Suplementi Pena Shqiptare/ Agron Tufa: Baladë

108

Baladat janë të gjata, të trishta,
Pothuajse mbarojnë me nga një varr nën bli:

Do ta humbas për pak kohë vdekjen,
Sërish për të vdekur mohuar nga ty.

Asnjë cep të botës ku vërtitem si hije,
S’më le pa dhimbjen tënde të lashtë.

Si shira të shkërmoqur – tinguj sharkie
Mbjellshin pa pra krimba në rrashtë.

A herët as vonë s’ka qenë për varret
Ndërkoha e pengut që tret një vdekatar.

Vdekja është rroba jote që kallet
Qysh nuk mbarove së qeni gjallë?

E zjarret tërbohen, shkrumbohen ndër vete
E zogu i hirit rritet n’ajri.

Universi fle në sarkofagun e mallit
Baladat mbarojnë me nga një varr nën bli.