Suplementi Pena Shqiptare/ Bardhyl Londo: Shokët e babait

1069
Sigal

Shokët e babait

Bardhyl Londo

Erdha prapë në qytetin e lindjes,
I shtrenjti baba nuk jeton më.
Shokët e tij vijnë më takojnë me radhë
sikur dalin nga baladat një nga një.

Një është i lashtë sa një proverb,
i thinjur si mençuria një tjetër.
Dikush më pëshpërit diçka nëpër buzë,
si Homeri gati i verbër.

Oh,sa kafe sot kam për të pirë,
të gjithëve duhet t’ua marr sot cigare.
Ç’tu them?Jam vetë për t’u ngushëlluar
po sot ata duhet të ngushëlloj më parë.

Një ngre ngadalë krahun e ngrirë
dhe plaga e moshës ia bën “krak”,
“Të na rrosh o bir!- dhe hesht i menduar
eposit sikur do t’i shtojë një varg.

Tymosin llullat.
Duhan i ri. Shqopë e lashtë.
Ikën. Ku shkuan vallë?
U futën prapë në baladë.

Ikën. Po loti mbi faqe
si një plagë e re njërit i ngriu.
Faleminderit o lot,edhe njëherë më kujtove
Se nuk vdes aq lehtë njeriu.

1982