Suplementi Pena Shqiptare/ Allaman Hoxha: Kaosi ambiental dhe falsiteti i jetës ‘moderne’ në një roman satirik

578
Sigal

“Misioni i z. Ndrio”, libri më i ri i shkrimtarit Vangjush Saro, një parodi për ‘shpëtimin’ e Planetit

“Misioni i z. Ndrio” titullohet romani më i ri i shkrimtarit Vangjush Saro. Autori i njohur krijon në disa zhanre, por kryesisht fabula dhe prozë satirike. Në romanin e tij të ri “Misioni i z. Ndrio”, vjen në mënyrë groteske përballja me problematikën botërore të ndotjes së mjedisit, por edhe falsitetin e jetës ‘moderne’, pjesë e së cilës janë tashmë ‘aventurat’ elektronike dhe “epidemia” virtuale, (që nuk njohin moshë e kohë). Në qendër të romanit, është një profesor i varfër, në pension, që ëndërron të ndryshojë sjelljen njerëzore ndaj ambientit dhe të risjellë respektin për trashëgiminë në të gjitha fushat e jetës. Në kërkimet dhe aventurat e tij nëpër plazhe, në shkolla, biznese, azile, heroi i romanit përpiqet të sensibilizojë njerëzit për rreziqet që kanosin Planetin dhe t’i bindë ata se sa shumë humbasin duke ikur prej një jetese të shëndetshme.

I vetmuar në ëndrrën e tij, i padëshiruar për institucionet brenda dhe jashtë vendit, z. Ndrio Bedalla lufton me shpirt dhe me shumë sinqeritet për një kauzë që është emergjente për njerëzimin. Ai drejton pareshtur gishtin mbi rrëmujën, mbeturinat, plastikën, zhurmat, ‘epideminë’ elektronike dhe mbi të gjitha deformimet e natyrës e të jetës së sotme njerëzore, për të cilat heroi fajëson politikën dhe monopolet. Por dëshirat dhe përpjekjet e tij naive, rëndom përfundojnë në mënyrë zhgënjyese e, me sa duket, janë pak… për ta ndrequr Shqipërinë, Rajonin dhe Botën.

Humori, satira e situatat groteske, që krijohen kohë e pa kohë në libër përmes akteve sublime – të pambështetura nga askush – të bëjnë të qeshësh. Qeshim, por edhe trishtohemi për fatkeqësitë që i ndodhin shpesh ‘sojliut’ tonë Ndrio. Është një e qeshur që ngrin, pothuajse copëtohet, nga përsiatja e trishtimi; këto të pushtojnë natyrshëm kur mendon hendekun e thellë që gjendet mes misionarit idealist e qëllimmirë – që nuk pajtohet me të keqen – dhe shoqërisë njerëzore të nënshtruar nga e keqja, apo pushtetarëve të babëzitur, që për hir të fitimeve dhe grykësisë, po e shkatërrojnë dhe deformojnë gjithçka të kësaj bote. (Çdo ditë, natyra dhe vlerat njerëzore ndjehen të poshtëruara nga cinizmi i tyre. Këto thotë i shkreti profesor, por s’ia vë veshin askush.)

Heroi grotesk i romanit, Ndrio Bedalla, na shfaqet si një Don Kishot i kohërave moderne, që gati i vetëm – ‘Misioni’ i tij është aq minor e komik – përpiqet të përballë ‘hallet’ e vendit të tij e të Planetit që lëngon. Profesori bën çmos të hyjë në debat me pushtetarët e të lidhet me organizatat jo-qeveritare, në Tiranë e përtej Rajonit, për të sensibilizuar njerëzit e shoqërinë e për të mbrojtur natyrën, po ashtu edhe zakonet e mira dhe jetën e ‘shëndetshme’. Por përballë etjes së shfrenuar të monopoleve e të pushtetarëve për betonizimin e qyteteve dhe përmbytjen e tregjeve me produktet e tyre soj-soj e shpeshherë të dyshimta, profesori nuk ia del dot. Megjithatë, ai bën çmos të ekspozojë idetë e veta, edhe pse i përcjellë me indiferencë dhe nga një humor i hidhur…

Zhgënjimet e personazhit gjatë misionit të tij, siç e thashë edhe më lart, na trishtojnë edhe ne. Por këtë atmosferë gri që përjetojmë, të shkaktuar nga deformimet njerëzore dhe katastrofa mjedisore, autori hera herës përpiqet ta ‘zbusë’ dhe t’i japë ndonjëherë edhe ngjyrime lirike; në ndonjë episod, e pasuron edhe me pasazhe erotike. (Mikja e profesorit, Maria dhe skenat e dashurisë, marrëdhënia me misrapjekësen Lumnije apo edhe me ish-studenten e tij Julinda Plasa.) Përveç këtij lirizmi të natyrshëm, që ndihet gjatë gjithë rrëfimit, romani shfaq edhe elemente të një qasjeje moderne, jo vetëm përmes nëntekstit të frazës, por edhe duke iu shmangur një finaleje apo përfundimi të caktuar, në temë dhe në fatin e heroit; autori e lë atë, si të themi, në dorë të lexuesit, ia beson imagjinatës së lexuesit. Gjetje e veçantë në vepër, është edhe gërshetimi i rrëfimit të autorit, me ngjarjet që i sjell vetë personazhi i tij; ky, me çiltërsi e seriozitet, përshkruan bëmat e veta, në një grotesk që e mbështjell gjatë gjithë kohës.

Me romanin e tij “Misioni i z. Ndrio”, shkrimtari Vangjush Saro shënon një arritje në prozën bashkëkohore, sidomos në zhanrin satiro-humoristik; kjo, jo vetëm për mesazhet e mëdha dhe aktuale që përcjell, por edhe për origjinalitetin e rrëfimit, për gjuhën e pasur artistike, plot shprehje figurative e frazeologji popullore dhe shpesh me një nëntekst befasues, që s’mund ta lërë indiferent një lexues të vëmendshëm.

Romani “Misioni z. Ndrio” (është publikuar më parë në Amazon me titullin “Misioni”) rivjen për lexuesit nga “ERIK Botime”. Libri është ilustruar nga piktorja Alma Skënderi.