Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Hoxha: Shënime për librin “Vonë” nga Agim Bajrami

694
Sigal

Vonë.

Autori i librit me këtë titull  besoj se  ka dashur thjesht të nënvizojë 60 vjetorin e tij, sepse asnjëherë Agim Bajrami nuk ka qenë vonë në letërsinë shqipe me poezinë e tij që ka përfaqsësuar trendin shpirtëror të kohës e të brezit të tij.

Vjen edhe sot tamam në kohë këndvështrimi i butë, njerëzor i autorit të shqetësuar që e jeton jetën në plotësinë e saj dhe vështrimin e hedh në të katër pikat e horizontit të jetës njerëzore me nje ndjesi të hollë e të brishtë poetike.

Ndjeshmëria e hollë është tipari kryesor i poezive të këtij vëllimi.

Në këtë vëllim poetik autori demonstron pjekuri të thellë artistike, duke konsoliduar tiparet më të rëndësishme të poezisë së tij të mëparshme; në vjersha poeti i shqetësuar, në një mënyrë harmonike, vjen i njesuar shpesh herë me qytetarin e shqetësuar në përditshmërinë e tij.  Nuk është e lehtë të shkrish në një mënyrë kaq poetike poetin dhe shqetësimet e përditshmërisë. Por autori ka ditur që nga kjo  të na sjellë vargje madhështor e të fuqishëm:

Unë kurrë s’kam qënë ’ vëlla me natën/

apo

unë jam  njëardhje e gabuar/ koha ime është tradhëtuar….

Eshtë poeti që shqetësimin e madh social e përthyen në ndjeistë e veta interiore me mjeshtëri, ai që “bie në dashuri me lulet dhe s’u shkoj në takim”… ai që loton: “ një pemë sot u nda nga jeta/ ndaj mua loti më rënkon…”

Trishtimi i tij ndonse i paraqitur si intim dhe personal është i madh sa bota:

Këtu dita lind me krahë pëllumbi/ dhe kthehet korb i zi…

Të gjesh poezinë në realitetet brutale është një mjeshtëri e vecantë dhe një nga vlerat më të mira të këtij libri.

Autori qëmton në detajet e përditshme. Temat e mëdha si trishtimi, atdheu, liria, etj  Agim Bajrami ka ditur t’i sjellë të përthyera në detaje.

Në këtë libër autori e mbivendos ndjesinë e tij në detajet e jetës njerëzore duke e bërë atë më tronditëse dhe më fine.

Një tis intelektualizmi përshkon zëmërdridhjet duke i dhënë një përmasë të pazakontë jetës sonë të përditëshme në poezitë e këtij vëllimi.

Të pazakontë e bën ndjesia  poetit.

Sa përilustrim:

…Ujë, kafe dhe bishta cigaresh/ u mbyll kështu edhe një ditë…”

Apo

“…s’guxoj t’i  shoh në sy mëngjeset/ sepse do dalë një zë nga nata…”

Nuk di cfarë fjalësh të thuash pas fjalëve të përzgjedhura me shije, ritëm dhe rima peotike nga autori që në këtë vëllim demosntron jo vetëm pjekurinë e moshës por edhe pjekurinë stilistike dhe pozicionimin e tij më të mirë në letërsinë shqipe duke pasuruar poezinë bashkëkohore shqipe.