Suplementi Pena Shqiptare/ Alma Jaku: Gishti magjik

697
Sigal

Në mes të gjithë atij luksi pllakoste një mjerim i trishtë, njerëz të shpërfytyruar nga dhimbja, ecnin mbi pllakat e mermerta plot shkëlqim. Me siguri shume prej tyre e kishin ëndërruar të ishin në një vend të tillë, pa e patur mundësinë ekonomike ta përballonin dhe pikërisht tani e shpërfillnin madhështinë luksoze të resortit! Sa herë dëgjoja historitë që tregonin banorët e rehatuar atje, më vinte një urrejtje e madhe ndaj Perëndisë, për dhimbjen që kishte lëshuar mbi bijtë e tij. Kjo ndjenjë kryeneçe dhe rebele, më shpërtheu me forcën më të madhe kur njoha Alisën, ngrita sytë nga qielli me një ulërimë të brendshme dhe iu drejtova: – A je i kënaqur me këtë o Zot; a po qesh; a ndjehesh i lumtur? Më dëgjon tani? Unë të urrej, po po të urrej me gjithë shpirt! E kupton çfarë ke bërë? Zemerimi im i përditshëm me Zotin, fashitej çdo mbrëmje kur përqafoja tim bir, ndjeja aromën e ngrohtë të tij, që mbushte kraharorin tim dhe në heshtje përshpërisja: -Faleminderit zot për fëmijën që e kam ndër krahë, te lumtur e të sigurt! Alisa, një fëmijë 5 vjeçar me trup të imët, sytë ngjyrë gështenjë qenë të rrethuar nga një hije e errët, me siguri qe një fëmijë anemik ose më dukej mua nga trishtimi që mbartte fytyra e saj. Flokët e verdhë, i binin deri në supet e brishta që pothuajse tërë kohën kishte të mbledhur. Ndyshe nga fëmijët e tjerë që ishin përfshirë në lojëra argëtuese, që bënin edukatorët, Alisa qendronte e veçuar dhe sado ata u përpoqën ta përfshinin, ajo i kishte refuzuar me këmbëngulje. U afrova afër dhe iu ula në karrigen pranë saj, jam shumë e trishtuar, i thashë! Ashtu si shpresoja, ajo u përfshi në bisedë me mua. Më pyeti përse? Kam humbur gishtin tim magjik, -i thashë. Ti ke një gisht magjik?! Më pyeti me habi. E kisha, por tani nuk funksionon më, tani është një gisht shtrembaluq dhe fillova ta lëvizja në mënyrë qesharake. Hmm, tha duke më parë me mosbesim, unë e di që gjërat magjike nuk ekzistojnë, mami im është zana e dhëmbit për shembull, unë e kam parë të marrë dhëmbin tim poshtë jastëkut. Pse mami yt nuk është e bukur dhe e ëmbël si zanë? E pyeta. Po, tha ajo! Atëherë është një zanë dhëmbi, nuk diskutohet! Kur thash këtë, vura re një rreze drite që çeli me të qeshur në fytyrën e saj. -Me trego për gishtin magjik, më tha…
-Eshte ky, i thashë dhe i tregova gishtin tregues, tani është veç një gisht tregues , më parë ishte magjik. -Çfarë bënte ky gishti yt magjik? -Bënte të lindnin buzëqeshje sa herë prekja nje fëmijë.
-Nuk e besoj! Tha përsëri. Nuk kam ç’të them tani, nuk e kam më, mund ta provosh tek unë? Më tha me kureshtjen e fëmijës. -Po, por duhet të zbatojmë rregullat e gishtit magjik! -Që janë? -Më parë çdo fëmijë duhet të tregojë Pse është i mërzitur?! -Jam e zemëruar me Anjën, më tha. -Kush është Anja? -Shoqja ime e ngushtë ka ikur me pushime në mal. Unë e kam falur por dua të vijë të shohë detin, e ke pare sa i bukur është? -Më tha. -Jam gati! I thashë dhe pata ndjesinë që sapo kisha gëlltitur një grusht me gozhdë që pengonin ajrin të më futej në kraharor. Pamëshirshmërisht gozhdët gërryenin dhimbshëm brendinë time… Nga momenti në moment ndjeja që do të shkrehesha në lotë dhe kjo gjendje duhej shmangur nga sytë e Alisës. Mblodha veten dhe thashë: “Ja ku po vjen gishti magjik”, rrotullova gishtin në ajër dhe e vura në gushën e saj, vijëzova konturet e fytyrës së saj lehtësisht. -Po funksionon, thashë gjithë gëzim, sepse po ndjej buzëqeshjen që po lind në fytyrën tënde… Mu duk se atë çast qielli u përndrit nga një dritë floriri e ngrohtë. Pata ndjesinë se ndjeva praninë e një rryme të ngrohtë në ajër. Një prekje harpe u dridh melodishëm në hapësirë… Magjia e dashurisë njerëzore, rrezëlliti në fytyrën e vajzës së vogël.