Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xheka: Nuk më pjek më as kafenë

139

Më la mikeja më la
Nuk më pjek më as kafenë,
Do ket’zënë tjetër sevda,
Plakut nuk ia ka më ngenë…!
Mike, moj të qofsha falë!
Nuk kam pse të marr inat,
S’të njoha kur isha djalë,
Nuk e kishim këtë fat!
Sa e rëndë qenka për mua,
Të më mungojë kafeja,
më mbenë sytë tej në krua
Më mbenë sytë nga penxhereja…!
Pleqëri, moj e uruar!
S’doja të pranoja kurrë,
Tani që më ke kafshuar,
Tallesh e s’më bën për burrë.
Lipsur qofsh, s’të dua fare!
Ky të jetë dhe fundi im.
S’kam ç’të dua, moj qyqare!
Për mua ti je mallkim.
Hapma rrugën që të shkoj,
Ty nuk të nënshtrohem dot,
Mëshirën nuk e pranoj
Burrë të shporrem nga kjo botë.