Suplementi Pena Shqiptare/ Alisa Mene: Di ku të më gjesh

969
Sigal

Do hapësh sytë në mëngjes,
Me to do përshkosh gjithë dhomën,
Me duar do kërkosh në të majtë,
Aty ku unë flija gjithmonë.

Ngrohtësinë e trupit s’do ndjesh,
Ballin do rrudhësh në habi,
Do çohesh ngadalë, pa frymë,
Do të thërrasësh emrin tim.

Me këmbët zbathur tokën prek,
Në maje te gishtave ngadalë,
Derës i afrohesh me dorën zgjatur,
As mbas saj nuk më gjen.

Ti del në ballkon, po mbytesh,
Ndoshta është veçse një ëndërr,
Vendos dy duar në parvaz,
Kokën ia drejton qiellit.

Sy mbyllur shijon erën,
Si në çastet tona rishfaqem unë,
Më prek me duar mbështetur diku,
Ndjen aromën time në mes të stuhisë.

Kur malli të të marrë për mua
Tashmë e di ku të më gjesh.