Suplementi Pena Shqiptare/ Andon Zako Çajupi: Poeti i Tomorrit të shenjtë

1141
Sigal

Emri i tij i vërtetë është Andon Çako, nuk dihet për ç’arsye ai përdori edhe formën Zako. Emri letrar Çajupi është emri i një mali të vendlindjes, mallin dhe kujtimin e së cilës e nguliti dhe e përjetësoi në pseudonimin e tij. Lindi në Sheper të Zagorisë më 27 mars 1866. Mësimet e para i mori në vendlindje ku kreu dhe një shkollë gjysëm të mesme greke. Rol të madh në formimin e tij ka luajtur sidomos gjyshi nga e ëma, i cili e futi në botën magjepëse të përrallave, të legjendave e të këngëve popullore, prej së cilës poeti i ardhshëm nuk do të ndahej më kurrë. I ati i Çajupit, Harito Çakua, ishte kurbetçi në Misir, ku qe aktivizuar në lëvizjen atdhetare. Ai e tërhoqi të birin nga fshati për të vazhduar studimet. Andoni ishte vetëm 15 vjeç, kur la shoqërinë për të ndjekurnjë kolegj francez në Aleksandri, duke marrë me vete mallin e së ëmës Zoicës, dhe të gurëve e maleve të Zagorisë. Me këtë kulturë ai i kishte të hapura dyert e universitetit, të cilin e ndoqi në vitet 1887-1893 në Gjenevë, ku studjoi për drejtësi. Emri i tij nisi të njihej në rrethet e atdhetarëve që në fund të shekullit, kur botoi më 1898 artikullin e gjatë “Duke kërkuar një alfabet”, në të cilin spikat shqetësimi i tij për unitetin e lëvizjes kombëtare dhe kulturore, për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës amtare përmes një alfabeti të njësuar. Por vepra që e bëri të njohur në mbarë botën shqiptare ishte përmbledhja poetike “Baba Tomorri” (1902) ku përfshiu komedinë “katërmbëdhjetë vjeç dhëndërr”. Me këtë vepër ai u bë poeti më i njohur pas Naimit, figura që zuri vendin që mbeti bosh pas humbjes së poetit kombëtar më 1900.
Vjershat patriotike dhe luftarake të “Baba Tomorrit” frymëzuan çetat e lirisë dhe kryengritjet e mëdha që i sollën pavarësinë Shqipërisë më 1912. Këtë ngjarje poeti e priti me gëzim, u duk se iu hap udha për t’u kthyer në mëmëdhè, por, Lufta e Parë Botërore dhe trazirat e mëvonshme e shtynë larg këtë shpresë. Megjithatë ai i ndiqte nga afër ngjarjet në Shqipëri, duke mbetur gjithmonë në krah të forcave përparimtare e demokratike. Më 1919 Çajupi ishte në ballë të përpjekjeve të shqiptarëve të Misirit, për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar në Konferencën e Paqes që mblidhej në Paris. Ai dënoi qeverinë e Durrësit, që ishte vegël e fuqive imperialiste, ashtu siç dënoi përpjekjet e feudalëve tradhëtarë për ta bërë Shqipërinë çiflik të tyre e për ta nxjerrë në ankand sipas interesit. Me këto qëndrime ai thelloi demokratizimin në lëvizjen mendore dhe në letërsinë shqiptare. Çajupi ishte për demokracinë dhe qytetërimin, prandaj e përshëndeti Revolucionin Demokratiko-Borgjez të Qershorit të vitit 1924, frytet e të cilit nuk arriti t’i gëzonte populli shqiptar. Demokracia e pati jetën e shkurtër dhe, në vend të saj, u rikthye pushteti i feudalëve me ardhjen e A. Zogut në fuqi. Kur u mor vesh se ky do ta shpallte veten mbret, Çajupi që ishte në krye të “Shoqërisë së miqve”, të themeluar në Kajro, i drejtoi Qeverisë së Tiranës një protestë, midis të tjerave thuhej se koha e mbretërve shkoi, “kurse edhe ata që i kanë, po vështrojnë t’i përzënë”, Ky qëndrim i vendosur antimonarkist ia mbylli përfundimisht poetit rrugën për t’u kthyer në Shqipëri, që të tretej në “baltën më të ëmbël se mjalta” të mëmëdheut. Vdiq në Kajro më 11 korrik 1930. Shtypi zyrtar në Shqipëri e kaloi vdekjen e tij pothuajse në heshtje.
La në dorëshkrim pjesën më të madhe të veprave të tij, poemën “Baba Musa lakuriq”, një parodi e biblës, tragjedinë “Burri i dheut”, që u botua pas vdekjes më 1935, komedinë “Pas vdekjes” që u botua më 1937, përmbledhjen poetike “Këngë e vome”, fati i së cilës nuk dihet. Me gjallje, përveç “Baba Tomorrit” botoi Përrallat e La Fontenit (1921) përshtatur prej tij nga frengjishtja dhe “Lulet e Hindit” (1922), një tufë vjershash të letërsisë sanskrishte, nga artikujt e paktë që botoi në shtypin e kohës duhet përmendur pamfleti “Klubi i Selanikut” (1909), një nga kulmet e publicistikës së Rilindjes. Në këtë pamflet Çajupi demaskoi demagogët e xhonturqve dhe të veglave të tyre, që kishin hyrë në lëvizjen kombëtare për interesat e ngushta të kastës së bejlerëve turkoshakë e fanatikë, të zellshëm për t’i zgjatur jetën të “sëmurit të Bosforit”, perandorisë së kalbur të sulltanëve osmanë.

Ku Kemi Lerë

Në ç’vend kemi lerë?
Ku na bëjnë nderë?
–Në Shqipëri.

Po njeriu vetë,
cilë do në jetë?
–Do vend’ e tij.

Ku i duket balta
m’ë e ëmbël se mjalta?
–Në vend të tij.

Ku munt të gëzojë
dhe me nder të rrojë?
–Në Shqipëri.

Përse të punojë
dhe të lakëmojë?
–Për vend’ e tij.

Mëmëdheu

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku më ka dashur mëm’ e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë,
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qenë
dhe varret që kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime,
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur ku kam qarë,
ku rroj me gaz e me shpresë,
ku kam dëshirë të vdes.