Suplementi Pena Shqiptare/ Asdreni: Poeti modern i Rilindjes

976
Lindi më 11 prill 1872 në Drenovë në një familje të varfër fshatare. I mbetur jetim u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani, më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me shtrëngime. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së Naim Frashërit, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911–1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu resht detyrës ndaj atdheut («Zëri i kryengritësve», «Krerëve tradhëtorë», «Çpërblimi»). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës. Ngjarjet që pasuan shembjen e shtetit të lirë kombëtar shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914–1920(«Shqipëria më 1914» etj.). Në gjysmën e parë të vitit 20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore. Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme. si «Hymni i festës», «Fisnikët e Shqipërisë», «Republika shqiptare», në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit Demokratik-borgjez të Qershorit 1924 e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit (Psallme murgu, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve 30). Herë-herë poeti u përpoq të çlirohej nga ndikimet moderniste: në poemën «Trashëgimi» (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt Kambana e Krujës nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.
ORA E ZEMRËS
Shkrihen ujërat nër liqene,
Qielli fletët nis e hap
Mbyllur zemra rri si qene
S’do të çohet jashtë një çap
Strehëve treten dhe kongjijtë,
Shterin lotët gjithë pikë pikë
Zemra hesht e mbledh pëqinjtë
Me një sy më sheh të lik.
Majë biskut zogu tundet,
Rreze vere gjithë po pret,
Gjumit zemra s’do të shkundet,
As një ndjenjë asaj si flet.
Kryet kaçja qet si trime
Qilimin e bardhë e flaku tej,
Tuf’ e barit dje si qime,
Sot çel bishtrat mu si hej.
Dhe gjinkalla merë kitarën
Një arratisës vjershëtor
Rri mpreh zërin mi të parën,
fije barit prandveror.
Hapu zemër, vjen pranvera
Rreze shkasin në çdo skaj
Merr lahutën dil tek dera,
Nisia këngës e mos qaj!
Thurja këngës dhembshurije
Çele zemrën magjiplotë,
Ligjëratën dashurije
Që dha qielli dorëplotë.
Çohu zemër, shteri lotët,
Bjeri tingullit ledhatar
Se gjësendi s’vlejnë motet
Sa vlen çasti magjistar..
Dua
Mbi bar dua të prehem,
të këndoj, të dëfrehem,
të shoh rreth bagëtinë,
kur hanë dhe pinë;
të shoh fushat e blerta,
bimët kur i fryen era,
njerëzit kur punojnë
dhe çupat kur këndojnë!
Ah, dua dhe lulet,
kur i shfaqin pekulet,
dhe fluturat që venë,
mbi to dua të jenë;
bilbili t’ia thotë
nën diellin e ngrohtë. 
Dua dhe Shqipërinë,
se atje kam shtëpinë,
kur rrija nëpër ferrat
edhe lozja me shqerrat;
për këtë kam dëshirë
dhe s’dua më mirë,
atje dua të shkoj,
sa të jem e të rroj!
Kthime
Kur të pashë më s’të lashë,
T’u afrova e s’t’u ndashë
Dhe me zë t’ëmbël të thashë:
“Sa të dua o moj vashë!”
edhe në gjunjë të rashë,
T’u luta gjersa u vrashë
Po nga zemra psherëtita
U treta, u lebetita,
Se asnjë fjalë s’të qita,
Gjersa shpresën far’ e ngrita
Se m’u mërzit sa të prita,
Aq sa u ngrys edhe dita.
Vetëm pastaj unë u zgjova
Dhe mendjen time ndërrova
Kur zemrën ta kuptova
Dhe ika e të harrova,
Nga tërë mundimet shpëtova
Si dhe shpirtin e qetova.
Pastaj ti mbrëmanet herët
Më vjen rrotull si një shqerrë
Si një fytyrë në verë
Dhe më lutesh aqë herë
Po tashti shëko të tjerë
S’e s’të dua moj e mjerë.
Sigal