Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Xhafka: “Dentistja”

625
Në Velçan të Gorës,në vitet ’80 dentiste fshati ishte një ndihmës farmaciste(!)
-Si kështu? -e pyeta i çuditur.
-Ndodh.-më tha ajo. -Ja dhe ti je mësues letërsie, por jep edhe vizatim. Di gjë nga ngjyrat, merr vesh?
Më zuri gafil, por nuk i dhashë të drejtë.
Një natë,Yzeiri, i zoti i shtëpisë ku ne banonim, bërtiste afër mëngjesit. Dolëm nga dhoma dhe e pamë në korridor që kërcente pupthi. Kishte vënë pëllëmbën e tij të madhe tek faqja e majtë e bërtiste:
-Këtë herë do vdes! Nuk shpëtoj dot!
I thashë Aliut të thërriste dentisten dhe kapa për krahu Yzeirin.
-Merre këtë shishen e rakisë, -më tha e shoqja.
-Raki për Verën, farmaciste-dentisten?-pyeta, por ajo nuk u përgjigj. Eci nëpër shkallët lart.
Për tre minuta ndalëm tek dhoma e ambulancës. As karrike nuk kishte ajo kthinë.
-Rakinë, -tha dentistja. Ia dhashë.
-Jo mua, jo,-qeshi.-Yzeir pi ca gllënka të mëdha. 
Gër, gër, ia bënte fyti i të sëmurit. Pas pak qeshi e tha:
-E kam kumbulle, të zjerë dy herë. Më zuri, të mos kem njeri! Po dehem.
-Shtrihu!
-Ku?
-Mbi tavolinë! Dhe kokën vare poshtë! 
Ishte pamje dramatike dhe komike. Varur koka dhe Vera me darë në dorë që i dezinfektoi me një gërqe raki. E nguli tek nofulla poshtë, vuri këmbën e saj tek këmba e tavolinës dhe…hop kërceu drej derës. Në dorë pincët me një gjë të zezë që lëshonte pika gjaku.
-Ja, kaq ishte. -tha ajo.
Yzeiri u ngrit e nuk besonte që i kish fluturuar dhëmballa. 
-Pi prapë!-e urdhëroi goca.
Nga gëzimi e thau shishen. Pas pak nisi të këndojë:
-Bishtin e urës ç’ma kanë zënë,
Moj nëne,s’më lënë…
Kishte zbardhur. Ndërsa Yzeiri kuq në fytyrë, por i lumtur. Pa një dhëmb vërtet, por pa dhimbje. I qetë.
Sigal