Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Podrimja përfaqësuesi më tipik i poezisë

794
Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë kombëtare. Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Ali Podrimja lindi e u rrit në Gjakovë. Studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin terrorin pushtuesit serb një nga më të egrit në kohërat moderne, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqind mijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.

Diku në botë
Po qe se nuk të shkruaj
miku im i dashur dhe,
Po qe se nuk ma dëgjon zërin
Merr një karafil
E ma kërko varrin
Diku në botë
Se vajta pas Lumit…

Epika
Me shekuj kam shitur gjakun
e rritur jam me gjakun e shitur.
Me shekuj kam hëngër veten
e ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…
Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!

Ti dhe uji
Diellin ta shikosh nga hija e plepit
Dhe ta matësh
Kur hijen tënde s’mund ta kapërcesh më
Qenit ruaju se të kafshon ajo kafshë shtëpiake
Besnik i madh i Njeriut
Nga kafshimi i gjarprit mund të shpëtosh
Macen nxirre nga fjalori yt gjithsesi
Ajo s’është simbol i kohës sate as i artit tënd
(Unë gjithmonë ia kam frikën edhe Lules edhe
Femrës)
Kur të flasësh fol të dëgjohesh në bjeshkë
të dëgjohesh në shkretëtirë
Për të dytën herë mbetesh pa kokë ose kush
nuk të beson:
Sa më pak shikoje veten në pasqyrë
Dhe kurrë mos mendo: I pari
Ai që ka ekzistuar para teje jam UNË
Ai që do të kujdeset për ditët e mia të mbrama
Për ëndrrat e mia e qetësinë je Ti
Me pleh kurrë mos u pajto: Nxirre në gjysmë
të natës
në pikë të vapës
Asgjë mos rrit asgjë mos krijo me dhunë
Rast i humbur nuk je edhe pse pylli
dendësohet
Mund ta kalosh natën në Kullën time të vetmuar
në botë
Dhe si të duash Ti Lumi
Kryesorja: jetën ta jetosh pa e vrarë
Dhe pa të mbetur në këmbë ndonjë therrë
e saj e zezë
Bashkudhëtari im
Ta provojmë vetveten derisa kemi frymë.

METAFORA E JETËS TIME
Nëse s’flas,
jeta ime s’ka qetësi
fjala ime bëhu Unë.
Heshtja të të mos shtypë
në gurë mulliri.
Nëse s’flas
jeta ime s’ka qetësi
fjala ime bëhu Unë.
Plaga ime
le të marrë
frymë thellë.
Sigal