Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xheka: Zoçkat e pranverës

493
Sigal

Ato mblidhen si zoçkat
ne “sokaku voskopojar”…
në çdo të enjte,
por ndodh të mblidhen
edhe në ndonjë të shtunë.
Dhe…aty është “gjithë bota”…
Janë shokët e miqtë ndër vite.
Janë Ata, Je Ti
e ndoshta jam edhe unë.

Ne i ndjejmë përherë
me kujtimet e tyre,
me humorin,ëndrrat,bëmat
e javës që lënë pas.
ndoshta në foletë tona
të largëta na zë lemza
kur na përmendin emrat.
Dhe e dimë dhe…
fshehim ngazëllimin
të mos na bëhen xheloze gratë
siç e kanë “huq të keq” femrat.

Ato qeshin pa e prishur terezinë
as u bëhet vonë
për “zhurmën” e ëmbël në “sokak”.
Aty qajnë dhe hallet
e hedhin mënjanë mërzinë,
i vjelin të bukurën jetës
dhe harrohen në shakatë e tyre
për të larguar rutinën e javës,
pa “skuta” të fshehta,
pa qibër, drojë e merak.

Ato janë dymbëdhjetë,
si muajt e vitit
spërkatur nëpër stinë.
Dhe nuk pyesin ato
në është dimër a pranverë
në është verë e nxehtë a vjeshtë.
Ato stinët i qëndisin vetë
duke sfiduar mërzinë
e duke mbjellë në shpirt rininë…
Ato,…korçarkat e bukura
të mira e të mençura…

“Zoçkat e pranverës” qofshin përjetë!