Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xheka: Lajthitje në mesnatë

409
Sigal

Kryeqyteti ku jetoj unë
është nga më të vegjlit në rruzull
dhe në të bie shumë shi.
Bie shumë shi dhe ka shumë diell.
Njerëzit shpesh kapen në befasi,
herë u bie dielli në kokë
herë bëhen qull nga shiu,
kur mund të mos ketë asnjë re në qiell.

Hall i madh është edhe ky!
Ca njerëz shtrohen në sanatorium
e ca të tjerë përfundojnë në çmendinë.

Nesër në mëngjes do shkoj në bashki,
Do takoj kryebashkiakun,
me besimin që do më pranojë.
Nuk do t’i tregoj, që jam i pashtëpi,
sepse kam frikë se nuk do më dëgjojë.

Do i lutem me përgjërim t’u vijë në ndihmë
hutaqëve, bashkëqytetarëve të mi.
T’u bëjë “dhuratë”, jo gjeldeti,
por nga tre çadra për çdo shtëpi.
T’i përdorin sipas rastit,
kur ti zërë dielli në rrugë
ose papritur t’i zërë shiu në befasi.

Kur të ikë dielli ose të pushojë shiu,
t’i mbyllin e t’i lënë aty ku të jenë,
në dyqane, lokale apo parfumeri.
Në zëntë prapë shiu apo të djegë dielli,
të përdorin atë që kanë më afër,
pavarësisht se nuk është çadra e tij.

Kështu, Sanatoriumi dhe çmendina
do të kenë më pak pacientë
dhe dyqanet, lokalet e parfumeritë
do të kenë shumë më shumë klientë.

…dhe ajo që do ketë më shumë rëndësi,
do quhet “kryeqyteti i çadrave”, qyteti i tij.

(Uroj të jetë RISI)

Aldebaran.