Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Bregu: Vjehrra engjervi

607
Sigal

humoristike

-E kam vjehrrën engjervi,
Thëllëzë, ajo e mjerë,
Lum kush e ka në shtëpi,
Lumja kush e ka në derë!

Lum si unë, të më rrojë,
Atë moj, Zoti ma faltë!
Kur flas, më shikon në gojë,
Sikur nxjerr sheqer e mjaltë.

Pensionin ajo e gjorë
Pa e prekur asnjë grimë,
Fët e fët ma jep në dorë,
Mua që mbaj llogarinë.

Edhe punët e shtëpisë
Për çdo çast e për çdo ditë,
Brenda e përtej avllisë
I bën pasqyrë çdo ditë.

Thonë shoqet: -Lum në derë
Kush e ka të tillë vjehrrë!

-Shoqen s’ka në pastërti.
Pa, kur lan sy e fytyrë,
Ka lezet vendi ku rri
Edhe ndrit porsi pasqyrë.

Dhe kur dal unë pa shkak,
Troç, për arsye të kota,
Ajo me ankth e merak
Del më pret mua te porta.

Kur kthehem un’ në shtëpi,
Thot’ e më troket te xhami
Me plot mall e dashuri:
-Hajde shpirt, po të pret mami !

Mëngjes herët, prej kuzhine
Në shtrat ku me burrin flemë,
Me shpejtësi vetëtime
Na sjell çajin e kafenë.

Dhe shoqet si përngaherë :
-Lum si ti me atë vjehrrë!

-Më fërkon me dorë të lehtë
Porsi fëmijës një nënë,
Barkun ashtu lehtë-lehtë
Sa herë mbetem shtatzënë.

Vjehrra gjithë e papërtuar
Vajzat m’i rriti të tria,
Mua që s’e kam kuptuar
Si e qysh rriten fëmija.

Më thot’ në mënyrë intime
Sa herë që kam mërzitje:
-Tutje-tu, moj bija ime,
A dalim pakëz shëtitje?

Të bëjmë fotografi
E t’i hedhim në laptopa,
Nusen time si perri
Ta shikojë gjithë bota.

Shoqet zërin nuk e shterë:
-Lum si ti me atë vjehrrë!

-Kur buzën e ve në gaz,
Pranë meje ajo qaset,
Duart lehtas i përplas
E zë qesh edhe gajaset.

Sa her marr pakëz të ftohtë
Vjehrra moj, që fort e dua,
Më afron çajin e ngrohtë
E teshtin ajo për mua.

Njerëzit e mijë të mirë
Gjithnjë ajo e para,
I pret me mall e dëshirë,
Me ndere e temenara.

Pastaj mëngët i përvesh,
Gatuan gjellën më të mirë
E me miqtë fol e qesh
Deri vonë, ndaj të gdhirë.

Thonë shoqet :-Është djerrë,
Kush nuk ka të tillë vjehrrë .
***
Më pastaj nusja për plakën
Ndryshe na e ktheu pllakën:

-Ju që flisni moj ju vrafsha!
Asaj sytë mos ia pafsha!
Se pa të moj, atë vjehrrën,
Gërmuqen e zemër ferrën,
Në shtëpi do të vërtitem
Do të zhvesh e do të vishem
Ashtu shtruar edhe qetë
Burrin edhe veten vetë.

Më tej shtoi nuse mavrija:
-Më duket gogol shtëpia.
Dhe u ngrit ashtu më këmbë
Sikur ta ndukte me dhëmbë,
Vjehrrën moj, atë të ngratë
Që e mburri gjerë e gjatë .