Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Bregu: Monologu i maturantit

563
Sigal

Humoristike

Tash kur po vjen fundi, kur po afrojn` provimet

M’u thartuan trutë nga super-studimet!

Nga super-studimet, një shkollë – një jetë

As hapa, as mbylla te librat një fletë.

Edhe kam besimin, ndër shokët i pari,

Do t`i marr provimet me medalje ari.

Ju lutem dëgjoni, pa u mbajtur rëndë,

Përgatitjen time bërë në çdo lëndë:

….

Pa ia prekur kurrë letërsisë fletët,

Po mallkoj shkrimtarët, po mallkoj poetët,

Ç`janë e ku s`janë, të rinj e të vjetër,

Me vargjet klasikë, vargjet kilometër,

Kë më shkon përbri, kush më del përpara,

Iu harroftë emri, mos i mbiftë fara!

Prapë nuk mërzitem, të dal` ku të dalë,

Çfarëdo të më bjerë, do broçkollit ca fjalë.

Sa për historinë, unë që dua paqe,

Bashkë kur u ndamë si Milua në faqe,

Putha atë skile dhe e lashë vetëm,

Se s`kam dashur luftëra, kurrë tërë jetën.

Miss gjeografinë, oh sa ma ka ënda

Të flas gjer’ e gjatë për ç`më shkeli këmba,

Për ç`më dëgjoi veshi, për ç`më kap vështrimi,

Për malet, lumenjtë me ujë burimi.

Eh matematikën, me qejf e dëshirë

Të na nxjerrë frikën, e marrim me të mirë,

Se për një ushtrim a për një problemë

Na fut në mendime, na shtie dilemë.

Unë ndaj kësaj, bindshëm do fitoj,

Në s`mundem përballë, ndryshe do kopjoj.

Krahë e pëllëmbë, larë si në lavazh

T`i mbush me formula, plot me tatuazh.

Edhe gjithë xhepat e xhekes së vjetër

Do t’i mbush me kopje, plot me copa letër.

Kush tha, prej fizikës, më ka hyrë frika?!

I marrsha të keqen, ah më rëntë pika!

Ku ka më të bukur, e them ashiqare,

Me ato formula që s`më hyjnë fare

Por as që më dalin, si prej tokës bima,

Se kafkën e kokës e kam krejt pa vrima.

Për biologjinë e lashë anglishten.

Po mësoj përmendësh vetëm latinishten.

Dhe për pakëz fjalë PINUS dhe PINEA

Braktisa i ngrati gjithë gjuhët e reja.

Gjithë ato formula, ç`m`i paske me huqe

Moj kimi e dashur, ti moj pispiruqe,

Me ato acide, kripëra e atome

Më dogje moj mike, më sose kufomë;

Ndaj të qëndroj larg, druhem, moj firare

Se mos më mbarosh,t ë më zhdukësh fare!

Nëse asnjë libër s`po hap e s`po mbyll,

I maturës sime jam një super-yll.

Me ju profesorë, porsi trim i rrallë

Gati jam të ndeshem, troç e ballë për ballë.

Juve që më quajtët mua “Mendje-fugë!”,

Do t`ju lë pa punë, do t`ju flak në rrugë!

Me këto mësime, të gjitha për vete,

Do marr me patjetër shtatë fakultete;

Shtatë fakultete-shtatë medalje ari

Nga mbipesh` e tyre do prishet kandari.

Dhe tituj shkencorë nga tre për çdo ditë,

Të gjitha me hak, asnjë pa meritë.

Nuk ua mbush syrin për ç`më thotë goja?!

Janë prej vërteti, nuk janë prej gjoja.

Veç për sa ju thashë, ju mos më braktisni,

Kur më buzëqeshni, pse s`më duartrokisni?!