qënë Petro Luarasi që luftoi 25 vjet pa reshtur, pa u lodhur dhe pa u trembur nga asnjë rrezik. Luftoi me afsh dhe me pasion dhe për një ide që ishte ende ëndërr dhe që është për një botë të tërë edhe më keq se një ëndërr. Ishte ironi. Njëzet’e pesë vjet me radhë luftoi midis maleve, midis burgjeve, mes kurbeteve dhe varfërisht. Njëzet e pese vjet të tjerë kaluan nga dita e vdekjes së tij . të gjithë e harruan.

Pifft!...Jemi Nacionalista! 
Illyria, Nr. 42,1936