Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Bregu: Trioleta

630
Sigal

1-

Përse më bën të dridhem moj shejtane

Si thellë toka dridhet nga tërmetet?!

Në syt’ e tu të kaltër mbyt oqeane.

Përse më bën të dridhem moj shejtane?

 

Syt’ e tu të bukur Hane – Hane,

Qiell i kaltër brenda tyre tretet.

Përse më bën të dridhem moj shejtane

Si thellë toka dridhet nga tërmetet?!

2-

Moj vetullkurorë rritur ndër lëndina,

Konxh’ e trëndafilit, spërkitur me vesë,

Në beben e syrit u kreh vetëtima

Moj vetullkurorë rritur nder lendina.

 

Flokëve të tua, ndehur shkrepëtima

Dhe nëpër qerpikë, balluket e resë.

Moj vetullkurorë rritur ndër lëndina

Konxh’ e trëndafilit , spërkitur me vese.

 

3-

Befas krejt papritur çasti përcëllimë

Më shtiu të trembur e më dha të dridhur,

E më bëri gjëmën, më bëri magjinë,

Befas krejt papritur, çasti përcëllimë.

 

Qëkur fat’ i sertë më shtyu në grreminë,

Gjaku i shpërbërë më mori të hidhur,

Befas krejt papritur çasti përcëllimë

Më shtiu të trembur e më dha të dridhur.