Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Bregu: Dy skica humoristike nga Vincani

882
Sigal

Nga libri në dorëshkrim “Vincani”

1=JALLA, AI SOT, TI NESËR JARABI !

Ditën që vdiq Stalini i madh apo Baba Stalini, si i thoshim tëherë, më 5 Mars 1953, Veiz Pronjari, nga Vincani, sapo kishte marrë vesh lajmin e hidhur, po shkonte duke qarë drejt shtëpisë së vet .Bashkëshortja e tij,Shania, duke e parë ate duke qarë e me lotë në sy, e trembur, e pyeti
– Çfarë ka ndodhur more burrë që po qan ?
I shoqi, Veizi, prej prekjes së thellë, duke qarë e mes ngashërimit,nuk arriti ta thotë të plotë togfjalëshin , apo pjesën e dytë të togfjalëshit “Vdiq Stalini !”
Shanes, së cilës iu dëgjua sikur tha: “Vdiq Saliu”, se kishte ajo një vëlla të cilin e quanin Sali, ia dha të qarit me kujë dhe s’kishte njeri që t’i ndodhej pranë e ta qetësonte disi .
-Po ti moj, ç’ ke që i dhe aq shumë sille logorisë ? -u dëgjua mes ngashërimeve zëri i Veizit .
– Si të mos qaj more ?! Më ka vdekur vëllai dhe unë të mos qaj !-tha Shania dhe i shtoi më tepër gazin kujës së vet .
– Jo Saliu, moj grua, jo. Ka vdekur i madhi i të mëdhenjëve, Stalini i Madh, Baba Stalini moj, Baba Stalini ka vdekur !
– Jalla more burrë sa më trembe, Jalla sa më trembe, – dhe vazhdonte ta mallkonte rëndë bashkëshortin e vet
-Ai sot dhe ti nesër jarabi ! :

2= MISH SHTADHJEÇ

Familja e madhe e xha Malkës (Ismail Dervishi) kishin një ekonomi të mirë .Por edhe një kulturë të avancuar për kohën .Burrat kishin qënë emigrantë në Australi .Prej andej sollën me vete edhe frymën e emancipimit shoqëror . Ishin sa të ndershëm e punëtorë, aq edhe të këngës e valles, shakasë e humorit të hollë me kripë e lezet. Dallohej ndër ta Izeti, por te pasardhësit dallohej Shpëtimi .
Ky, Shpëtimi, dhe s’besoj se do të ma marrë për keq nëse do ta quaja “Nastradini” i Vincanit , sa ishte i lindur për pune dhe tregëti, aq edhe për këngë e muzikë, për shaka e humor të mirëfilltë .
Kur dikush në kohën e kooperativës bujqësore e pyeti Shpëtimin :
-Çfar mishi shitet aty në fshatin tuaj ? Shpëtimi iu përgjigj :
-Mish shtadhjeç .
Ai që e pyeti, kujtoi se shitej mish me çmim të lirë domethënë shtatëdhjetë lek kilogrami dhe e pyeti përsëri i habitur :
– Sa lirë u shitka mishi te ju ! Vërtet kaq lirë shitet ?
– Po, po,-shtoi përsëri Shpëtimi,Mish ç’ta dhjeç .
U desh kohë që bashkëbiseduesi të kuptonte se çfarë donte të thoshte Shpëtimi me atë togfjalëshin : -Mish shtadhjeç !.