Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Asllani poeti, atdhetari dhe diplomati shqiptar

Lindi më 28 nëntor të vitit 1884 në Vajzë të Vlorës. Në Vlorë kreu shkollën fillore, në Janinë shkollën e mesme, gjimnazin "Zosimea" në vitin 1888. Në fillim studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi Institutin e Lartë të Shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Pas shkollës kreu stazhin në prefekturën e Janinës. Në vitin 1908 zëvendësoi për tre muaj nënprefektin e Delvinës dhe u kthye përsëri në Janinë. Ai ishte një nga anëtarët e shquar të Klubit "Bashkimi". Për mbështetjen që i dha Ismail Qemal Vlorës filloi të persekutohej nga organet qeveritare turke, madje u dha urdhër të internohej në Halep të Sirisë. Mundi t'i shpëtojë internimit, kaloi në Korfuz dhe prej andej në Vlorë. Mori pjesë në Kuvendin e Dibrës, si përfaqësues i Klubit "Bashkimi" të Janinës. Në vitin 1910 u kthye në Stamboll, pas rënies së kabinetit që e internoi. U emërua sërish nënprefekt, por me kusht që të punonte në viset shqiptare. Deri në 1912 punoi si nënprefekt në Akseqi, Ellgen dhe Boskër të Vilajetit të Konjës në Anadoll. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemal Vlora, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi për disa kohë si nënprefekt i Fierit e kajmekam i Ballshit. Pas largimit të Princ Vidit shkoi disa kohë në Itali dhe u kthye sërish kur administrata lokale e caktoi sekretar të përgjithshëm (10 nëntor, 1915 - 1 janar, 1917). Pushtimi italian e gjeti nënprefekt, por, meqenëse kundërshtoi pushtimin, u pushua nga puna. Nga 20 dhjetori i vitit 1918 gjer më 5 nëntor të vitit 1920 ishte kryetar i Bashkisë së Vlorës. Në vitet 1921 - 1922 ishte kryekëshilltar i qeverisë dhe më pas sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë. Më pas u caktua konsull në Trieste, ku qëndroi deri në fund të prillit 1925. Po atë vit u emërua "Zëvendës i ngarkuar me punë" në Sofje e më pas, po aty, "Sekretar i parë" dhe "I ngarkuar me punë". Në vitet 1930 - 1932 ishte ministër i akredituar në shtetin grek. Më 1934 përsëri është kryetar i Bashkisë së Vlorës deri në prag të pushtimit fashist 1939, ku u emërua anëtar i Këshillit të Lartë në Tiranë. Pak kohë më pas u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë. Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

Ali Asllani
Një vështrim i arratisur
Një vështrim i arratisur
Nga qepallat e qëndisur
Ku është shpirti im skalisur,
Nga dy syt' e zez të tu
Vjen më thotë ashtu-kështu!
Më thot' jo edhe më ndez
Më thot' po edhe më vdes
Nata zgjatet edhe zgjatet
Ah kjo nat' me or' nuk matet!
E un' mbetem duke lutur
Lutem yjeve të këputur.
Dhe un' lus e kërkoj ty,
Atë vetull, atë sy!
Se në syrin tënd të zi
N'atë sy të zi, mazi
Shenj' e buzës sime duket
Si një prush në re kur muget!

Ç’do të thotë patriot

Ç’do të thotë patriot
sot për sot në Shqipëri?
Një tuf’ ah! e një tuf lotë,
një njeri i pa njeri!
Jo, jo! Burri i bën ball’
do buçit si val’ mbi zall,
Sa më zi edhe më zi
sido qoftë pun’ e tij,
copë-cop’ i bënet buza
po aspak s’i falet shpuza. 
Sikurse një gur stërrall,
në gji zjarrin e ka ngjall,
qoft në lum’ e qoft’ në det
zjarr’ i tija nuk humbet!