Suplementi Pena Shqiptare/ Andon Zago Çajupi: “Klub i Selanikut”

985
Sigal

Që kur thanë se prunë konstituçi (si ta themi shqip këtë fjalë?) shqiptarët po ngrenë klub ndë çdo anë, ndë çdo qytet, ndë çdo katund, brenda ndë Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë. Mbase shumë shqiptarë nukë dinë se ç’domethënë kjo fjalë klub (Club) Meqënëqë dhe unë jam nga këta shqipëtarë të paditur, mora një ditë një fjalor dhe pashë se kjo fjalë qënka përdorur ndë ballë fare nga englezët dhe rrëfeka një mbledhje miqsh për të ngrën’ e për të pirë, duke paguar gjithkush pes’ e nga pesë.
Kur kupëtova mirë se ç’na tregon fjala klub, desha të kupëtoj dhe qëllimin e klubeve që vendosnin sot shqipëtarët. Ky qëllim është i bashkët a i veçantë? I atdhetartë, i vlertë, a i dëmçim? Punë fort e rëndë dhe, duke ndenjur këtu ndë Misir, ndë mes t’ arapëve e t’ arapkave, ndë pikë të vapës, kupëtova që s’i apij dot funt kurrë. Vërtet keshe kënduar te fleta “Liria”1) se Klub’ i Selanikut mpron të drejtat e kombit shqipëtar.
Po këto lajme s’ishnë mjaft për të gjetur mirë qëllimin e klubeve. Për këtë shkak, u menduaç të bëj një udhëtim, që të shoh me syt’ e mi dhe të ndëgjojme vesht’ e mi ç’punë bëjnë dhe ç’dobi kanë për atdhenë.
U ngresh, pra, dhe ika nga Misiri dhe vajta ndreq ndë Selanik, ku me vrap kërkova dhe gjeta vendin tek gjendet Klub’ i Shqipëtarëvet. Ndë të dukur, klubi dukej mos më keq, o Zot,…po do të ketë ndofta anëtarë me kokë të fortë! Gjeta brenda gjer 40 vetë, të tërë myslimanë, asnjë të krishterë! Asnjë, s’ma vari torbën.
Desha t’ikij, se pandeva se u gabova e hyra në një Klub turqsh. Atë çast arriti kryetar i Klubit, Midat beu, me një bej tjetër. Guxova e thashë: Zoti bej, jam aksekush, u falem me nder, turçen, besa, nuk e di!…
– Prit, pakëzë, më thotë, se kam një çi-çi-çikë punë me bejnë.
Prita. Atje ku presë, pashë një djalosh të veshur alldupçe. Jam shqipëtar, thashë. Turçen s’e di. Të lutem tregomë Klubin e Shqipëtarëve, se një hamall më gënjeu e më solli këtu. Këtu, më thotë ai, është klubi tonë.

-Nga të kemi?

-Nga lumi që të më marrë, i thashë…
– Sonte, më tha ai, – kemi mbledhje, se kushëriri i presidentit, që vete mutesarif në Seres …3) do të flasë për Shqipërinë gjer’ e gjatë, se është njeri fort i ditur. Vallahi, të rrish ta ndëgjosh.
Ndënja ndë një bri, me zemër të gëzuar, se do të ndëgjojë dhe unë një bej shqipëtar, nga der’e Frashërit, të na flasë shqip për më-më-më-dhenë. Pas pak erdhi beu: Duart e anëtarëve u përpoqnë me një të madhe trokëllimë…
Beu qënkej i thatë, i verdhë, me një fytyrë fort të shëmtuar e të dobët, ndofta nga dituria e madhe.
M’erth ndë mënt Klub’ i të Liqve në Londrë, që kish për kryetar Karlon II.
Beu tundi krahtë, u koll pakëzë, fshiu buzët, hapi gojën dhe tha… Mos pritni t’u them se ç’tha. Për zone s’kupëtova dot mirë, se fjalët rrokulliseshin si dhëntë njëra pas tjetrës, ca të bardha, ca të zeza, ca syska, ca bejka, ca ruda, ca kaleshe, ca shyta, ca me brirë, po të të gjitha plaka të shkuara e të vjetëra.
A foli për Shqipërinë? Jo, besa! Foli vetëm për Turqinë.
– Alldupi ka qenë kështu, ka qenë ashtu, ka bere ketë, atë,…sa dhe sot gjëndet një xhami ndë Vjenë! Ç’është Evropa përpara Turqisë?…Ata që lëvdojnë të krishtërimnë, janë të marrë! Besa jonë është e vërtetë. Turqia duhet të rrojë, që të lulëzojë faq’ e dheut! Që të rrojë Turqia ndë mes t’Evropës, duhet të mbajnë vetë fuqinë ndë duar të tyre, domethënë ata vetëm të jenë ministorë, valinj, komandanë, ushtarë e gjykatës!…Të krishterët duhet të punojnë, se janë lindur vetëm për punë, për mjeshtëri e për bujqësi…Dhe kështu, me këtë mënyrë, turqit (thotë) mundin të mbanë fuqinë, të kenë ndë dorë guvernën…dhe kështu do të rrojë me jetë!
Këto qenë fjalët e fundit të beut mut-e-sari.f të Seresit! Duartë u përpoqnë fort, anëtarët u lëshuanë të ngjatjetojnë bejnë…Zëmëra më qante dhe thashë me vehten time:
– T’u thaftë goja, more beu ynë! Të plastë koka more beu ynë! Të paskan lënë mëntë, more beu ynë! Qënke veshgjatë, more beu ynë! Qënke turk, more beu ynë! Qënke xhonturk, more beu ynë! Ndë Klub të Shqiptarëvet na the si duhet të sillet Turqia që të shpëtojë nga rreziku i sotmë dhe të rrojë përjetë. Pse s’fole një fjalë dhe për Shqipërinë? Pse? Apo s’keshe se ç’të thoshe? Apo t’erth frikë nga xhonturqit, që të dërguan mut-e-sarif ndë Seres, që të shaç kaurët? Pse s’tu tha gjuha ndë gojë?… Mos na thuani tjetër herë se ini shqipëtarë, mos na çani kryet me gënjeshtra, se u kemi kupëtuar se ç’ini ndë zemër tuaj! Ju punoni për Turqinë e jo për Shqipërinë. Fanatizma u ka verbuar. Duani t’u mbesojmë për shqipëtarë? Dilni nga buk’ e turkut, hani bukën me djersë si neve e jo duke rrjepur, duke vjedhur. Hiqni dorë nga fanatizma e turqëve, mirrni qytetërimin t’Evropit, që ndriçon botën, zbukuron mendjen, zbut zakonet. Nukë them ndëroni besën jo!
Po të ndërroni mendjen, të mejtoni dhe të silli sperndimasit (evropasit) në dojni të rroni ndë mes tEvropësë.
Besa jo, shqipëtarët myslimanë, s’janë të tërë si ky faqezi i çmendur, që lëpin, me far’ e me fis, çanakët e xhonturqëvet dhe për këtë shkak i falet zo tit të rrojë Turqia përjetë ndë Shqipëri. Zoti mos ndëgjoftë të tillë njerz të poshtër e këpucëgrisur! Rroftë Shqipëria e lirë! U shoftë Klub’ i Selanikut se qënka i xhonturqëve e, jo i shqipëtarëve! U shofshin të tërë klubet e Shqipërisë, në punojnë për xhonturqit dhe në kanë për qëllim çarje dhe armiqësi ndë mes të shqiptarëve myslimanë e të krishterë!
Rroftë dashuria! Rroftë bashkimi! 4)
*) Botuar te gazeta “Rrufeja” e Egjyptit, gusht 1909, që e drejtonte Jani Vruho.

Shënim: Si shërbëtor të të huajve, Mithat dhe Medi Frashëri, kushërinj, u shërbyen edhe fashisto-nazistëve, Mithati si kryetar i Ballit Kombëtar dhe Medi Frashëri si kryeministër i qeverisë kuislinge nën pushtimin nazist.

Përgatiti: Sadik Muraj