Errësira
tok me zhurmën e natës budapestiane
kishte shkarë
mbi rrjedhën e Danubit.
Vendin e saj pa u ndjerë
po e zinte tyli i mjegullës së agut
që sapo kish nis të davaritej.
Ecja nëpër “Ulloi Ut”1)
i bindur katërçipërisht
se po shkelja mbi gjurmë
të “Djemtë e rrugës Pal”.
“Nemecek!” – desh i thirra një djaloshi,
që humbi në atë fushë plot me caracë!
E çuditshme nuk e kisha menduar
që do të kishte diçka të përbashkët
kjo lagje vjetër e Budapestit
me mëhallën time në Tironë,
që nuk është më.
Më tej nën themelet e atyre godinave
thua të ketë qenë
ai shesh plot pemë,
një labirint i vërtetë
të cilën e mbrojtën me gjithë zemër,
nga këmishëkuqtë e Ceko Arcit
“Djemtë e rrugës Pal”
me në krye kapitenin Boka,
nën kapitenët: Ksobakos, Gareb, Kselin, Kolnin edhe me të vetmin
ushtar të vërtetë, besnik
të paepurin Nemecek.
Fëmijëria,
më të bukur kohë në jetë,
nuk besoj të ketë kaluar njeri.
Faleminderit Ferenc Molnar.
Libri yt si një busull magjike
na orientojë nëpër dallgët e jetës
për të gjetur mënyrën e duhur
si duhet jetuar ajo.
Dhe unë në të parin mëngjes,
që u ndodha në Budapest
“Djemtë e rrugës Pal”
i gjeta të bronzuar
në një nga trotuaret e saj.
Memories së Budapestit i qe shtuar
edhe një element historik i pavdekshëm.
Budapest, korrik 2004
1)-Bulevard në Budapest, një nga rrugët e hershme në lagjen më të vjetër të qytetit.