Sigal

Durrësi është kthyer prej tre ditësh në kryeqytetin e fëmijëve më të mirë shqiptarë. Kjo për shkak të një aktiviteti shumë të veçantë që po zhvillohet nga 28-30 Qershor. Sot gara mbarëshqiptare e bukurisë dhe talentit për fëmijë Miss&Mister Childrën Albania finalizohet në skenën e teatrit të Durrësit. 70 fëmijë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia të cilët vijnë si fitues të rëndësishëm të kësaj gare në qytetet e tyre respektive, tashmë garojnë për çmimet e mëdha kombëtare, por dhe disa prej tyre do përfaqësojnë Shqipërinë dhe Kosovën në evente ndërkombëtare ndër më të njohurit në botë si në Gjeorgji, Hungari, Turqi, Kinë, Amerikë etj,. Fëmijët më të mirë të kombit shqiptar janë duke pritur plot ankth finalen e të shtunës ku në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit do të përcjellin emocione të bukura dhe mbresëlënëse.

Miss&Mister Children Albania 2018 është tashmë në edicionin e 4-rt të tij dhe vjen si një produksion ekskluziv i agjensisë së spektakleve dhe modelingut Albania Event Production me producente Albana Çakshirin. Pas një sezoni artistik shumë të suksesshëm gjithçka finalizohet me eventin mbarëkombëtar të Durrësit, ku do ketë çmime të shumta për fëmijët pjesmarrës që tashmë janë bërë shumë miqësore me skenën. “Është një konkurs ku në filozofinë e të cilit është zbulimi i talenteve të reja, por dhe kultivimi i shijeve artistike dhe estetike që vetëm skena ti jep. Këtë vit Miss&Mister Children Albania bën 4 vjeç, por çdo vit po rritet artistikisht dhe interesi është dhe më i madh. I uroj shumë suksese të gjithë konkurentëve, por dua të falenderoj prindërit për mbështetjen që na kanë dhënë në çdo moment. Unë mund t’iu them që surprizat për konkurentët e këtij edicioni do jenë të shumta dhe të gjithë do jenë pjesë e International Kids Fashion Week Albania që agjensia jonë do zhvillojë së shpejti në Shqipëri me pjesmarrjen e stilistëve të njohur nga vende të ndryshme të botës”, ka pohuar për gazetën “Telegraf” në një prononcim producentja e këtij eventi Albana Çakshiri. E veçanta e këtij viti janë talentet e shumta të fëmijëve në gjini të ndryshme të artit që garojnë për çmimin Best Talent 2018.

Natyrisht konkurenca është shumë e fortë, por çmimet e mëdha janë të shumta, ndërsa gjithçka është konceptuar si një ceremoni ndarjesh çmimesh për më të mirët. Një vit më parë Greis Ahmataj nga Fieri dhe Lukas Shehu nga Çorovoda kanë qënë fitues të çmimit të madh, ndërsa nuk dihet se në cilin qytet në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni do shkojnë trofetë.